Makiavelizmi dhe mendimi i lirë

Maurice Joly (1829-1878) është emri i publicistit francez, autorit të satirës politike Dialog në mes të Makiavelit dhe Monteskiesë në skëterrë, me të cilën sfidoi regjimin despotik të kohës së tij. Fjala është për dialogun e imagjinuar ndërmjet dy filozofëve të kohërave dhe pikëpamjeve të ndryshme – Makiavelit (1469-1527) dhe Monteskiesë (1689-1755).

Makiaveli është autori i veprës Sundimtari, të konsideruar prej shumëkujt si libër për pushtetarë dinakë, të pamoralshëm dhe të pabesë. Atij ia përshkruajnë thënien e famshme: Qëllimi përligj mjetin, që, në fakt, është e priftit jezuit Injacio de Lojola (1491-1556). Kjo ndodhi për shkak të bindjeve të Makiavelit, sipas të cilave: Shteti, pavarësisht sistemit, ka një qëllim të vetëm, ruajtjen e pushtetit pas vendosjes së tij. Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime për të thyer premtimin e tij! Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij! Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan! Njerëzit janë të lëkundshëm, hipokritë, dhe të babëzitur për fitime! Njerëzit janë shumë të thjeshtë dhe shumë të prirur për t’iu bindur nevojave të menjëhershme saqë një mashtruesi nuk do t’i mungojnë kurrë viktimat për mashtrimet e tij! …

Monteskie (1689-1755), ndërkaq, në veprën Mbi frymën e ligjeve, angazhohej për shtet ligjor, për ndarjen e pushtetit, për ndërprerjen e vendimeve arbitrare të despotëve të politikës. Ai studio, nëpërmjet krahasimeve, sistemet e ndryshme politike të botës, duke synuar formën e qeverisjes më të përshtatshme për njerëzit, po, meqë pikëpamjet e tij nuk ishin në unison, veçmas me pikëpamjet e Kishës, vepra e sipërpërmendur hyri në listën e librave të ndaluar…

Siç mund të kuptohet, nga të dhënat e mësipërme, sado modeste që janë, protagonistët e veprës Dialog në mes të Makiavelit dhe Monteskiesë në skëterrë, të cilët i ndante një hapësirë kohore prej dy shekujsh, nuk kanë asgjë të përbashkët, përpos përfshirjes, në forma të ndryshme, në jetën shoqërore e politike të vendeve të tyre dhe njohjes së rrethanave e fenomeneve të kohëve në të cilat jetuan.

Libri hapet me një paralajmërim të thjeshtë të autorit Maurice Joly, i cili, mes tjerash, thotë: Ky libër mishëron një sistem politik i cili asnjë ditë të vetme nuk ka ndryshuar në mënyrën e ushtrimit të vet, që nga dita e kobshme dhe tashmë, fatkeqësisht, tepër e largët, e ardhjes së tij në pushtet. Këtu gjithçka është paraqitur në trajtën e një sajimi… Sidoqoftë, duhet të lexohet ngadalë, ashtu siç bëjmë për shkrimet që nuk janë kopalla të kota.

Po shkëpus, pra, prej këtij libri tejet interesant, të përkthyer në shqip nga Sherafedin Mustafa dhe të botuar para një çerek shekulli nga shtëpia botuese BREZI 9, ca pjesë që kanë të bëjnë me përpjekjen e përhershme të qeverive despotike për disiplinimin e medieve, të cilin, si akt, e ka vështirësuar shumë komunikimi modern, hiq paçavrat e thashethemeve.

*

Makiaveli: Të nesërmen e shpalljes së kushtetutës sime, do të shpallë një sërë dekretesh me fuqi ligjore që përnjëherë do t’i heqin ato liri dhe të drejta që janë të rrezikshme në rast se zbatohen.

Monteskie: Shumë mirë është zgjedhur çasti. Vendi akoma gjendet nën terrorin e grushtshtetit tuaj. Falë kushtetutës suaj, askush asgjë nuk ju ka refuzuar, meqë ju mund të merrni gjithçka. Përsa u përket dekreteve tuaja, s’ka se çka t’ju lejohet, meqë ju nuk kërkoni asgjë, kurse merrni gjithçka.

Makiaveli: Jeni fort i ashpër në fjalë.

Monteskie: E kam të vështirë të besoj se populli nuk do të çohet në këmbë me rastin e atij grushtshteti të dytë, që mbahet në rezervë dhe në prapaskenë.

