Osmani: Gabim historik për vendin nëse s’ka marrëveshje LDK-VV

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se është gabim historik për vendin nëse nuk arrihet marrëveshja mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë mund të shpreh qëndrimin tim krejtësisht personal, meqënëse akoma nuk janë mbledhur organet e LDK-së dhe nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri pas zhvillimeve të fundit”.

“Mendoj që do të ishte gabim historik nëse nuk ka marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Do të ishte gabim historik për vendin tonë”.

Osmani ka deklaruar se ky është qëndrim i saj personal për të cilin edhe do të insistoj, ndonëse ka thënë se nuk e di se si do të jetë qëndrimi i LDK-së pas zhvillimeve të reja, njofton Klan Kosova.

“Si bartëse e listës së LDK-së dhe përfaqësuese e vullnetit të atyre votuesve, unë e kam për detyrë që ta çoj vullnetin qytetar deri në fund. Se çka do të mendojnë organet e LDK-së pas takimit të së hënës do ta shohim pasi nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj. Për një qëndrim të tillë, natyrisht se do të insistoj”.

Ajo po ashtu ka sqaruar se mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të LDK-së, të parapara për sot, janë shtyrë për të hënën për arsye se disa deputetë dhe anëtarë të kryesisë janë jashtë vendit.

Osmani ka thënë se në këto takime do të diskutohet për situatën e krijuar politike pas zhvillimeve që ndodhën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Natyrisht që pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe njëherë për të diskutuar për rrethanat e reja. Fillimisht këto takime kanë qenë të ftuara për të premten, mirëpo meqenëse një numër i deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë nuk janë në Kosovë dhe është e domosdoshme që të jenë të pranishëm një numër më I madh, takimet janë shtyrë për të hënën – pra, arsyet janë krejtësisht teknike”.

“Të hënën do të ulemi dhe do t’i diskutojmë këto rrethana të reja, do të shohim se cili është qëndrim i kryesisë, por mbi të gjitha cili është qëndrimi i deputetëve sepse ata e kanë marrë legjitimitetin qytetar dhe do të votojnë në fund lidhur me vendimet që vijnë në Kuvendin tashmë të konstituar.

“Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e të gjithëve, do të shohim se si do të procedojmë më tutje”.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se pas zhvillimeve të 26 dhjetorit nuk ka pasur takime mes liderëve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk janë takuar. Besoj që pas takimeve të së hënës dhe pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona në dritë të rrethanave të reja të pas 26 dhjetorit natyrisht se do të ketë takime të reja dhe do të shohim se si do të procedohet më tutje”.

Osmani ka deklaruar se nuk ka mirëkuptim ndaj askujt që krijon pengesa për arritjen e marrëveshjes LDK-VV, duke shtuar se ky është edhe vullneti qytetar.

“Me rëndësi është që kjo marrëveshje të arrihet dhe personalisht nuk kam aspak mirëkuptim ndaj kujtdo që krijon pengesa në këtë rrugë të cilën e ka ndërtuar vullneti qytetar. Kjo është më e shenjtë dhe më e rëndësishme se gjithçka tjetër”.

“Na takon të gjithëve që të kontribuojmë që të rindërtohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë shumë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit në mënyrë që t’i hapet rruga marrëveshjes. Shpresoj shumë që të gjithë do ta kenë këtë parasysh dhe do të kontribuojnë në ndërtimin e një rruge të tillë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button