Tradita e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të Skënderbeut

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut i kremtuar gjatë vitit 2018, veç tjerash, ishte edhe një nxitje për studiuesit që përmes studimeve, artikujve e botimeve të shumta të sjellin prurje të reja për jetën dhe veprimtarinë e Kastriotit.

Këtij qëllimi i ka kontribuar veçanërisht studiuesi i mirënjohur i historisë mesjetare shqiptare, prof. dr. Pëllumb Xhufi, me studimin e tij të fundit me titull: “Skënderbeu: ideja dhe ndërtimi i shtetit”, botuar në Tiranë në vitin 2019 nga shtëpia botuese “Dituria”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky studim, siç e thekson edhe vetë autori, është një histori e përpjekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu për të krijuar, aty nga fundi i mesjetës, një shtet të bashkuar shqiptar.

Këtë qëllim dhe mision të Skënderbeut, autori e sheh dhe e lidh më një traditë dhe vazhdimësi të përpjekjeve të ngjashme që kishin bërë para tij feudalë e princër të Arbërit që gjatë shekujve XII-XIII, duke e lidhur me traditën e Shtetit të Arbrit.

Arbëri përfaqësonte një njësi të dalluar të vendeve arbërore, në të cilën, për shkak të pozitës së veçantë gjeostrategjike, u zhvilluan më së pari proceset autonomiste “izopolitisë” shtetformuese. Si model të shtetndërtimit, ai e veçon edhe rastin e familjes fisnike arbërore të Balshajve, e cila për herë të parë arriti që në vitin 1370 të bashkojë në një formacion shtetëror pjesë të gjëra të Veriut dhe Jugut arbëror (Zetën, një pjesë të Kosovës, Durrësin, Vlorën e të tjera).

Organizimi shtetëror tek arbërorët pasqyronte, pra, mënyrën e organizmit të familjes së madhe patriarkale arbërore. Këtë veçori të organizimit shtetëror te arbërorët e vuri re, për sa u përket Balshajve, G. Gelçiq, i cili shprehu i pari mendimin se fakti që të gjithë vëllezërit merrnin pjesë në drejtimin e vendit nën sovranitetin drejtues të vëllait të madh, mund t’i detyrohet një praktike të vjetër zakonore kombëtare.

Në rastin e Balshajve, kjo mënyrë organizimi tipike e familjes dhe e shtetit tek ata, që është e njëjta me atë të princërve të tjerë bashkëkohës arbërorë, përbën një provë më shumë të origjinës së tyre arbërore. Një formë e tillë “feudalizmi familjar”, sipas autorit, përbënte padyshim një faktor kohezioni e solidariteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button