Kryeministria nuk jep asnjë shpjegim për ndarjen e milionave një ditë më parë

Për t’i çuar në banjë rreth 300 veteranë e për nevoja të tjera të shoqatave të dala nga lufta, qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 390 mijë euro.

Në vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, i janë ndarë 168.000 euro.

Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së 141.000 euro, ndërsa Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, 81.000 euro, raporton KTV.

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kryetar i së cilës është Xhavit Jashari, nuk ka pranuar të flasë për këto para dhe qëllimin për çka do të shpenzohen.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati, ka thënë se këto mjete do të shfrytëzohen edhe për nevoja të tjera, duke përmendur edhe vendosjen e pllakave përkujtimore, shpenzime të terrenit dhe kurora.

Por, Organizata e Veteranëve ka ngelur e pakënaqur, ngase kishte kërkuar edhe 9 mijë euro për blerje të një veture, por që kjo kërkesë i ishte refuzuar.

Ndërkaq, më 2018, qeveria e udhëhequr nga Haradinaj i kishte ndarë 300 mijë euro për t’i çuar rreth 1.500 veteranë në deti.

Në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri në detyrë ka thënë se arsyetimin e vendimeve dhe detaje shtesë, do të mund të merren nga zyra e tij.

Por, Zyra e Kryeministrit, në një përgjigje për televizionin, nuk ka ofruar asnjë detaj të shpërndarjes së parave përmes vendimeve të marra nga Ekzekutivi.

“Të gjitha vendimet po bëhen gati nga Sekretariati dhe në momentin që të nënshkruhen, dalin edhe në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit. Për sqarime të tjera, ju lutem përcilleni konferencën e djeshme të kryeministrit Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Po ashtu, Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se pse u bartën 358 mijë euro nga Fondi Rezervë enkas për Zyrën e Kryeministrit dhe për çka planifikohet që të shfrytëzohen ato para.

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ndaj këtyre vendimeve të qeverisë në detyrë, duke thënë se s’ka legjitimitet për të marrë vendime të tilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button