Zvicra – vullkan dhe potencial i diasporës shqiptare

Tek shqiptarët shekuj me radhë ka qenë traditë që të respektohen dhe të kremtohen së bashku dhe në mënyrë dinjitoze festat e dasmat, festat fetare dhe kombëtare. Po ashtu kanë qenë edhe kremtimet e nderimet e morteve, humbja e të afërmve nga luftrat e tragjeditë natyrore. Si pjesë e solidaritetit, ngushllimeve dhe ndihmave humanitare këto ishin virtyte dhe tipare devotshmërie, të cilat u shfaqën me ndodhjen e katastrofës natyrore, me tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri, ku shumë familje humbën të afërmit e vet dhe pësuan dëme materiale.

Para shume dekadave në fshatin Veshallë të malësisë së Sharrit të komunës së Tetovës ndodhi një ngjarje e veçantë ku dasma u pleks me mort. Krushqit po shkonin për të marrë nusen, kur papritmas u njoftuan se nusja kishte vdekur. Krushqit e sollën nusen e vdekur në shtëpinë e dhëndërit, i cili shpalli mortin, por i urdhëroi dasmorët që  bashkë me daullet e curlet ta përcillnin nusen fatkeqe për t’u prehur përgjithmonë në varrezat e fshatit.

XXX

Me 7 dhjetor shqiptarët e diasporës në Zvicër kishin planifikuar që të mblidhen në një qytet të quajtur Wil për të kremtuar festën kombëtare të Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Pas ndodhjes së tërmetit të tmerrshëm dhe pasojave të tij tragjike në Shqipëri, organizatorët dhe aktivistët e tubimit ishin në dilemë të mbahej apo të mos mbahej manifestimi. Njëri nga organizatorët tha: “Dasma ka nisur. Shqiptarët kanë kremtuar edhe dasmat, edhe festat, edhe mortet.” U vendos që të mbahej manifestimi, i cili kishte më shumë karakter humanitar. Një pjesë e kontributeve që do të mblidheshin do t’u ndaheshin familjeve të dëmtuara nga tërmeti, familjarëve që kishin humbur të afërmit e tyre.

Manifestimi i Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar

Me hapjen e manifestimit në sallë u këndua himni kombëtar nga të gjithë pjesëmarrësit dhe u mbajt një minutë heshtje pëtr viktimat që kanë humbur jetën në katastrofën natyrore në Shqipëri. Në sallë ishin tubuar së bashku tre breza emigrantësh shqiptarë. Brezi i parë përbëhej nga ata që kishin ardhur në Zvicër para një gjysëm shekulli. Brezi i dytë ishin ata që kishin ardhur në fëmijëri ose kishin lindur këtu. Kurse brezi i tretë përbëhej nga ata të rinj që kishin lindur të gjithë në Zvicër.

Brezi i parë dukej i mplakur. Fillimisht ata kishin ardhur me mendimin për të qëndruar përkohësisht për të punuar, duke shpresuar se pasi të fitonin para të mjaftueshme për të ndërtuar një shtëpi do të ktheheshin në vendlindje. Unë bëj pjesë në këtë brez, i cili dalëngadalë është duke shteruar. Çdo ditë jemi duke humbur nga një mik, nga një shok dhe të afërmit e tyre. Më në fund,  ky brez i parë është duke u kthyer në vendlindje në arkivole, duke lënë mbrapa bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e tyre, për t’u pehur përgjithmonë në varret pranë gjyshërve dhe prindërve të tyre.

Brezi i dytë dhe i tretë i këtyre emigrantëve shqiptarë kanë lëshuar rrënjë dhe degë dhe kanë ngritur pemën familjare në Zvicër. Këta do të jenë të shkëputur përgjithmonë nga origjina, nga gjaku, nga fisi dhe toka e të parëve. Kur t’i pyesin këta nipa, mbesa e stërnipa të gjakut arbëror se nga e kanë prejardhjen, ata do të përgjigjen se paraardhësit e tyre, gjyshërit e stërgjyshërit e tyre kanë ardhur nga Ballkani, Kosova, Maqedonia…. Këta do të jenë nënshtetas, qytetarë të shtetit të begatshëm dhe me tradita demokratike të Zvicrës.

Ne që jemi brezi i parë dhe kthehemi në vendlindje pa pasardhësit, pa bijtë e bijat, pa nipërit e mbesat, a jemi fajtorë për këtë gjë dhe a mund të jetë kjo një fatkeqësi? Këtë do ta tregojë historia në të ardhmen.

Gjenerata e dytë dhe e tretë e shqiptarëve të Zvicrës do të jenë në të ardhmen një potencial me vlerë në të gjitha sferat – në ekonomi, biznes, kulturë, sport e shumë të tjera. Sot shqiptarët me bizneset e tyre përbëjnë 1% bruto të ekonomisë zvicerane. Shumica e brezit të dytë të shqiptarëve që kanë ardhur në fëmijëri ose që kanë lindur këtu në Zvicër tashme janë integruar, kanë kryer shkolla të larta dhe posaçërisht shkolla profesionale. Zvicra zë vendin e parë në botë për shkollat më të mira profesionale. Po të kishte stabilitet, perspektivë dhe kushte të përshtatshme për kthimin dhe thithjen e këtyre kuadrove në dy shtetet shqiptare dhe në Maqedoninë e Veriut, këto kuadro të kualifikuara do ta rimëkëmbnin ekonominë me veprimtarinë e tyre, do të hapnin biznese dhe vende pune. Një vend për t’u marrë shembull në këtë drejtim është Turqia, ku kthimi, thithja e shumë kuadrove të brezit II dhe III nga Perëndimi dhe punësimi i tyre në kompani të ndryshme turke, përfshirë degën e turizmit, ka sjellur shumë zhvillim.

Fisnikërimi i shpirtrave

Romanshorn, Sirnach dhe Kreuzlingen. Posaçërisht në manifestimin e festave të 28 Nëntorit merrte pjesë grupi i valltarëve që përbëhej nga burra të brezit të parë nga fshati Veshallë i komunës së Tetovës, të cilët banonin dhe punonin në kantonin St. Gallen të qytetit të Wil-it. Organizatorët kishin sjellur ustallarët me daullet e surlet nga vendlindja. Vallet e vjetra burrërore tradicionale të malësisë së Sharrit janë pjesë e trashëgimisë folklorike që dikur valltarët nga malësia e Sharrit të veshur me kostume tradicionale i kërcenin nëpër dasma.

Pas përfundimit të programit të pasur me këngë e valle, valltarët nga fshati Veshallë të veshur me kostume të bukura tradicionale dolën në skenë me krahët e hapur si shqiponja nën ritmin e daulleve dhe melosin melankolik të curleve dhe rrezatuan art të përsosur dhe emocionues. Në fund valltarëve iu bashkangjitën edhe shumë djem e vajza nga salla. Publiku i ngazëllyer dhe i entuziazmuar i përcolli valltarët me duartrokitje dhe brohoritje.

Manifestime të tilla i bashkojnë të gjithë bashkatdhetarët, ua fisnikërojnë shpirtrat, u japin kënaqësi, humor e çlodhje nga stresi e jeta dinamike.

Në përfundim, dua të falendëroj dhe të shpreh mirënjohje për kontributin e të gjithë organizatorëve dhe pjesmarrësve në këtë aktivitet. Në mënyrë të veçantë meritojnë vlerësimin dhe respektin më të lartë Idriz Osmani dhe këngëtari e kitaristi Bexhat Sallali që kishin punuar me muaj të tërë dhe ishin ndër inspiruesit dhe protagonistët kryesorë të këtij manifestimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button