fbpx

Kosovë, ja si e vlerësoi Misioni i BE-së ecurinë e zgjedhjeve parlamentare (VIDEO)

Vëzhguesit e Bashkimi Evropian (BE) të cilët kanë vëzhguar procesin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, nëpërmjet një konference për media kanë publikuar vlerësimin mbi këto zgjedhje, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE-ja në Kosovë, njëherësh anëtarja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se fushata ka qenë e gjatë, e konkurrueshme dhe e administruar mirë dhe transparente.

“Dita e zgjedhjeve ka shkuar në rregull dhe vëzhguesit e misionit të vëzhgimit të BE-së, kanë vlerësuar në mënyrë pozitive votimin, dhe pak më pak pozitive numërimin. Megjithatë keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës së financimit të fushatës ka rezultuar në një terren jo të barabartë në tërë Kosovën, ka pasur mungesë të konkurrencës në zonat me shumicë serbe dhe mjedisi zgjedhor është dëmtuar nga frikësimi i cili kishte shënjestër kandidatët që nuk ishin pjesë e Listës Serbe dhe mbështetësit e tyre”, tha Taubadel.

Në disa rekomandime të cilat i ka shtruar ky mision për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, rekomandohet që të krijohet pozita jopartiake e anëtarit të komisionit të vendvotimit për të ofruar mbështetjen e nevojshme për kryesuesin e vendvotimit.

Sipas vlerësimeve, numri i votave të pavlefshme edhe pse ka qenë me i ulët se zgjedhjet e paraprake, përsëri mbetet i lartë, rreth 4 për qind që ka të bëjë me edukimin e votuesve. Gjithashtu rekomandohet të përmirësohet dizajni i fletëvotimit.

Në raport Taubadel theksoi se si çështje problematike është shtruar edhe saktësia dhe kredibilteti i listës së votuesve, si problem edhe i zgjedhjeve të mëhershme.

“Është problem sepse Kosova ka më shumë votues të regjistruar se sa vlerësohet të jetë popullata e saj. Lista përfundimtare e votuesve ka përfshirë shumë persona të vdekur meqë nuk ka sistem efektiv për largimin e tyre sistematik nga lista”, tha ajo.

Taubadel, si vërejtje përmbyllëse të këtij procesi tha se “ka probleme të cilat duhet të adresohen në mënyrë urgjente, duke marrë parasysh përpjekjet që janë marrë nga komuniteti parlamentar ad-hoc në mënyrë që Kosova të jetë krejtësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”.

Zëvendës-shefi i këtij misioni, Marian Gabriel përmendi edhe faktin që votat e ardhura me postë nga Serbia, rreth 3700 vota, nuk janë trajtuar siç duhet. Gabriel tha se për këtë “jemi takuar me Prokurorinë dhe Policinë, duke bërë përpjekje të marrim informata rreth procesit të numërimit të votave me postë të ardhura nga Serbia, por nuk kemi marrë ndonjë konkluzion përfundimtar”.

Viola von Cramon-Taubadel ka takuar dje kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, e cila ka pranuar raportin përfundimtar të vlerësimit të zgjedhjeve nga Misioni Vëzhgues Zgjedhor i BE-së.

Ky mision, me rreth 100 vëzhgues nga BE ka ardhur në Kosovë me ftesë të presidentit të Kosovës me qëllim vëzhgimin dhe vlerësimin se sa përputhen zgjedhjet me ligjet e Kosovës si dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close