Hulumtim në RMV: 80% e të rinjve mendojnë se autoriteteve nuk ju intereson për nevojat e tyre

80% nga të rinjtë e anketuar në RMV mendojnë se autoriteteve publike nuk ju intereson fare për ata edhe për nevojat e tyre, përderisa më pak se 31% nga këta të rinj janë shprehur optimist se Maqedonia e Veriut po ec në drejtim të duhur. Këto janë disa nga rezultatet e hulumtimit nga Fondacioni Westminster të cilat u prezantuan sot në Shkup, ku prezent ishte edhe Ministri i Arsimit Arbër Ademi sipas të cilit ky hulumtim është një kritikë pozitive për qeverinë, shkruan Portalb.mk.

Fondacioni Westminster në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor kanë realizuar një anketë me të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, për të kuptuar problemet dhe sfidat të cilat ata i hasin në përditshmëri. Rezultatet e të cilit janë shumë pesimiste ku shumica e të rinjve të anketuar si shpresë të vetme e shohin migrimin në ndonjë nga shtetet e Unionit Evropian.

Në këtë hulumtim, i cili është titulluar “Apati, optimizëm apo zhgënjim?”, janë anketuar rreth 1025 të rinj, respektivisht të moshës nga 15 deri në 35 vjeç, nga të gjitha rajonet e vendit. Nga ky hulumtim vetëm 3% janë shprehur se janë të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri, kurse një numër i madh i tyre janë të bindur se ata nuk mund të ndikojnë në mënyrën e politikbërjes në shtet.

Për ministrin e Arsimit këto rezultate janë kritikë pozitive për qeverinë, ngaqë ju mundëson të shohin se çfarë janë duke bërë mirë edhe çfarë nuk shkon, sipas tij me një bashkëpunim mes organizatave joqeveritare dhe institucioneve publike mund të gjendet zgjidhje për problemet rinore.

“Rezultatet e hulumtimit i marrim si kritikë pozitive, konkretisht për atë se çfarë jemi duke bërë si duhet edhe çfarë duhet të ndryshohet, si të gjejmë një mënyrë për të kyçur më shumë të rinj në institucione dhe të nxisim aktivizmin e tyre qytetar. Besoni se si qeveri, si institucion bashkë me sektorin civil mundohemi shumë që të kyçim sa më tepër të rinj në vendimmarrje”, tha Arbër Ademi

Rezultatet e hulumtimit:

  • Më pak se 31% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut mendojnë se vendi po ec në drejtim të duhur.
  • 36% nga të anketuarit besojnë se për pesë vite Maqedonia e Veriut do të bëhet vend i mirë për të jetuar.
  • Vetëm 3% e të rinjve janë plotësisht të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri.
  • 60% nga të rinjtë e anketuar besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet shtet anëtar në Unionin Evropian. 70% prej tyre besojnë se kjo do të ndodhë në pesë vitet e ardhshme.
  • 80% nga të anketuarit janë shprehut se autoriteve publike nuk ju intereson fare për ata dhe për nevojat e tyre.
  • Të rinjtë përgjithësisht nuk besojnë se mund të kenë ndikim në mënyrën e politikbërjes në vend, 6 nga 10 prej tyre besojnë se ata nuk mund të kenë fare ndikim.
  • 80% nga të rinjtë e anketuar asnjëherë nuk kanë biseduar me ndonjë zyrtar, qoftë i nivelit lokal apo qëndror.
  • Afërsisht një nga pesë të rinj (22%) besojnë se qeveria aktuale është e interesuar për t’i аdresuar problemet e të rinjve në vend.
  • 71% nga të rinjtë e përshkruajnë veten si qytetar joaktiv.
  • Vetëm 8% nga këta rë rinj ka ndërmarrë masa për të zgjidhur ndonjë problem konkret.
  • 90% nga të rinjtë e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë në ndonjë nga organizatat joqeveritare apo iniciativë e cila punon me probleme sociale.
  • 7% nga të anketuarit e përshkruajnë veten si anëtarë në ndonjë nga partitë politike kurse 20% prej tyre si simpatizues të partive politike.
  • 64% nga të rinjtë janë shprehur se gjithmonë votojnë kur ka zgjedhje. Megjithatë, çdo i dyti prej tyre nuk beson se mund të ndikoje në ndonjë ndryshim shoqëror duke votuar në zgjedhje.
  • 6 nga 10 prej tyre mendojnë se personat të komunitetit LGBT nuk duhet të kyçen në politikë.
  • 35% nga të anketuarit besojnë se burrat janë politikan më të mirë se gratë.
  • 63% nga të rinjtë mendojnë se të gjitha partitë politike janë të njëjta.
  • 85% nga të rinjtë e anketuar mendojnë se shtetit i duhet një udhëheqës me dorë të fortë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button