Kosova duhet të ruhet nga bijtë e saj plëngprishës

Ditëve të fundit mediet e shkruara dhe elektronike serbe vlojnë nga lajmet  e rreme, sipas të cilave presidenti amerikan Donald Tramp paska vendosur ta zgjidhë proplemin e Kosovës me të njëjtin plan, të cilin e ka përgatitur për zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar izraelito-palestinez. Sipas Telegrafit serb, planin/ strategjinë për zgjidhjen e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, këtyre ditëve ka nisur ta realizojë i dërguari special i z. Tramp, z. Riçard Grenel.

Mediet serbe i kanë publikuar edhe pikat e dy “marrëveshjeve” në fjalë, të cilat do t’u ofrohen palëve me politikën mere ose lëre, pasojat e së cilës dihen, në rast të zgjedhjes së gabuar…

Ja si duken, sipas tyre, pikat e planeve në fjalë:

Marrëveshja ndërmjet Izraelit e Palestinës:

  1. Vija kufitare – Palestinezët e fitojnë shtetin;
  2. Kryeqyteti i Palestinës do të jetë Jerusalemi Lindor, kurse i Izraelit Jerusalemi;
  3. Izraelit i takojnë vendbanimet e tij në Bregun perëndimor;
  4. Statusi i gjertanishëm i vendeve të shenjta mbetet i pandryshueshëm për një kohë;
  5. Hebrenjve nuk do t’u lejohet blerja e shtëpive të arabëve dhe ansjelltas;
  6. Marrëveshja do të mbështetet financiarisht nga miliarda dollarët, kryesisht amerikanë;
  7. Kufiri ndërmjet Palestinës dhe Izraelit do të jetë i hapur për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, do të ndërtohet një tunel që do të lidhë Bregun perëndimor me rripin e Gazës

Marrëveshja ndërmjet Beogradit e Prishtinës:

  1. Vija kufitare – pjesa veriore e Kosovës i mbetet Serbisë;
  2. Mitrovica bëhet një lloj Jerusalemi, e ndarë ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve, ose do ta fitojë statusin special të distriktit;
  3. Serbia i mban komunat e veriut të Kosovës, njësoj si Izraeli vendbanimet në Bregun perëndimor;
  4. Mbrojtje e veçantë dhe status eksterritorial për kishat serbe jashtë veriut të Kosovës;
  5. Shqiptarët nuk do të mund t’i blejnë shtëpitë serbe dhe ansejelltas;
  6. Paketa ekonomike, veçmas për pjesën e tashme të veriut të Kosovës, para së gjithash për ndërtimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve prodhuese. Për sigurimin e parave do të thirret një konferencë ndërkombëtare, kurse Amerika do të dërgojë investirorët në Serbi dhe Kosovë;
  7. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (pjesa veriore e Kosovës) do të jetë e hapur për lëvizje qytetarësh dhe mallrash, pa ndonjë ndalesë të madhe.

Gjithnjë sipas medieve serbe, i dërguari special i presidentit Tramp për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit Riçard Granel ka thënë se aktualisht po bëhen përpjekje për nisjen e sërishme të dialogut të ndërprerë dhe se Vashingtoni ka vendosur ta marë rolin kryesor, duke lënë mundësinë që të ndihmojnë edhe të tjerët (Anglia, Franca, Gjermania…), nëse do të kenë dëshirë…

Sidoqoftë, përkundër të dhënës se lajmi vin nga guzhinat e njohura të propagandës serbe, Kosova duhet të ruhet nga bijtë e saj plangprishës, të jetë e kujdesshme, të lë kacagjelimet idiote ndërvëllazërore, të esëlltohet e të zgjohet nga gjumi, sepse pjesa mercenare e parësisë së saj i ka nxitur dhe është kllumur e para në “lojërat” që synojnë ndarjet dhe copëtimet e reja të tokave stërgjyshore të lara me gjak martirësh.

