Grenell: S’ka afat për marrëveshjen, thotë se nuk ndërhyn për qeverinë VV-LDK

Mëngjesin e së enjtes, mandatari për formimin e qeverisë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në selinë e partisë së tij, priti ambasadorin Richard Grenell.

Megjithatë, pas takimit, njëherësh i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, tha se shteti i tij nuk dëshiron të përfshihet në bisedimet ndërmjet partisë së Kurtit dhe LDK-së, raporton KTV.

Por, megjithatë, Grenelli, mediave u tregoi se çka i tha Kurtit për përvojat e shteteve të tjera.

“I thashë z.Kurti se shtete si Mbretëria e Bashkuar e Gjermania, kanë pasur përplasje të çrregullta për koalicione, derisa janë munduar të formojnë qeverinë. I thashë që ne po shikojmë se çka do të ndodhë dhe i inkurajojmë që vetëm t’i ndjekin rrugët ligjore siç bëjnë të gjithë dhe ta dinë që edhe shtete të tjera kanë pasur përplasje të tilla”, ka thënë Grenelli.

Grenelli, pa pranuar ndonjë pyetje, ka vazhduar të flasë për mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe mundësinë që të sjellë komunitetin biznesor evropian dhe amerikan në Kosovë, për krijimin e vendeve të reja të punës.

Por, për arritjen e zhvillimit ekonomik, Grenelli tha se janë dy parakushte të cilat i përsëriti edhe pas takimit tjetër, ku u prit nga krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për çka jemi të interesuar është zhvillimi ekonomik dhe ndava pikëpamjen time për mbërritjen në pikën ku shumë shpejt hiqet taksa dhe serbët ndalin kampanjën e çnjohjeve. Mendoj se këta dy janë hapat e ardhshëm. Shkëmbyem disa ide ekonomike se si të lëvizim përpara dhe të krijojmë më shumë energji dhe ngazëllim rreth krijimit të vendeve të punës. Folëm për specifikat e projekteve të ardhshme dhe do të kemi njoftime së shpejti për progres të mëtejmë, kur bëhet fjalë për krijimin e vendeve të punës”, shtoi zyrtari amerikan.

Grenelli, para takimeve në Vetëvendosje e LDK, ka pasur edhe një deklarim për gazetarë, ku tha se nuk ka ndonjë afat kohor për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Më parë, i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, u paraqit si njeriu kryesor prapa inicimit të marrëveshjes për nisjen e fluturimeve Prishtinë-Beograd, derisa kryeqyteti serb është destinacioni i tij i radhës, pas 2 ditësh qëndrimi në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button