Tetovë: Është rritur numri i lexuesve, lexuesit më të mirë të vitit 2019 morën çmime (infografik)

Libra, mirënjohje dhe kuponë me të cilat do të kenë qasje falas në Bibliotekën e Tetovës u ndanë të hënën për 21 lexuesit më të mirë të këtij qyteti për vitin 2019. Statistikat thonë se numri i lexuesve në Tetovë është vazhdimisht në rritje. Njëra nga lexueset e zgjedhura si më e mirë, bën thirrje te të rinjtë të lexojnë sepse sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të ndjehesh i pavarur si person, shkruan Portalb.mk.

Bibliotekën e Tetovës “Koço Racin” janë ndarë çmime për 21 lexuesit më të mirë të vitit 2019. Fituesit ishin të ndarë në disa kategori me qëllim që asnjëra moshë dhe kategori e veçantë të mos ngelë pa çmim.

Drejtoresha e Bibliotekës Njomza Imeri shpreson që ky organizim të jetë një motivim për këta fitues që të vazhdojnë të lexojnë, sepse sipas saj leximi është diçka që të përmbush si person pa marrë parasysh moshën apo ndonjë bazë tjetër.

“Është projekt tradicional i cili realizohet disa vite me radhë, esenca është të bëhet përzgjedhja e lexuese më të mirë gjatë vitit 2019 të disa kategorive të lexuesve. Shpresoj që ky organizim të jetë një motivim, sidomos për lexuesit e rinj që ata të vazhdojnë të jenë lexues aktiv të bibliotekës, përveç dhuratave që i kemi ndarë për ata, ju kemi siguruar edhe regjistrimin pa pagesë gjatë vitit të ardhshëm në bibliotekë” theksoi drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës, Njomza Imeri.

Ndarja e çmimeve për lexuesit më të mirë të vitit 2019.
Ndarja e çmimeve për lexuesit më të mirë të vitit 2019.

Një ndër fitueset e çmimit “Lexuesja më e mirë për vitin 2019” tha se ky është një ndër çmimet për të cilat ndjehet shumë krenare, ajo bën thirrje deri te të gjithë të rinjtë që të lexojnë sa më shumë për arsye se sipas saj, leximi ndihmon shumë në çdo fazë të jetës.

“Është një çmim shumë i rëndësishëm për mua, mund të them se është i preferuari për arsye se ka të bëje me pasurinë më të çmuar në botë, librin. Është e rëndësishme të ceket se leximi të ndihmon jashtëzakonisht shumë në jetë, mua personalisht gjithmonë më ka bë të ndjehem e diferencuar nga të tjerët. Unë mendoj se kush dëshiron të jetë i pavarur, si për veten ashtu edhe për shoqërinë, duhet vetëm të lexoj” tha Emine Dervishi.

Sa lexojnë të rinjtë?

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka krijuar perceptimin se mënyra tradicionale e leximit të librave është në rënie, marrë parasysh këtë Portalb.mk siguroi disa të dhëna nga Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” në lidhje me numrin e lexuesve gjatë tetë viteve të kaluara, dhe të dhënat janë si vijon:

Për drejtoreshën Imeri, këto numra janë të kënaqshëm, për arsye se sipas ulja e interesit për të lexuar nga ana e të rinjve është global dhe jo vetëm te ne. Për Portalb.mk ajo tha se numri i lexuesve reflekton në të ardhmen që ai popull do ta ketë.

“Nga jashtë mendohet se ka rënë numri i lejueshmërisë, ky është problem global dhe jo vetëm te ne mirëpo statistikat flasin ndryshe, gjatë viteve të fundit ne kemi rritje të numrit të lexuesve. Kjo është një gjë e mirë si për ne, ashtu edhe për gjithë popullin për arsye se lexuesit e rregullt duhet patjetër që në të ardhmen të jenë liderë, sepse në qoftë se ne në të ardhmen do të kemi lider që lexon mendoj se do ta kemi një të ardhme më të mirë” tha Njomza Imeri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button