Problemi me parkimin në Shkup është ekuacion me shumë të panjohura (INFOGRAFIK – VIDEO)

Gjelbërim i shkatërruar, automjete të parkuara në rrugë, përleshje dhe rrahje mes shoferëve dhe nervozë e përditshme gjatë kërkimit të ndonjë vendparkimi të lirë. Këto janë vetëm disa nga pasojat që qytetarët i ndjejnë për shkak të problemit me hapësirat e pamjaftueshme të parkimit në Shkup. Numri i makinave në qytet po rritet shumë më shpejtë sesa ndërtimi i objekteve të reja të parkimit, ndërsa transporti publik shënon rënie të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve të transportuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave, në fund të vitit 2018, në territorin e qytetit të Shkupit janë regjistruar 149.484 automjete pasagjerësh. Kjo shifër do të thotë se 18.844 makina janë më shumë në rrugët e Shkupit në krahasim me dhjetorin e vitit 2014, kur janë regjistruar 130.640 automjete.

Në të njëjtën periudhë, numri i pasagjerëve të transportuar në transportin publik të Shkupit është zvogëluar për madje 8 milionë. Sipas dokumenteve operative vjetore të NQP-Shkup, në vitin 2014 në transportin publik janë regjistruar 52.9 milion pasagjerë, ndërsa vitin e kaluar me autobusët e qytetit janë transportuar 44.7 milionë pasagjerë. Në kushte të tilla, pyetja kryesore është se ku do të parkohen të gjithë 150,000 veturat në kryeqytet.

Mungesa e vendeve për parkim

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov këtë pranverë deklaroi se qytetit i mungojnë rreth 8,000 vende për parkim për të zgjidhur problemin. Nga NP “Parkingu i qytetit” për “Meta.mk” e konfirmojnë këtë shifër, por theksojnë se ata vetë nuk kanë fonde të mjaftueshme për të investuar në objektet e reja për parkim.

“NP “Parkingu i qytetit” – Shkup me listën aktuale të çmimeve nuk siguron fonde të mjaftueshme për të investuar në objekte kapitale” – theksojnë nga kjo ndërmarrje publike.

Sipas Raportit vjetor për punën e NP “Parkingu i qytetit” për vitin 2018, numri i lejeve të parkimit falas që janë lëshuar për banorët ka qenë më i lartë se numri i përgjithshëm i vendparkimeve që ky shërbim publik i ka në dispozicion. Në fund të vitit të kaluar, ata kanë lëshuar 8.852 leje falas, ndërsa në dispozicion kanë pas 8.324 vendparkime. NP “Parkingu i qytetit” aktualisht menaxhon 9.245 vendparkime, por lëshon më tepër leje parkimi falas për shkak të përfshirjes të pjesëve të komunës Aerodrom në parkimin zonal.

Me problem identik përballen edhe nga NP “Parkingu i komunës Qendër” (PKQ), që ka 5.173 vendparkime të shënuara në zonën qendrore të qytetit. Përkatësisht, numri i marrëveshjeve aktive të përdoruesve për kartat e parkimit preferencial për banorët e komunës së Qendrës për automjetin e parë është 9.203, përkatësisht ata konstatojnë mungesë të 4.030 vendparkime.

Vendparkimet ekzistuese janë përplot dhe nuk i plotësojnë gjithmonë nevojat e qytetarëve. Foto: Bojan Blazhevski

Nga PKQ për “Meta.mk” thonë se vitin e ardhshëm ata do të ndërtojnë parkim që montohet me 287 vendparkime prapa barakave të komunale në Debar Maalo, ndërsa me riparimin  e rrugës Orce Nikollov do të fitohen 80 vendparkime tjera. Sidoqoftë, nga kompania pohojnë se tejkalimi i problemit me parkimin nuk mund të bazohet në ndërtimin e objekteve të reja të parkimit, por në përmirësimin e transportit publik në qytet dhe përdorimin e biçikletave dhe trotineteve elektrike nga qytetarët.

Është e papranueshme që qytetarët të paguajnë për parkim para shtëpisë së tyre!

Me këtë konstatime është dakord edhe profesoresha e urbanistikës, Divna Pençiq nga Fakulteti i Arkitekturës në UKM. Ajo thekson se qytetarët duhet të ndryshojnë shprehitë e tyre të lëvizjes nëpër Shkup, por para kësaj, institucionet duhet të hartojnë një strategji afatgjatë për këtë çështje. Autoritetet e qytetit duhet të ekzaminojnë zakonet e qytetarëve dhe nevojat e tyre të përditshme për lëvizje nëpër qytet ndërsa paralelisht të blihen mjeteve të reja për transport publik. Prioritetet duhet të përcaktohen për çdo pesë vjet të punës së administratës së qytetit.

