RMV do të reagojë ndaj qëndrimit të Akademisë Bullgare që tha se gjuha maqedonase nuk ekziston

Republika e Maqedonisë së Veriut, do të reagojë ndaj vlerësimit të Akademisë Bullgare të Shkencave (ABSH), se gjuha maqedonase është dialekt bullgar. Autoritetet në vend fillimisht do ta shqyrtojnë hollësisht kumtesën e ABSH-së, më pas do të pasojë reagimi edhe përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këtë e paralajmëroi dje kryeministri Zoran Zaev, ndërkaq nuk u ndalën reagimet nga disa anë pas publikimit të ABSH-së se karta për gjuhën maqedonase që e miratoi ASHAM përmban pozicione të pasakta dhe të papranueshme, të cilat i dëmtojnë marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje.

“Më 3 dhjetor 2019, Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Maqedonisë së veriut (ASHAM) miratoi “Kartën për gjuhën maqedonase”. Në të janë konstruktuar argumente historike dhe gjuhësore për mbrojtjen e gjuhës zyrtare letrare në Republikën e Maqedonisë së Veriut si gjuhë e posaçme e pavarur me vazhdimësi dhe gjenealogji, e cila në Shkup është quajtur ‘maqedonase’”, reagoi ABSH dhe theksoi se dokumenti ka shkaktuar “shumë vërejtje serioze shkencore”.

Reagime në vend, përveç nga kryeministri Zaev, pati edhe nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, nga kryetari aktual i ASHAM-it, Taki Fiti, nga kryesuesi i komisionit maqedono-bullgar të ekspertëve, Dragi Gjorgiev, nga Instituti për letërsi maqedonase.

Edhe ky vlerësim i ABSH-së vjen në momentin kur Komisioni i përbashkët ngeci në çështjen për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit, ndërsa historianët maqedonas kërkuan të shtyhen takimet formale deri në përfundimin e zgjedhjeve tek ne.

“Do të reagojmë për shkak se kjo çështje është pjesë e çështjeve për zgjidhjen e problemeve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi. Hapat e parë janë bërë. Besoj se këto patjetër t’i zgjidhim. Unë nuk e di reagimin, tash e dëgjoj prej jush. Gjithsesi do të reagojmë edhe përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe do t’i bëjmë të gjithë komentet tona pasi ta lexojmë reagimin”, deklaroi Zaev.

I pyetur nëse kjo mund të nënkuptojë suspendimin e negociatave me Bullgarinë, kryeministri Zoran Zaev, theksoi se Marrëveshja me Bullgarinë, është “me kujdes e shkruar nga dy popujt për shkak të çështjeve të identitetit”, dhe është nënshkruar në gjuhën maqedonase dhe bullgare, “në pajtim me Kushtetutat e të dyja shteteve”.

“Ai formulimin se në pajtim me Kushtetutat e shteteve, në vetë Marrëveshjen, tregon se Bullgaria ende nuk është e pastër me njohje të gjuhës sonë maqedonase. Kjo është çështje e cila mbeti të zgjidhet gjatë zbatimit të Marrëveshjes dhe unë besoj, dhe edhe njëherë apeloj nëse jemi evropian dhe nëse angazhohemi për demokraci dhe vlera evropiane dhe të drejta, këtë çështje duhet sa më shpejtë ta tejkalojmë”, deklaroi Zaev.

Dimitrov në Fejsbuk shkroi se në shekullin 21, në Evropë, e drejta për vetëvendosje dhe vetë deklarim është e pa kontestuar. Ministri potencoi se raportet mes dy shteteve për të qenë miqësore dhe të afërta, supozojnë respekt të asaj të drejte dhe në dinjitetin e tjetrit.

“Gjuha maqedonase është njëra prej gjuhëve jugore sllovene. Gjuha standard maqedonase është zyrtarisht e kodifikuar në maj të vitit 1945, mbi bazë të formave qendrore të të folurit në Maqedoninë e atëhershme. Ishte njëra prej tre gjuhëve zyrtare edhe në ish-Jugosllavi, e prezentë edhe në Kombet e Bashkuara, prej viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Gjuha maqedonas ka zhvillim të saj historik dhe është e njohur edhe nga bashkësia ndërkombëtare e linguistëve”, thekson Dimitrov.

Ndërkaq kryeministri, Zoran Zaev, siç bëjnë me dije burime qeveritare, planifikon pas Vitit të Ri, si politikan, e jo si kryeministër, duke pasur parasysh atë se do të ketë qeveri teknike para zgjedhjeve të paralajmëruara për më 12 prill, të niset drejt Sofjes, në takim me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, me të cilin, mes tjerash, do të bisedojë për punën e Komisionit bilateral multidisiplinar për çështje historike dhe arsimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button