fbpx

Shkup, KSHZ organizoi ditë edukative për qytetarët dhe studentët

Me rastin e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë Së Veriut (KSHZ) organizoi një ditë të hapur për të gjithë qytetarët e interesuar që duan të informohen nga afër për punën e komisionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, në një prononcim për mediat tha se Dita Botërore e Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut është organizuar prej disa vitesh dhe se kjo ditë shfrytëzohet si një rast që qytetarët dhe studentët e interesuar të informohen se çka janë zgjedhjet dhe si organizohen ato.

“Kjo është një mundësi e mirë tani dhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare për të njoftuar edhe njëherë qytetarët me të drejtën e tyre të votës”, tha Derkoski.

I pyetur se cilat janë pyetjet më të shpeshta nga qytetarët për KSHZ-në, Derkoski tha se, “Ata shpesh pyesin se si mund të kontrollojnë në listën zgjedhore, si mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, këtu dhe në diasporë”, tha Derkoski.

Duke theksuar se ndër të tjera ka qytetarë që janë të interesuar për përbërjen e vetë KSHZ-së, Derkoski tha se studentët janë të interesuar për rregullimin e sistemit zgjedhor dhe mënyrën e miratimit të Kodit Zgjedhor.

Në lidhje me atë nëse KSHZ është e gatshme për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 12 prill të këtij viti, Derkoski theksoi se ata janë të gatshëm për zgjedhjet parlamentare dhe se janë në pritje të momentit të shpalljes zyrtare të zgjedhjeve.

Pjesë e ditës edukative në ambientet e KSHZ-së ishin studentë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe studentët e Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Stafi i KSHZ-së informoi studentët në detaje rreth Kodit Zgjedhor dhe procesit të votimit.

Dita Botërore e Zgjedhjeve shënohet çdo vit të enjten e parë të muajit shkurt dhe ka si qëllim përcjelljen e mesazheve për forcimin e proceseve demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button