Profesoresha Pençiq thekson se ekziston një rregullore me rregulla të qarta për të siguruar numër minimal të vendparkimeve për qëllime të caktuara, me ç’rast PDU-të duhet të definojnë se ku dhe si do të sigurohen vendparkimeve.

“Shpesh ndodh që planet urbanistike të planifikojnë zhvillim pa e ekzaminuar mundësinë reale të sigurimit të vendparkimeve, kështu që problemi zhvendoset tek ata që duhet të lëshojnë leje ndërtimi. Dhe pikërisht aty ekziston edhe presioni më i madh për mos përmbushjen e kushtit të dhënë për sigurimin e parkimit dhe projektet shpesh edhe fiksohen” – thotë Pençiq.

Përveç ndërtimeve plotësuese të ndërtesave pa siguruar hapësira shtesë për parkim, profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës e thekson problemin me shitjen e vendparkimeve në ndërtesat e ndërtuara rishtas, të cilat u ofrohen banorëve me çmime të larta, pavarësisht banesën që e blejnë.

“Sidoqoftë, supozohet se ato (parkingjet v.j.) tashmë kanë hyrë në koston e apartamenteve duke vendosur çmimin për metër katror individualisht. “Me siguri ndërtuesi nuk i ka ndërtuar ato me paratë e tij dhe me shpenzimet e tij” – thotë ajo.

Përveç problemit të mungesës së vendparkimeve në parkingjet publike dhe keqpërdorimet që bëhen me parkingjet e detyrueshme gjatë ndërtimit të objekteve të reja, problem i madh në Shkup është mungesa e zgjidhjeve inovative që pak do të mund të zbusin mungesën e vendeve të lira për parkim. 

Park & ​​Ride jashtë funksionit

Projekti Park & ​​Ride (Parko & Vozit) tashmë nëntë vite po pret të realizohet nga Qyteti i Shkupit. Kjo ide ka qenë e përfshirë në Planin për transport të qëndrueshëm në qytet qysh në vitin 2011, por deri më tani nuk është ndërtuar asnjë parking në periferi të Shkupit që do të mund të pranojë automjetet e vizitorëve në kryeqytet. Këto parkingje në pikat hyrëse të qytetit kanë për qëllim të bëhen terminale transporti, prej nga do të nisen linja të autobusëve dhe do të ketë edhe biçikleta me qira deri në destinacione të ndryshme në Shkup. Çdo qytetar që do të parkojë makinën në këtë lloj parkimi do ketë transport publik të siguruar deri në qytet.

Nga Sektori për trafikut të Qytetit të Shkupit për “Meta.mk” pohojnë se për momentin nuk kanë informacion dhe udhëzime për realizimin e projektit “Parko dhe vozit”.

“Lokacionet për realizimin e këtij projekti duhet të parashikohen në planet e detajuara urbanistike që i miratojnë komunat në Qytetin e Shkupit” – theksojnë autoritetet e qytetit.

Për më shumë informata lidhur me investimet në objekte të reja për parkimit, nga Qyteti i Shkupit na dërguan për përgjigje te NP “Parkingu i qytetit”, praj nga tashmë kemi marrë informacione se ata nuk kanë fonde të mjaftueshme për të investuar në parkingje të reja të parafabrikuara.

Autoritetet e qytetit thonë se deri më tani nuk është bërë asnjë analizë e hollësishme se sa vendparkime vërtetë mungojnë në Shkup. Numri në rritje i makinave, thonë nga Qyteti i Shkupit, mund të çojë në rritje të problemit me parkimin, por ato nuk kanë shifra konkrete për këtë çështje.

Masa për zgjidhje të problemit

Ndërsa autoritetet kanë shumë ekuacione të panjohura në zgjidhjen e problemit të parkimit në Shkup, qytetarët, përmes iniciativave të tyre, po reagojnë për të tejkaluar problemin e mungesës së vendparkimeve. Davor Davidoviq e ka zhvilluar aplikacionin mobilë “Parko”, që synon të automatizojë dhe digjitalizojë pagesën e parkimit zonal në Shkup dhe t’u mundësojë shoferëve që thjesht të gjejnë vendparkim të lirë.

