Skadoi edhe një afat për licencimin e gjashtëulëses në Kodrën e Diellit

Komisioni për Inspektim Teknik për marrjen e licencës për përdorim nuk ka dhënë dritën jeshile për inspektim në terren të gjashtëulëses në Kodrën e Diellit. Si pasojë, skadoi edhe një afati ligjor për lëshim në funksion të saj, shkruan Portalb.mk.

Tani më është çështje javësh se kur pritet të filloje sezoni në Kodrën e Diellit, leja për lëshim në funksion të teleferikut me gjashtëulëse vazhdon të zvarritet nëpër institucione. Sa për rikujtim, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka premtuar se se ky teleferik do të jetë funksional për sezonin dimëror 2019/2020.

Portalb.mk mëson se Komisioni për Inspektim Teknik për marrjen e licencës në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ka kërkuar nga kompania ELEM, dokumente shtesë në lidhje me teleferikun me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit.

Sipas afatit ligjor, Komisioni është dashur sot të urdhërojë hetim në terren, por ELEM nuk i ka dorëzuar gjitha dokumentet, andaj do të duhet, sipas Ligjit për ndërtimtari, edhe maksimum 15 ditë shtesë që kjo kompani të kompletojë dokumentacionin.

Nga ELEM e konfirmuan informatën, duke thënë se gjithçka shkon “mirë”.

“Janë kërkuar dokumente shtesë, procedura po shkon ashtu siç duhet” thanë nga ELEM për Portalb.mk.

Edhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë që çështja është ende në procedurë e sipër, dhe që shpresojnë që kjo të përfundoje në fund të këtij muaji.

“Dhënia e licencës për lëshim në përdorim të teleferikut me gjashtëulëse në Kodrën e Diellit është ende në procedurë e sipër, ne shpresojmë që e njëjta të përfundoje në fund të këtij muaji” thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Afati i fundit për dorëzimin e përgjigjes definitive nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është me datë 11 shkurt (e martë).

Ndryshe, që nga tetori 2019, kur edhe zyrtarisht ka përfunduar procedura e përsëritur për lëshim në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse, gjegjësisht shndërrimi i tokës bujqësore në industriale, dokumentet për vijimin e procedurës kanë fjetur në sirtarët e ELEM-it deri në fund të dhjetorit.  Pra, kërkesa për shndërrimin e tokës nga bujqësore në industriale ka përfunduar me datë 21.10.2019 dhe e njëjta është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Kodra e Diellit, 14,1,2020.
Kodra e Diellit, 14,1,2020.

Procedura ka nisur që në vitin 2014!

Kontrata e parë e nënshkruar për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014. Që atëherë është shndërruar toka bujqësore në tokë ndërtimore. Vendimi i Qeverisë për këtë është botuar në Gazetën Zyrtare numër 190/14 me datë 02.12.2014.
Por, për shkak të zhagitjes së procedurave nga institucionet, dhe disa faktorë të tjerë të panjohur, ndërtimet e teleferikut kanë filluar në qershor 2016. Megjithatë, menjëherë hasen pengesa tjera, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor shkaku i disa parregullsive, solli vendim për ndërprerjen e punimeve në korrik 2016. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2018 dhe lëshimi në funksion, as sot 13 janar 2020 nuk ka ndodhur.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button