RMV, banorët duhet t’i mësojnë përfitimet e deponive rajonale

Autoritetet duhet të bëjnë fushata të mira për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi përfitimet e deponive rajonale, thonë nga organizata qytetare “Eja Maqedoni” shkruan REL, transmeton Portalb.mk. Vendi nuk mund të krijojë sistem të menaxhimit me mbeturina sepse komunat po bllokojnë ndërtimin e deponive rajonale.

Që të zbatohen projektet për 8 deponitë rajonale të Maqedonisë së Veriut, me të cilat, sipas dokumenteve zyrtare duhet të krijohet një sistem i plotë i menaxhimit me mbeturina, duhet t’u jepen përfitime komunave ku janë planifikuar deponitë, por shteti së pari duhet t’u shpjegojë mirë banorëve lokal se për çfarë deponie bëhet fjalë, thotë Blaze Josifovski nga organizata qytetare “Eja Maqedoni”.

“Deponitë rajonale duhet të ekzistojnë, kjo është mënyra se si funksionon sistemi: me deponi komunale, pra qendra përkatëse në secilën komunë të lidhura me rajonin. Duke mos e bërë këtë, e njejta situatë do të ndodhë sërish. Duhet të ngritet ndërgjegjja te populli, takimet publike që mbaheshin për shpjegimin e deponive rajonale  ishin të organizuara në mënyrë jo adekuate”, thotë Josifovski.

Sipas Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, është planifikuar të ndërtohen tetë deponi rajonale në vend për t’u zgjidhur problemi me mbeturinat e mbledhura në deponitë komunale që nuk i plotësojnë standardet për mbrojtjen e mjedisit si dhe mbeturinat nga deponitë e shumta të paligjshme në qindra lokacione në Maqedoni.

Por, pushteti qendror ka vite që nuk ka arritur të ndërtojë asnjë deponi. Një nga arsyet pse ka ndodhur kjo është se disa nga komunat në territorin e të cilëve janë planifikuar deponitë rajonale nuk lejojnë ndërtimin e tyre. Shteti ka fonde të disponueshme për këto projekte përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian.

Shembull është komuna e Debarcës, ku është planifikuar ndërtimi i një deponie rajonale për rajonin Jugperëndimor, por banorët dhe autoritetet lokale nuk lejojnë që procesi të fillojë.

Kohë më parë, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski tha se deponia rajonale për rajonin Jug-Perëndim nuk do të ndërtohet as në Manastir. Kjo ndodhi pasi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor disa muaj më parë njoftoi se lokacioni i ri “mund të jetë” në afërsi të Manastirit.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor njoftoi ndërtimin e një deponie rajonale për nevojat e rajonit Lindor dhe Verilindor, por akoma nuk ka filluar.

Josifovski thotë se procesi është shumë i ngadaltë dhe i rënduar me procese administrative duke theksuar se në periudhë të ngjashme, vende si Kroacia dhe Sllovenia kanë ndërtuar sisteme rajonale, që janë në konkurrencë me Gjermaninë dhe Austrinë sipas rezultateve që japin.

“Fakti që ka mosmarrëveshje me vendasit mendoj se është gjithashtu rezultat i fushatës së pamjaftueshme për të shpjeguar se çfarë nënkuptojnë këto deponi dhe se çfarë përmirësimesh do të sjellin ata në mjedis. Unë gjithashtu mendoj se komunave ku do të ndërtohen këto deponi duhet t’ju ofrohet ndonjë përfitim. Për shembull në Kroaci, që është shembulli më i përafërt me ne, komuna ku është ndërtuar kjo deponi sjell përfitime të mëdha për banorët e vendit, për sa i përket punësimit, investimeve në bashkësinë lokale, në shkolla, spitale dhe kështu me radhë”  thotë Josifovski.

Ai shprehet se ndërtimi i deponive sipas standardeve, të cilat do të shihen edhe si resurs për t’u shfrytëzuar, është zgjidhja kryesore për problemin e mbeturinave të vendit.

Sipas statistikave zyrtare, rreth 700,000 ton mbeturina prodhohen në vend çdo vit. Sipas vlerësimeve të  organizatave civile, shumica e mbeturinave të krijuara përfundojnë në deponi të paligjshme, të egra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button