ANALIZË: Premtimet parazgjedhore – një “tullumbace e fryrë” ose një agjendë e zbatueshme!

Sipas njoftimeve, këtë javë LSDM-ja në pushtet duhet t’i fillojë konsultimet për zgjidhjet kadrovike në qeverinë e re teknike – e cila është “pararendëse” e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që janë paralajmëruar për muajin prill. Koalicioni qeverisës, opozitës do t’ia japë pozitat udhëheqëse në dy ministri strategjike – Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Retorika elektorale tashmë është aktivizuar si në frontin qeverisës ashtu edhe në atë të opozitës, ndërsa makineria partiake i ka ndezur prej kohësh “motorët” dhe filloi një ofensivë për të fituar votuesit. Disa analistë për Portalb.mk kanë komentuar tashmë se këto zgjedhje jo vetëm që do të jenë “më të gjatat”, pasi që data e zgjedhjeve dihet shtatë muaj përpara, por besohet se ato do të jenë edhe “të vështira” për ta motivuar elektoratin e demotivuar.

Programe realiste zgjedhore në vend të listave me dëshira…

Luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, punësime të depolitizuara në administratë, standard më i mirë jetësor – qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe në këtë fushatë zgjedhore do të dëgjojnë premtimet tashmë të njohura, por për shkak të rritjes së ndjeshmërisë dhe pritjeve të mëdha për ndryshime, me sa duket “partinë” më të madhe në këto zgjedhje do ta përbëjnë të papërcaktuarit – thonë analistët në prag të fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Sfida më e madhe për partitë në zgjedhjet e ardhshme është gjetja e votuesve, gjegjësisht t’i motivojnë të dalin në zgjedhje. Thënë thjesht, votuesit, veçanërisht ata që nuk janë të përcaktuar partiakisht, dhe jo vetëm ata, janë shumë të zhgënjyer nga efektet e sundimit të të ashtuquajturave parti të mëdha – LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Jo se duhej të pritej shumë, por megjithatë zhgënjimi është edhe më i madh për shkak të “shprehisë” së partive, me premtimet e tyre parazgjedhore ta “fryjnë tullumbacen”, duke krijuar kështu një optimizëm irracional midis shumë qytetarëve. Dhe tani, kur “baloni” plasi, për shkak se munguan rezultatet e dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit, nuk u përmirësua dukshëm standardi i jetesës, nuk u përmirësuan shërbimet publike, infrastruktura, shëndetësia, arsimi, nuk u ul niveli i ndotjes e që është edhe më e keqja nuk morëm datë për negociata me BE-në, edhe pse na u tha se kjo është punë e kryer, atëherë askush nuk duhet të çuditet që “partia” më e madhe në vend aktualisht përbëhet nga të papërcaktuarit” – thotë për Portalb.mk Goce Paçemski, ekspert për marrëdhënie me publikun.

Pritet që anëtarësia e Maqedonisë në NATO të ofrohet në menynë politike si një sukses i qeverisë, ndërsa opozita, VMRO-DPMNE-ja do ta kujtojë “fiaskon e Brukselit”, por pyetja është nëse dhe sa të gjithë lojtarët në skenën politike, pavarësisht nga orientimi etnik, do të ofrojnë zgjidhje reale për problemet me të cilat përballen qytetarët për çdo ditë.

“Gjëja më e rëndësishme është se me cilët njerëz partitë do të garojnë në zgjedhje dhe do ta kërkojnë besimin për ta udhëhequr Maqedoninë në katër vitet e ardhshme. Pastaj, duhet të ulen dhe të hartojnë një fushatë zgjedhore, e cila duhet të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë duhet t’i adresojë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe duhet të ofrojnë zgjidhje për to. Në pjesën e dytë duhet të tregojnë qartë se cilat janë qëllimet strategjike të VMRO-DPMNE-së dhe ku e sheh udhëheqja Republikën e Maqedonisë pas 10 vitesh në fushat kryesore si arsimi, shëndetësia, puna dhe çështjet sociale, ligji dhe sundimi i ligjit, siguria, etj. Për më tepër, VMRO-DPMNE-ja ose një pjesë e udhëheqjes së partisë duhet të kenë qëndrim të qartë për të ashtuquajturën ‘Marrëveshje e Prespës’, sepse këto zgjedhje do t’i vendosin qytetarët që e bojkotuan referendumin dhe zgjedhjet presidenciale”, thotë Samoil Malçevski, anëtar i VMRO-DPMNE-së, por i krahut reformist, që angazhohet për ndryshime në parti dhe shton:

“Nëse duan ta fitojnë besimin e qytetarëve, ata së pari duhet të bëjnë një analizë reale të kuadrove të tyre dhe t’i falënderojnë për bashkëpunimin të paktën 90% të tyre. Pas kësaj, duhet të përgatisin një program realist zgjedhor, që do të jetë i zbatueshëm, e jo një listë me dëshira të parealizueshme. Vetëm me një qasje të tillë dhe me fushatë pozitive do të kenë gjasa ta korrigjojnë imazhin e keq që i ndjek që nga dita e parë e qeverisjes.”

