Takim i ri për Ligjin për Prokurorinë: Opozita nuk heq dorë nga kërkesat

Për sot është caktuar takim i ri i grupeve punuese për tejkalimin e dallimeve rreth ligjit për Prokurori Publike, njofton Portalb.mk.

Sipas paralajmërimeve, fillimisht planifikohen takime individuale, ndërkaq më pas edhe të grupeve punuese të përbëra nga përfaqësues të partive parlamentare dhe ekspertëve, në përpjekje që të harmonizohet versioni i propozim-ligjit që më vonë do të miratohet në Kuvend.

Pas takimit të grupeve të punës të premten, disa grupe punuese të shtunën kanë dorëzuar amendamente për Ligjin për Prokurori Publike, ndërkaq disa kanë kërkuar kohë shtesë për formulimin për shkak obligimeve që i kanë pasur me dialogun “Zhan Mone”. Për shkak të mirëbesimit në proces, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se nuk do të zbulojnë se cilat grupe të deputetëve kanë dorëzuar amendamente.

Opozitarja VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga kërkesat për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që të premten e ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë të organizojë takim me ekspertët juiridk të cilët kanë dhënë vërejtje në debatin publik dhe bashkë me ata të bëjnë amendamente për propozim-ligjin.

“Nuk ka gjasa që të heqim dorë nga kërkesat tona në lidhje me ligjin për Prokurori publike”, porositi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Në lidhje me thirrjen e liderit partiak, Hristijan Mickoski, deri te Ministria e Drejtësisë që t’i pranojë vërejtjet e ekspertëve të cilët morën pjesë në debatin publik, Janushev tha se ministrja Renata Deskoska qëndron kundër gjithë ekspertëve juridik.

Nëse do të miratohet ligji para zgjedhjeve, Janushev tha se sipas partisë gjithsesi duhet që të miratohet, por jo ashtu siç e propozon LSDM.

Dje edhe ministrja Deskoska porositi që VMRO-DPMNE të përkushtohet në përgatitjen e amendamenteve nëse vlerësojnë se është e nevojshme të ndryshohet teksti i ligjit. Vetëm ashtu, thotë ajo, do të tregojnë se janë të gatshëm t’i vendosin interesat eurointegruese përpara atyre personale, kriminelëve të dyshuar dhe të akuzuar nga radhët e tyre.

Në takimin e së premtes, të dytë të grupit të punës në format më të gjerë me përfaqësues të partive politike dhe grupeve të deputetëve nga Kuvendi u bisedua për amandamentet për përmirësim të tekstit ligjor pas debatit publik dyditor të ekspertëve për ligjin.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi se nëse deri te Kuvendi do të dorëzohet propozim-ligji i harmonizuar për Prokurori Publike, ai menjëherë do ta vendos në seancë kuvendore.

 debatin publik që u mbajt në Kuvend, kryeministri Oliver Spasovski tha se kishte se çfarë të dëgjohet nga ana e ekspertëve, të cilët në mënyrë objektive dhe në kuadër të ekspertizës së tyre patën mundësi ta thonë mendimin e tyre në lidhje me zgjidhjen ligjore.

Propozim-ligji i ri për Prokurorinë Publike pritet të miratohet deri më 12 shkurt, kur duhet të shpërndahet kjo përbërje kuvendore. Për miratimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button