Rinia e Lëvizjes BESA ia kujtoi BDI-së premtimet e parealizuara në Kodrën e Diellit (VIDEO)

Kjo Qeveri dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) absolutisht e kanë lënë pas dore Kodrën e Diellit, akuzoi sot Forumi Rinor i Lëvizjes BESA. Sipas tyre, teleferiku me gjashtë ulëse do të lëshohet në prag të zgjedhjeve dhe do të keqpërdoret për vota nga Bashkimit Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

Sipas të rinjve të Lëvizjes BESA, kjo qendër turistike është lënë pas dore dhe keqpërdoret për pikë politika nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që sipas tyre deri tani nuk ka investuar asnjë denarë në Kodrën e Diellit edhe pse premtimet kanë qenë të shumta.

“Arsyeja që jemi sot në Kodrën e Diellit, është lënia pas dore e këtij vendi nga ana e BDI-së, nga e cila, deri ditën e sotme, nuk pamë investim konkret por vetëm premtime boshe.

E vetmja gjë e mirë që u nis të bëhet në këtë pikë turistike, është teleferiku me gjashtë ulëse, por edhe ky teleferik, si duket do lëshohet në prag të zgjedhjeve, sepse, BDI dhe kjo Qeveri, duan ta keqpërdorin dhe investim më të vogël, duke e parë si mundësi për manipulim për vota, sepse ditëve të fundit anë duke parë greminën që i pret me 12 prill. Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, dje në lajme dëgjuam Ministrin e Ekonomisë të kësaj qeverie duke u arsyetuar se ai gjoja se i paska bë punët, por faji qenka tek Ministri i Transportit apo mos ndoshta keni bë marrëveshje që deri para zgjedhjeve mos të lëshohet, që të mund të lavdëroheni në fushatë, edhe pse punët i vononi gati 6 vjet.

Për vite me radhë nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria kemi dëgjuar premtimet për një parking shumëkatësh në Kodrën e Diellit, për një infrastrukturë më të mirë, për një investim në lagjen e vilave por, përveç fjalëve boshe, asgjë më shumë nuk është bërë, madje as që reklamohet kjo pikë turistike në ueb faqet e Qeverisë, siç reklamohet Mavrova” deklaruan nga Forumi Rinor i Lëvizjes BESA.

Ndryshe, edhe pse jemi në prag të sezonit të skijimit në Kodrën e Diellit, teleferiku me gjashtë ulëse ende nuk është i gatshëm për përdorim dhe procedure për lëshimin e të njëjtit vazhdimisht po zvarritet. Edhe pse Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi para disa muajsh tha se ky teleferik do të jetë i gatshëm për sezonin 2019/2020, madje ai shtoi se për këtë “mund ta mbajmë për fjale”.

Që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button