Për vete, duke pasur parasyshë politikat e “burrështetasve” mendjengushtë e shpirtshitur shqiptarë, të përkrahur verbërisht nga mediet e vërdhemta dhe “gazetarët” milionerë, që nuk njohin asnjë interes tjetër pos atyre që ua dikton zorra e trashë, e kam një drojë, që në kohën kur shumëkushi e harroi kontributin vendimtar të Amerikës për çlirimin e Kosovës nga kthetrat serbe dhe nisi t’u besojë sehirbazëve, të cilët trumbetojnë se gjoja meritat kryesore për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe u takojnë, jo SHBA-ve, po ca të tjerëve, që do t’na mbrokan sa të jetë jeta nga tendencat hegjemoniste serbo-ruse, që në fakt janë aleatët e tyre… Këtë shqetësim e kam shprehur edhe në kolumnën e botuar në PortAlb në janar të vititi 2017, me titullin: “Trampi dhe trapat shqiptarë”, prej së cilës po shkëpus ca fragmente:

I pëlqeu a s’i pëlqeu dikujt, SHBA është superfuqia aktuale e botës, pa përkrahjen e së cilës nuk do të ishim kështu si jemi. Ndoshta nuk do ta kishim as gjysëmshtetin shqiptar të Londrës, sepse qe pikërisht Amerika ajo që nguli këmbë për themelimin e tij, në një moment historik kur fuqitë tjera deshën ta fshijnë nga harta e botës. Kjo është arsyeja përse populli shqiptar është mirënjohës ndaj Amerikës dhe shpreson që edhe në të ardhmen të ruajë miqësinë dhe imazhin e krijuar me shumë mund nga breza të tërë shqiptaro-amerikanësh, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe emra të shquar të botës së artit, shkencës dhe politikës.

Mjerisht, këtë nuk e kanë të qartë ca mendje të klasës së katërt, të cilët, fill pas luftës së Kosovës dhe jo vetëm…, nisën rrënimin e miqësisë në fjalë, duke mos u vajtur fare mendja se, të këtillë siç na ka falur Zoti – të varfër dhe të paaftë për të mbrojtur vatanin pa ndihmën e një miku të fortë, të mbështetur vetëm në disa mijëra shqiptarë, që ishin dhe janë të gatshëm për çdo saktrificë, mund të shijojmë sërish historitë e lemerishme të së shkuarës.

Më e keqja është kur në vijë të njëjtë me trapat prej të cilëve nuk është imune asnjë etni, rreshtohen dhe politikanë me detyra kryeminstrash, të cilët me gafat e tyre emblematike rrënojnë urat e ngritura të miqësisë shqiptaro-amerikane.

Çfarë iu desh, fjala vjen, kryeministrit aktual të Republikës së Shqipërisë, që në vlugun e kampanjës zgjedhore për presidentin e SHBA, të deklarojë në CNN se Donald Tramp qenka i rrezikshëm për Amerikën…, në një kohë kur prijës shtetesh gjigante si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia… preferuan mos t’i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin, sado që janë shumë më të pavarur nga politika amerikane se Shqipëria jonë dhe sado që mund të kishin shumë më tepër informacione për Trampin se Rama ynë. Vallë nuk e dinte Rama se me gafën fyese ndaj një presidenti amerikan mund të dëmtojë keq shqiptarët në momentin kur përreth kufijve të Kosovës janë instaluar bazat ushtarake të Rusisë së disponuar për Krime të reja, apo u desh ta mësojë këtë nga gazetari i CNN-it: “Kujdes! Etika diplomatike nuk i lejon udhëheqësit e huaj të flasin për zgjedhjet e vendeve të tjera…”

Po kaq e budallaftë, prepotente dhe e kushtueshme qe dhe ai truku fshataresk i ish kryeministrit të Kosovës (tani kryetar i saj) Hashim Thaçit, kur në bisedë me shefin gangster të grupit parlamentar te partisë së tij tha: “Hajt se do luj koqe me amerikanët…”

Tani, kur veçanërisht Kosova gjendet përpara situatave shpërthyese, mbase e ndjejmë më mirë nevojën e krahut të një miku të fortë si Amerika, të ndërtuar me dekada nga shumë gjenerata shqiptarësh që jetojnë në SHBA dhe të stërkequr për disa vjet nga trapat mosmirënjohës ndaj asaj që bëri Amerika për Kosovën dhe jo vetëm. Këtë e dinë mirë ata që e shohin si i ruajnë miqësitë kombet që nuk krenohen me beteja që t’kurrin atdheun…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button