Makiaveli: Populli vullnetarisht do t’i mbyllë sytë. Ai tashmë është mërzitur nga trazirat dhe synon drejt pushimit.

Monteskie: Po, si do të mbroheni nga shtypi. Si do ta heshtni atë?

Makiaveli: Po të kisha pasur ndër mend t’i zhdukja gazetat, në mënyrë të pakujdesshme do ta ngacmoja ndjeshmërinë publike, të cilën është çdoherë rrezik ta provokosh botërisht. Unë do të shpall dekret që në të ardhmen asnjë gazetë mos të mund të themelohet pa autorizimin e qeverisë. Kështu, nuk e keni të vështirë të merrni me mend se të gjitha gazetat që do të jenë të autorizuara në të arrdhmen, në fakt nuk do të jenë gjë tjetër veçse organe të devotshme ndaj qeverisë.

Monteskie: Shyqyr Zotit, gazetat që diçka mendojnë, do të mund të shpëtojnë për publikun.

Makiaveli: Unë i sulmoj të gjitha gazetat e tanishme dhe të ardhshme me ndihmën e masave tatimore të cilat kan për t’ua vënë dryrin të gjitha ndërmarrjeve reklamuese, mu ashtu siç meritojnë.

Monteskia: Me habi mund të konstatoj se në sistemin tuaj nuk sulmohet gazetari, por sulmohet gazeta, me shkatërrimin e së cilës humbin edhe interesat që janë tubuar rreth saj…

Makiaveli: Kanë për t’u menduar dy herë para se ta shqetësojnë opinionin publik.

Monteskie: Poqese nuk mund të luftojnë kundër jush me anën e gazetave nga brenda atëherë kanë për të luftuar me anën e gazetave nga jashtë. Nga jashtë kufirit do të fusin gazeta dhe shkrime shqetësuese.

Makiaveli: Shtetasit e mi të cilët nga vendet e huaja kanë shkruar kundër qeverisë sime, me kthyerjen e tyre në vend, do të persekutohen dhe gjykohen.

Monteskie: Mirëpo për ato gjëra ka për të shkruar shtypi i vendeve fqinje.

Makiaveli: Unë supozoj se do të sundoj me një vend të madh. Vendet e vogla që do të gjenden në kufijtë e mi do të jenë tepër të frikësuara, më besoni. Unë do t’i detyroj të sjellin ligje të tilla që kanë për t’i persekutuar shtetasit e tyre, në rast se ata e sulmojnë qeverinë time nëpërmjet shtypit ose ndryshe.

Monteskie: Tani po shoh se kam pasur të drejtë që kam shkruar se kufijtë e një tirani duhet të shkatërrohen. Ju do ta shndërroni mbretërinë tuaj në një ujdhesë ku njerëzit nuk kanë për të ditur se çka po ndodh në Evropë, kurse kryeqytetin do ta shndërroni në një ujdhesë tjetër ku nuk do të dihet se çka po ndodh nëpër krahina.

Makiaveli: Nuk dëshiroj që mbretërinë time ta shqetësojnë zhurmat që vijnë nga jashtë.

Monteskie: Ç’ka ngelur tjetër?

Makiaveli: Pjesa e dytë e detyrës sime. E dini se ç’ka për të bërë qeveria ime? Do të shndërrohet në gazetar; një gazetari e mirëfilltë. Unë do të caktoj disa gazeta, të cilat do ta paraqesin atë që ju e quani opozitë. Poqese opozita do të ketë dhjetë gazeta, unë do të kem njëzet. Poqese ajo do të ketë njëzet, unë do të kem dyzet, poqese do të ketë dyzet, unë do të kem tetëdhjetë.

Monteskie: Në fakt, kjo është punë e thjeshtë.

Makiaveli: Jo edhe aq sa mendoni ju, sepse masat nuk duhet të dyshojnë në këtë taktikë. Opinioni publik vetvetiu do të largohej nga gazetat që botërisht do ta mbronin politikën time. Gazetat që do t’i jenë bisnike pushtetit tim kam për t’i ndarë në tre-katër kategori. Në radhë të parë do t’i vë gazetat që do të jenë të ngjyrosura me një zyrtarizëm të hapur. Mirëpo, ua tërheq vëmendjen se nuk do të jenë pikërisht ato gazeta që do të kenë edhe ndikimin më të madh mbi opinionin publik. Në radhë të dytë do të vë gazetat që do të kenë vetëm karakter zyrtar dhe që do të kenë për detyrë që rreth qeverisë sime t’i tubojnë ato masa njerëzish të vakët dhe indiferentë, të cilët pa çarë fare kokën pranojnë atë që është vendosur, mirëpo nuk shkojnë me larg në relilgjionin e tyre politik. Nga një gazetë kam për t’ia ndarë secilit opinion, secilës parti. Kështu, do të kem një organ aristokratik në partinë aristokratike, një organ republikan në partinë republikane, një organ revolucionar në partinë revolucionare, një organ anarkist në partinë anarkiste. Të gjithë do të jenë në partinë time, pa e ditur as vet.

