Në radhë eshtë TNT

Gjatë kësaj jave në Gjykatën penale Shkupi 1 zhvillohet beteja e radhës për t’i shtyer seancat e rastit “TNT” mundësisht deri në pafundësi, deri sa të arrijë parashkrimi absolut i lëndës. Në këtë rast Nikolla Gruevski në ikje, Mile Janakievski dhe disa të tjerë akuzohen për shkatërim të kundërligjshëm të objektit Kosmos. Ky rast është në fazën përfundimtare ndërsa tani, avokati i të akuzuarve me kërkesa të njëpasnjëshme kërkon që rasti të shtyhet. Kërkesa e fundit ka të bëjë me pozitën e njërës nga gjyqëtaret porote e cila sipas avokatit ka dhënë dorëheqje ndërsa gjykata e demanton një gjë të tillë. Është më se i qartë presioni që zhvillohet ndaj gjyqëtares në fjalë, duke ditur faktin që nëse ajo tërhiqet, gjykimi duhet të fillojë nga e para, dhe si që thashë më herët, mundësisht të zgjasë deri në parashkrim.

Prandaj gjykata duhet të ragojë shpejt dhe të mbrojë gjyqtarët e vetë nga presionet. Nuk mund të lejohet që rastet më të rënda të korrupsionit dhe të hakmarjeve meskine politike të kalojnë lehtazi pa u dënuar, të parashkruhen dhe të harrohen. Është e qartë si dita me diell që kjo është taktika që të gjithë të akuzuarit në rastet që dolën nga PSP e përdorin: shtyji sa të mundesh deri sa të gjitha të harrohen një ditë. Dhe në shumë prej tyre tani më paten sukses. Koha kalon, rastet vjetërohen, të akuzuarit arratisen, të tjerët lirohen, ndërsa përgjegjësia nuk vendoset. Secili rast është betejë në vehte, hap i rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë. E drejtësia dita ditës vonohet, parashkruhet e nuk realizohet.

Gjithmonë duhet mbajtur mend kjo taktikë që deri më tani është treguar shumë e suksesshme për këta të akuzuar. Pra avokatët e tyre nuk meren me atë se a mban akuza ose jo, a janë të fajshëm klientët e tyre ose jo, sepse ata e dinë mirë që provat kundër tyre janë të qëndrueshme, shumë më të qëndrushme se provat me të cilat po të njëjtit të akuzuar në kohën kur e kishin gjithë shtetin në dorë kanë vendosur në burgim të përjetshëm shumë persona të pafat. Avokatët e tyre i kontestojnë këto raste gjyqësore në aspekte krejtësisht formale. Jo kam nevojë për pushim, duhet shtyer seanca, jo gjyqëtarja porote i ka plotësuar kushtet për pension dhe si e tillë duhet të largohet dhe rasti të fillojë nga e para, jo e njëjta gjyqtare porote ka dhënë dorëheqje, pra rasti duhet gjithësesi të fillojë nga e para, dhe në fund, jo rasti është parashkruar, prandaj nuk mund të ndiqet. Askush nuk thot se krimi nuk është bërë, ai thjesht vetëm nuk mund të ndiqet, për arsye tërësisht formale.

Drejtësia nuk është krijuar që kriminelët të ikin nga burgu, por me qëllim që të vendosen pikërisht aty. Drejtësia nuk është krijuar që kriminelët të ikin nga përgjegjësia, por pikërisht me qëllim që ata të mbajnë përgjegjësi. Kjo që ndodh tek ne është shtrembërim i plotë i drejtësisë, përdhosje e esencës së saj, shfrytëzim i mjeteve juridike formale për të pamunësuar bartjen e përgjegjësisë. Dhe një gjë të tillë gjykata nuk duhet të lejojë. Duhet të bëjë çmos për të penguar këtë trend në të cilin rastet lehtësisht lëshohen nga dora dhe drejtësia sabotohet.

Përndryshe, kur jemi tek aspektet formale, po të ishin kaq legalistë dhe formalistë njerëzit pas Luftës së dytë botërore, Goering, Himler, dhe nacistë të tjerë asnjëherë nuk do të dënoheshin në Nyremberg. Sepse kur flasim formalisht, krimet për të ciliat ata janë dënuar janë definuar juridikisht po me Statutin e Gjykatës së Nyrembergut si krime kundër njerëzimit, pra në kohën kur ata i kanë kryer këto krime, ato formalisht nuk kanë ekzistuar. Të gjithë e dinë parimin kryesor të të drejtës penale që thotë se nuk ka krim dhe nuk ka dënim pa ligj dhe se askush nuk mund të dënohet për vepër të cilën kur ai e ka kryer nuk ka qenë e paraparë si vepër penale, e kjo do të thotë që ligji nuk mund të vlejë në mënyrë retroaktive. E megjithatë, në Nyremberg 12 veta janë dënuar me vdekje dhe shumë të tjerë me burgim të përjetshëm pikërisht për krime të tilla. Dhe nuk do të gjeni jurist të mirëfilltë që do të argumentonin se një gjë e tillë ka qenë e padrejtë. Thjeshtë, është e papranueshme që përgjegjësit e vdekjes së miliona viktimave të mund t’i ikin drejtësisë për shkaqe formale.

Edhe në rastin tonë, ajo që duhet të mbisundojë është drejtësia e mirëfilltë, ajo esenciale, dhe jo ajo formale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button