Shqipëria zyrtarisht e mori kryesimin e OSBE-së

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paraqiti përparësitë e Shqipërisë në kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) gjatë vitit 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Rama tha se duhet të mbajmë dialogun të hapur në një bashkësi shtetesh edhe kur të gjitha shanset janë kundër saj.

“Jam këtu duke marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe me shumë përulësi presim me padurim thjesht që të bëjmë më të mirën, duke mos pretenduar të bëjmë më shumë se sa më të mirën. Pres me padurim të dëgjoj zërin tuaj dhe tonë, si një dialog që do të zgjasë një vit të tërë dhe me shpresë do të na sjellë të gjithëve në një vend më të mirë se sa jemi sot”, tha Rama.

Sipas Ramës, viti i kaluar për OSBE-në ishte sfidues dhe ekipi sllovak e kryesoi në mënyrë të dalluar.

“45 vjet më parë, kur u themelua OSBE, Shqipëria ishte e vetme, vërtetë një Kore e Veriut e Europës, një shoqëri e izoluar në mënyrë kokëforte dhe e nxitur nga urrejtja kundër botës së lirë. Shqipëria ishte i vetmi shtet europian, që jo vetëm refuzoi të bëhej pjesë e OSBE-së, por edhe të denonconte krijimin e saj në momentin e vetëkrijimit si një shprehi e degjenerimit moral të vetë anëtarëve të saj. Asaj kohe unë kam qenë një pioner me shall të kuq në qafë, ndërkohë që sot ju drejtohem si kryetar i kësaj organizate të 57 vendeve dhe më shumë se 1 miliard banorësh nga Vankuveri në Vladivostok. Çfarë jete për brezin tim në një periudhë të pabesueshme transformimesh historike për botën”, u shpreh Rama.

Më tej gjatë fjalës së tij, Rama tha se: “OSBE-ja mund të mos jetë në gjendje që të zgjidhë të gjitha problemet, por pa OSBE-në, gjithçka që ne dëgjojmë do të ishin më shumë probleme për t’u zgjidhur. Ndjej sot përgjegjësinë e jashtëzakonshme si dhe mundësinë e madhe që të jap diçka mbrapsht për organizatën tonë, pasi OSBE-ja i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë në kaq shumë vjet. Ndërkohë që Europa shenjohet nga konfliktet dhe bota nuk është në formën e saj më të mirë puna jonë në një organizatë kaq unike dhe me përvojë si dhe vullneti i mirë i gjithë anëtarëve të saj është i nevojshëm edhe më shumë. Unë besoj se parimet bazë të Helsinkit, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbeten ende sot, siç ishin në të shkuarën, një recetë e thjeshtë dhe efektive”, tha Rama.

Duke folur për përparësitë e kryesimit të OSBE-së për vitin 2020, Rama theksoi se përparësia e kryesisë shqiptare të OSBE-së mbështetet në vendosmërinë tonë për ta nisur nga bazat dhe për t’i bërë ato sa më mirë.

“Së pari, të bëjmë dallimin në terren. OSBE-ja e ka dëshmuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjedise konflikti dhe paskonflikti shpesh aty ku dhe askush nuk mundet. Ne duhet të promovojmë punën e organizatës sonë aty ku është pranë njerëzve tanë”, tha Rama.

“Ndërkohë që kriza në Ukrainë e përreth saj mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Europë, kontributi unik i ofruar nga misioni i posaçëm monitorues për të reduktuar tensionet dhe për të nxitur paqen, stabilitetin dhe sigurinë është thelbësor. Ndërkohë që ka pasur sinjale inkurajuese që i përgëzojmë, rruga për paqen e qëndrueshme mbetet, siç të gjithë e dimë, e gjatë. Kryesia shqiptare do të bëjë rolin e saj për të inkurajuar respektimin e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh dhe procesin e formatit të Normandisë. Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të axhendës sonë ”, përfundoi Rama.

Kujtojmë se Shqipëria ka marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button