Dekada e re

Pjesën më të madhe të dekadës së kaluar e kaluam duke u munduar të mbesim gjallë në një ambient që dale-ngadalë u bë i pa-jetueshëm. Vite me rradhë qëndruam heroikisht të izoluar dhe të zhgënjyer duke u përpëlitur në përditshmërinë e cila dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. Për një dekadë të tërë duke filluar nga 2006 e deri në 2016 Gruevski ishte zoti i jetëve tona, ndërsa realiteti politik i ngjasonte më tepër një shteti feudal me raporte pronar-bujkrob se se sa një vendi demokratik.
Ajo që shkencëtarët e quajnë demokraci joliberale kishte zhvilluar një shembull shkollor në vendin që atëherë quhej Maqedoni, një rast studimi i cili sot e kësaj dite prodhon burime për analiza shkencore. Një dekadë e tërë në izolim, një dekadë e tërë me raste politikisht të montuara, një dekadë e tërë me mediume dhe institucione të kapura, një dekadë e tërë robëri. Një dekadë e tërë krimesh për të cilat askush nuk mbajti përgjegjësi.

Dhe ja tani ku jemi në fillimin e një dekade të re. Dhe asgjë nuk ka mbaruar, ende gjithçka është kaq e brishte dhe kaq e thyeshme. Kjo për shkak se asnjëherë nuk u shkëputën të gjitha lidhjet me dekadën e kaluar. Fajtorët nuk bartën përgjegjësi: disa prej tyre ikën, të tjerët ecin të lirë si zogj. Institucionet shtetërore nuk arritën të vendosin drejtësinë dhe vitin e kaluar e përmbyllëm me një studim sipas të cilit gati askush në këtë shtet nuk ka besim tek gjyqësori.
Nga ana tjetër, opozita për asnjë moment nuk tregoi asnjë lloj reformimi të qëndrimeve të veta e aq më pak tentoi të shkëpuste lidhjet e fuqishme me kriminelët të cilët për vite me rradhë nuk robëruan vetëm atë parti, por gjithë shtetin. E megjithatë shkëputje nga ajo e kaluar nuk kishte.

Në kushte të tilla kur realiteti është zhgënjyes e alternativat janë të frikshme, është më se e qartë brishtësia e kësaj dosido lirie të cilën arritëm ta fitojmë me shumë mund.

Ky vit që filloi është i brishtë jo vetëm për shkak se ka 366 ditë, por për shkak se sërish duhet të përballemi me zgjedhjet dhe me atë konfliktin e vazhdueshëm mes progresit dhe regresit. Pikërisht nga ky vit varet edhe kahja që do të marrë dekada që sapo ka filluar. Sepse këtë vit sërish do të vendosim nëse do kthehemi atje ku ishim dekadën e kaluar apo do ecim drejt ndonjë perspektivë e cila vetëm disa vite më pare dukej tërësisht e paimagjinueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button