Kusari-Lila: Kërkesa për largimin e Konjufcës nga kryekuvendari nuk i bën nder LDK-së

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kërkesa për largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit nuk i bën nder Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë të zhvilluar nga gazetari Besnik Tahiri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo ka shtuar se Glauk Konjufca është votuar me një shumicë gati absolute nga të dyja partitë fituese dhe kërkesa për zhbërjen e këtij procesi do të përçonte një mesazh joserioz tek qytetarët.

“Megjithatë është një moment kritik i reflektimit të dyja subjekteve që janë në tavolinën negociuese. Të mos synohet zhbërja e procesit siç është rasti me kryeparlamentarin i cili është votuar në masë nga të dyja partitë”.

“Duhet të shikohet me atë se çfarë është përpara në raport me ndarjen e dikastereve. Në fund të ditës qytetarët më së paku janë të brengosur për atë se kush-cilin dikaster do ta bartë. Por më së shumti janë të brengosur për funksionalizimin e mirëfilltë të gjitha institucioneve dhe kthimit të jetës në normale”.

“Edhe nëse sot LDK tërhiqet komplet dhe thotë le ta bëjë VV-ja me këdo koalicionin qeverisës, mendoj se do të sjellë një zhgënjim tek votuesit e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe vonesë në atë se çfarë kanë pritur të gjithë”.

“Përderisa edhe deputetet e LDK-së e kanë votuar Glauk Konjufcën për pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe tash kërkojnë zhbërjen e atij procesi, mendoj se kërkesa e tillë nuk i bën nder as LDK-së sepse tregon mungesë serioziteti, mungesë konsistence në vendimmarrje dhe tregon se votimet në Kuvend mund të zhbëhen sipas marrëveshjes”.

“Përderisa mandati i deputetit është garantuar në Kushtetutë dhe secili deputet është përgjegjës për votën e vet – dihet se me shumicë gati absolute kanë votuar deputetet e LDK-së dhe VV-se dhe tash të kërkohet të zhbëhet si proces, nuk është serioze dhe nuk prezanton në vete një siguri dhe stabilitet për bashkëqeverisje të mëtutjeshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button