Trump paralajmëron Irakun për sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

Nëse qeveria irakiane detyron heqjen e forcave amerikane, Bagdadi do të përballet me “sanksione që nuk i kanë parë kurrë më parë”, tha presidenti amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump tha se dënimet ekonomike do të tejkalonin sanksionet që SHBA i kanë vendosur ndaj Iranit, duke shtuar: “Nëse ka ndonjë armiqësi, nëse ata bëjnë ndonjë gjë që ne mendojmë se është e papërshtatshme, ne do të vendosim sanksione ndaj Irakut, sanksione shumë të mëdha ndaj Irakut”.

Paralajmërimi vjen pasi parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë me të cilën i kërkon qeverisë të dëbojë trupat amerikane në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, ish-arkitekti kryesor i operacioneve rajonale të Teheranit.

Departamenti i Shtetit shprehu zhgënjimin e tij për votimin, duke i bërë thirrje Bagdadit të rishqyrtojë atë.

Trump përkufizoi kërcënimin e tij me sanksione të ashpra në drejtim të investimeve ushtarake amerikane në Irak, duke iu referuar veçanërisht një baze ajrore të cilën SHBA ka ndihmuar të zhvillohet.

“Ne kemi një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë që është atje. Kushtoi miliarda dollarë për ta ndërtuar. Ne nuk po largohemi nëse nuk na paguajnë për atë”, shtoi ai.

Presidenti amerikan nuk saktësoi se cilës bazë ajrore i referohej, por me gjasë bëhet fjalë për bazën ajrore Al Asad në provincën Anbar në qendër të Irakut. Objekti është përdorur bashkërisht nga forcat amerikane dhe irakiane.

Në një sulm ajror të kryer nga SHBA-të jashtë aeroportit të Bagdadit u vranë Soleimani dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Vrasja e tij shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-të në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamor që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për “një hakmarrje të hidhur” si reagim ndaj vrasjes.

Trump të shtunën tha se nëse Irani me ndonjë veprim hakmarrës godet caqet ose interesat amerikane “ne do të godasim 52 caqe iraniane (që përfaqësojnë 52 pengjet amerikane të marra nga Irani para shumë viteve), disa të nivelit shumë të lartë dhe të rëndësishme për Iranin dhe kulturën iraniane, dhe këto caqe dhe Irani vetë, do të goditen shumë shpejtë dhe shumë fuqishëm. SHBA nuk dëshiron më kërcënime!”.

Shqetësime janë ngritur që nëse SHBA godasin lokacionet kulturore iraniane, kjo do të ishte një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar. Por Trump ka qenë i vendosur, duke përsëritur kërcënimin.

“Atyre u lejohet të vrasin njerëzit tanë. Atyre u lejohet të torturojnë dhe sakatojnë njerëzit tanë. Atyre u lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të hedhin në erë njerëzit tanë. Dhe neve nuk na lejohet të prekim vendet e tyre kulturore? Nuk funksionon në atë mënyrë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button