Monteskie: Nga ju po me merren mendtë.

Makiaveli: Ruajeni kokën se akoma nuk keni ardhur deri në fund. Gjithë është punë organizimi. Për shembull, nën emrin e degës së botimeve dhe shtypit do të themeloj një qendër aksionesh të përbashkëta ku do të merren udhëzimet dhe nga ku do të jepen sinjalet. Kështu, ata që nuk do të jenë në dijeni të plotë të këtij kombinimi, do të shohin një spektakël të çdoditshëm; do të shohin gazeta, të cilat i janë besnike qeverisë sime, por të cilat do të brohorisin, të cilat do të çojnë rrëmujë të vërtetë kundër meje.

Monteskie: Kjo i tejkalon kufijtë e mi, dhe asgjë më nuk kuptoj.

Makiaveli: Keni parasysh se bazat dhe parimet e qeverisë sime asnjëherë nuk do të sulmohen nga gazetat për të cilat po ju flas; ato vetëm do të zhvillojnë një polemikë, edhe atë në kufij fare të kufizuar.

Monteskie: Po çfarë përparësie do të gjeni në atë?

Makiaveli: Pyetja juaj është mjaft e çiltër. Rezultati, me të vërtetë i rëndësishëm, do të jetë ai qe sa më shumë njerëz të thonë: A po shihni se jemi të lirë, se mund të flasim nën këtë regjim, të cilin në mënyrë të padrejtë e sulmojnë, i cili në vend që të shtypë, siç mund të veprojë, vuan dhe toleron. Do të ketë edhe gazeta që do t’ia lejojnë vetes liritë më të mëdha të gjuhës, mirëpo, asnjëherë nuk do t’i sulmojnë institucionet e pushtetit. Bile edhe armiqtë e qeverisë do të detyrohen t’ia shprehin respektin e tyre të duhur.

Monteskie: Të supozojmë se në kryeqytet prapseprapë do të ngelë një numër i konsiderueshëm gazetash të pavarura. Është e qartë se atyre do t’u jetë e pamundshme të flasin për politikë, mirëpo do të mud të zhvillojnë njëfarë lufte të parëndësishme ndaj jush.

Makiaveli: Çdo ditë gazetat e mia do të jenë të mbushura me fjalime zyrtare, me raporte që do t’u paraqiten ministrive ose sundimtarit. Unë jetoj në një epokë në të cilën besohet se do të mund të zgjidhen të gjitha problemet e shoqërisë; në të cilën zhvillohet luftë e pandërprerë për rritjen e mirëqenies së klasës pnëtore. Këto çështje paraqesin një argëtim të këndshëm për ata që janë të ngarkuar me politikën e brendshme. Është e nevojshme që qeveritë të lënë përshtypjen se janë vazhdimisht të zëna; ata që qeverisin të duken në veprimtari të pandërprerë, në një lloj ethesh, që vazhdimisht ta tërheqin shikimin me risi, me befasi, me skena teatrale. Jo vetëm që një numri të konsiderueshëm gazetash do t’ua ngarkoj misionin që pandërprerë të lartësojnë lavdinë e qeverisë sime, që të gjitha qeverive tjera, përveç times, t’ua hedhin përgjegjësinë për gabimet e politikës evropiane, por, do të dëshiroja që një pjesë e atyre lëvdatave të duken vetëm si jehonë e gazetave të huaja, nga të cilat do të ribotohen shkrime, të rrejshme ose të vërteta, që do t’i bëjnë nderim të shkëlqyeshëm vet politikës sime. Të shfrytëzohet shtypi në të gjitha format e tij, ky është ligji i pushteteve që sot dëshirojnë të ekzistojnë.

Monteskie: A mbaruat me këtë?

Makiaveli: Po, për fat të keq…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button