“Parko” në periudhën e ardhshme do të publikojë statistika për frekuencën e zonave të parkimit në Shkup. Davidoviq thekson se mungesën më të madhe të parkimit zonal aktualisht e ka Karposhi. Ai shtoi se kaosi me parkim në qytet krijohet për shkak të shpërndarjes së ngatërruar të zonave të parkimit dhe mungesës së sipërfaqeve të mjaftueshme për vendparkime.

Problemi më i madh, thotë ai, është fakti që potenciali i shumë të dhënave ditore që krijohen nga parkimi zonal është i papërdorur, gjë që mund të çojë në vendime më të informuara nga autoritetet e Shkupit për rregulloret e parkimit.

Përdorimi më i mirë i të dhënave që gjenerohen nga pagesa ditore për parkim është vetëm një nga masat që mund të përdoret. Vetë ndërmarrjet publike ofrojnë ide që mund të zgjidhin problemin e parkimit në Shkup. Nga NP “Parkingu i qytetit” thonë se autoritetet e qytetit do të duhet të marrin masa për të rritur çmimet e parkimit në të ardhmen, gjë që do të dekurajonte qytetarët të përdorin automjetet.

– NP “Parkingu i qytetit” – Shkupi në të ardhmen e afërt do të paraqesë një propozim deri te Këshilli i Qytetit të Shkupit për të rritur çmimet e shërbimeve për 50%, në zona të caktuara – informojnë nga kjo kompani.

NP “PKQ” tashmë është në proces të marrjes së një depoje për automjetet e shkatërruara. Sipas vlerësimeve të tyre, vetëm në komunën Qendër ka rreth 220 automjete të shkatërruara që zënë vende parkimi. Te parkingu rreth Shtëpisë së ndërtuesve çmimi i parkimit është rritur në 250 denarë në orë për jo rezidentët, për të zgjidhur problemin e mungesës së hapësirës së mjaftueshme për banorët e ndërtesave përreth. Masë e ngjashme nuk është e përjashtuar në të ardhmen edhe në lokacione tjera.

Garazhet në lkate nga “Shkupi 2014” – investim i dështuar

Sipas bazës së të dhënave “Shkupi 2014 nën llupë“, garnitura e mëparshme qeveritare për ndërtimin e vetëm gjashtë garazhe shumëkatëshe në kryeqytet ka harxhuar një shumë marramendëse prej 56.898.845 euro, ose një mesatare prej 9 milion euro për ndërtimin e një objekti të tillë për parkim. Ekspertët theksojnë se me këto para ka mund plotësisht të zgjidhet problemi me parkimin në Shkup nëse investimet do të ishin bërë në parkingje të parafabrikuara gjithandej nëpër qytet. Këto objekte për parkimi kushtojnë disa herë më pak, mund të ndërtohen në vende ku ka mungesë kronike të hapësirave për parkim dhe mund të demontohen thjesht në të ardhmen.

Parkingje të parafabrikuara (të montuara) është zgjidhja më e lirë për problemin me parkimin në vendet kritike. Foto: Bojan Blazhevski
Parkingje të parafabrikuara (të montuara) është zgjidhja më e lirë për problemin me parkimin në vendet kritike. Foto: Bojan Blazhevski

Profesoresha Pençiq thekson se aktualisht nuk ka qasje deri te të dhëna përkatëse për numrin e përgjithshëm të vendparkimeve në Shkup.  Megjithatë, ajo thotë se mënyra kryesore për të adresuar këtë problem është të zhvillohen plane të detajuara urbanistike dhe përgatitje më e rreptë e tyre në të ardhmen.

“Masa e vetme që mund të parashikohet PUD-at e ri e që mor të përkeqësohet më tej, të paktën në mënyrë të planifikuar, problemi i parkimit, është të parashikohet kërkesë që patjetër t[ përmbushen nevojat për parkim në ndërtesat e reja brenda ngastrës së tyre” – thekson profesoresha Pençiq.

Të dhënat e tanishme për vendin tonë tregojnë se niveli i motorizimit të qytetarëve të Maqedonisë aktualisht është shumë nën mesataren e BE-së. Nëse në vitin 2017, në shtetet anëtare të BE-së kishte 500 makina pasagjerësh për 1.000 banorë, në Maqedoni ky numër ishte 195 vetura për 1.000 banorë. Numrat ndër vite dhe përvojat nga vendet fqinje tregojnë se, në periudhën e ardhshme, numri i makinave në Shkup do të vazhdojë të rritet.

Së këndejmi, qasja jo serioze e autoriteteve, investitorëve dhe qytetarëve ndaj problemit të parkimit mund ta bëjë jetesën në Shkup edhe më e paqëndrueshme në vitet në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button