Kodra e Diellit: U deshën katër muaj që analizat e gatshme nga ELEM të dorëzohen në Qeveri

Për katër muaj me radhë “ELEM” dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut me Portalb.mk kanë luajtur lojën e “ping-pongut” në lidhje me  Analizën “Due Diligence” dhе Studimin e Fizibilitetit për Kodrën e Diellit, ku njëra palë deklaronte që i ka dorëzuar të njëjtat, pala tjetër vazhdimisht e mohonte këtë. Sot më në fund, nga Qeveria na konfirmuan që analizat kanë arritur në Qeveri në fund të muajit dhjetor dhe se pritet të hyjnë në seancë qeveritare, më së voni për një muaj, u para zgjedhjeve të 12 prillit, shkruan Portalb.mk. 

Nga muaji shtator i vitit të kaluar kompania “ELEM” ka poseduar analizën “Due Diligence” dhe Studimin e Fizibilitetit për Kodrën e Diellit të bëra nga kompania “PwC”. Për disa muaj të njëjtat kanë qëndruar në sirtaret e “ELEM” ngaqë nuk janë dorëzuar në Qeveri, duke mos u arsyetuar për këtë.

LEXO: Ku janë Analizat për Kodrën e Diellit? “ELEM” dhe Qeveria e Maqedonisë tallen me opinionin publik

Për Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut konfirmuan që analizat për Kodrën e Diellit i kanë pranuar me datë 29 dhjetor, të vitit të kaluar dhe se të njëjtat pritet të hyjnë në procedurë qeveritare.

“Analizën Due Diligence dhe Studimin e Fizibilitetit për Kodrën e Diellit i kemi pranuar me datë 29 dhjetor të vitit të kaluar, aktualisht të njëjtat janë në procedura qeveritare dhe do të ju njoftojmë kur të hyjnë në seancë qeveritare” thanë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Analiza duhet të kalojë filtrin e Kolegjiumit qeveritar në të cilin marrin pjesë sekretarët e gjitha ministrive dhe më pas në Komisionin për sistem ekonomik ku anëtarë janë gati gjithë ministrat. Më pas shkon në seancë qeveritare.

Analiza “due diligence” përfshin një analizë të thellë të gjendjes financiare, ligjore dhe tatimore të filiales “Kodra e Diellit” – Tetovë për tre vitet e mëparshme (2016 – 2018) dhe hoteleve “Sllavia” dhe “Kodra e Diellit”. Kurse studimi i fizibilitetit është një studim fizibiliteti i koncesionit dhe partneritetit publik privat të filiales “Kodra e Diellit”-Tetovë. Në bazë të studimit të fizibilitetit do të merret vendimi edhe nëse Kodra e Diellit do të jepet me koncesion apo partneritet publik-privat.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button