MBI ABSURDIN E DESPOTIZMIT (II)

Nga Kaligula e botimit të vitit 2016 (“Fan Noli”, Tiranë), një përkthim ky shumë i natyrshëm, pa sforcime, shënuam do sekuenca mbresëlënëse, të cilat sikur kanë të bëjnë me realitetin tonë. Zaten, shkrimtarët e mirë ngjarjen e vendosin në histori, flasin për kohën e vet, dhe mesazhin e kanë futurist. Pra kjo vepër sociologjikisht na del tredimensionale: ilustron shek. I e.s., shek. XX dhe atë XXI. Ai përshkruan krizën morale, krizën politike të kohës, e kërkon njeriun e mirë, ideal. “E vërtetë, na mungojnë vetëm njerëzit me karakter” (17). “…gjithçka rreth meje, është gënjeshtër, dhe unë, unë dua që të jetohet brenda të vërtetës” (23).

“Të qeverisësh, do të thotë të vjedhësh – të gjithë e dinë këtë. Nëse Thesari ka rëndësi, atëherë jeta njerëzore nuk ka… dhe të mos e llogarisin fare jetën e tyre përderisa vlerësojnë paranë për gjithçka.” (32). “Sa e vështirë, sa e hidhur është që të bëhesh njeri!’ (39) “Ndershmëria, respekti, gjykimet e të tjerëve, urtësia e kombeve, asgjë nuk ka asnjë kuptim.” (65)

Camus na tregon se pushteti i ri duhet sjellë ndryshime, të ketë qëllime sublime, të japë jetë, të shpëtojë jetë, të sjellë lumturi: “…përse më shërben ky pushtet kaq i habitshëm nëse nuk mund të ndryshojëë rendin e gjërave,… që vuajtja të pakësohet dhe njerëzit të mos vdesin më?” (40); “atëherë më në fund njerëzit nuk do të vdesin dhe ata do të jenë të lumtur.” (42) Ai tregon se idalet duhet t’i kapërcejnë afërsitë gjenetike e emocionale mes njerëzve, se interesat kolektive, e mira e përgjithshme duhet të jetë mbi atë individuale: “nëse jam me ju, nuk jam për ju.”

Njeriu duhet të ketë objektiv, qëllim, synim në jetë: “Nuk mund të jetohet pas asnjë arsye për të jetuar.” Nëse njerëzit nuk i mbështesin vlerat e virtytet, familja do të shembet, respekti për punën humbet, krejt vendi shthuret. Sipas Camus punëtori ka epërsi ndaj politikanit: “Lipset një ditë për të bërë një senator dhe dhjetë vjet për të bërë një punëtor.” (53-61) Pushtetarët shpeshherë qytetarët i shonin si të parëndësishëm. Kaligula i drejtohet Mereas me: “…kurse ti, o insekt, i kundrëvihesh planeve të mia” (78), kurse Skipionit të Ri i thotë: “Ti vjen nga një botë tjetër. Ti je i qashtër brenda të mirës, ashtu siç jam i qashtër brenda së keqes.” (89) Ai jep edhe arketipin e tiranit: “Ç’është një tiran? Një shpirt i verbër. Të mbysin në gjak pamjen tënde hyjnore” (104-7) Ai vret për qef: “Kur nuk vras njeri, ndihem i vetmuar” (159), kërkon poltronë, puthadorë: “Më pëlqejnë shërbëtorët e mirë.” (139)

Ndërkohë Camus e gjen edhe qenien guximtare që Kaligulës ia plas për fytyre të vërtetën: Cezonia: “Ditë pas dite, shoh si vdes pak nga pak njerëzorja te ti.” (162) Ai e tregon edhe egocentrizmin edhe ndërgjegjen që e tipit despotik: “Unë jam i vetmi artist që ka njohur Roma, i vetmi që përputh mendimin e vet me veprimet e tij.” (153)

Si përfundim mund të themi se Kaligula është një psikodramë që emanon mësime kuptimplota për jetën, për sfidat që shoqëritë i kanë me diktatorët që veten e shohin si të pazëvendësueshëm, si të pavdekshëm, madje si zot, që mundohen të ushtrojnë absolutizëm, me çka e shkatërrojnë edhe veten edhe shoqërinë. Në të, ndonëse shkruar nga nja absurdist, ka shumë porosi vlera dhe porosi etike. Kaligula është mësim për shumë liderë dhe pushtetarë të sodit që s’dinë si të tërhiqen nga skena politike, që veten vetëm se s’e kanë shpallur për “të dërguar nga Qielli”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button