Qeveria krenohet me sukseset ekonomike, opozita sulmon me kritika…

Historikisht, niveli më i ulët i papunësisë prej 17%, më shumë se 59.000 vende të reja pune, rritje e PBB-së prej 3.6%, rritja e pensioneve, rrogë më e lartë minimale dhe rrogë mesatare më e lartë në vend. Me këto parametra, partia në pushtet argumenton se politikat e tanishme ekonomike kanë pasur një efekt pozitiv. Sipas LSDM-së, është arritur një nga premtimet më të rëndësishme parazgjedhore të vitit 2016 – ulja dhe amortizimi i varfërisë.

“E kemi lehtësuar qasjen në shtesën për fëmijë, por gjithashtu e kemi rritur edhe shumën që e merr një familje mbi këtë bazë. Gjithashtu futëm edhe shtesa të reja për t’i mbështetur fëmijët nga familjet që janë të përfshira në sistemin e mbrojtjes sociale dhe fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta. Që nga futja e kësaj reforme në maj të vitit 2019, shtesa për fëmijë u paguar 27.130 fëmijëve, ndërsa shtesa për shkollim 8.678 fëmijëve, që është për tre herë e gjysmë më shumë se më parë.  Deri në fund të reformës presim rreth 70,000 fëmijë të marrin shtesë për fëmijë dhe për shkollim, që do të jetë 20 herë më shumë se më parë”, thonë nga LSDM-ja.

Rënie e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, buxheti shumë i madh dhe që nuk e nxit zhvillimin, dështim i investimeve kapitale. Me këto argumente, partia opozitare e VMRO-DPMNE-së i kritikon masat dhe politikat ekonomike të qeverisë.

“500,000 qytetarë jetojnë në prag të varfërisë. Bujqit të cilëve iu ishte premtuar blerje e sigurt e prodhimeve të tyre dhe subvencione më të mëdha, i hedhin të mbjellat e tyre në plehra. Të dhënat e ambasadës gjermane tregojnë se ajo lëshon për çdo vit rreth 20.000 viza pune. Shifra të ngjashme ka edhe nga vendet e tjera të zhvilluara. Këto të dhëna tregojnë vetëm se varfëria në Maqedoni për këto dy vjet ka hyrë nëpër derën e madhe”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Përderisa qeveria dhe opozita do ta testojnë besimin e votuesve në zgjedhje, disa ekonomistë tashmë kanë vlerësuar se për të ardhmen ekonomike të Maqedonisë do të nevojiten ndryshime serioze dhe guxim politik për t’i zbatuar ato.

“Mendoj se së pari vendi do të duhet të (ri)pozicionohet strategjikisht. Nuk po them të braktisen përcaktimet e tanishme strategjike, por për momentin mendoj se ato duhet të rishqyrtohen. Vetë anëtarësimi në NATO ofron disa udhëzime në këtë drejtim, por të gjitha ato vende, interesat bilaterale të të cilave kanë ndikim në pozicionimin e jashtëm dhe strategjik të Maqedonisë, janë anëtare të NATO-s. Atje janë edhe SHBA-të, Franca, Gjermania dhe Turqia. Ndërkohë, “rregullimi” i gjërave në shtëpi duhet të jetë prioritet kryesor. Do të thoja që në radhë të parë këtu bëjnë pjesë korrupsioni, administrata publike, mediet, arsimi dhe shëndetësia. Kemi nevojë për një qasje seriozisht të re sepse zgjidhjet e deritanishme të buta dhe të pjesshme, vetëm se i thellojnë problemet në vend që t’i zgjidhin ato. Dhe natyrisht, një koncept i ri ekonomik! Shkalla e rritjes prej rreth 3 përqind është larg nga ajo që i duhet vendit për të dalë nga vorbulla e rritjes së ulët ekonomike”, komentoi për Portalb.mk para do kohësh ekonomisti German Fillkov nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Disa biznesmenë presin që cikli i ardhshëm zgjedhor, duke e përfshirë edhe periudhën e qeverisë teknike dhe periudhën pas zgjedhjeve të formimit të shumicës së re me qeverinë e re, megjithatë do të kontribuojë për një ngecje dhe abstenim ekonomik, si te kompanitë ashtu edhe te qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button