KEQPËRDORIMI I PUSHTETIT

(Shkëlzen Halimi: Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint, Botoi: Logos a, Shkup, 2019)

Shoqëria shqiptare në Maqedoni assesi ta tejkalojë periudhën e tranzicionit sidomos në rrafshin politik, një e keqe kjo që dukshëm është reflektuar edhe në rrafshin e kulturës dhe arsimit. Amullia e krijuar si pasojë e luftës permanente për të qenë në pushtet, ka bërë që brenda tri dekadave të fundit (as u ndamë me komunizmin, as iu përshtatëm pluralizmit) të jemi dëshmitarë të shumë situatave tragjike-komike, por të cilat asnjëherë nuk u morën seriozisht e as që pati përpjekje vetëdijesimi.

Si edhe në hapësirat tjera shqiptare, edhe në Maqedoni skenën politike e dominuan premtimet e parealizuara, gënjeshtrat, manipulimet, por edhe keqpërdorimi i emocionit, sidomos të atyre që shpirtërisht ishin plagosur dhe të cilët me ankth e pritnin ndryshimin.

Janë këto disa nga segmentet, të cilat trajtohen në botimin më të re të Shkëlzen Halimit me titull “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, botuar nga Shtëpia botuese me renome kombëtare LOGOS A.

Bëhet fjalë për një botim interesant dhe për një qasje ndryshe ndaj fenomeneve dhe dukurive të shëmtuara me të cilat u përball shoqëria shqiptare. “Përfaqësuesit” politik të kësaj shoqërie jo që nuk arritën, por thjeshtë nuk u konvenonte të marrin mësime nga pësimet e shumta, ndër to mjaftë edhe me nuanca tragjike.

Në vrapin e pandalshëm pas pushtetit, ata asnjëherë nuk ndaluan për të parë se çfarë kishin lënë prapa. Konjuktura të ndryshme jo vetëm që keqpërdorën emocionin e njeriut të thjeshtë, por keqpërdorën edhe pushtetin duke mbjellë frikën, duke përdorur shantazhin, por edhe duke e blerë besimin në format më skandaloze. Një libër që ia vlen të lexohet!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button