Ka ardhur koha…

Para disa javësh u bë hit lajmi se prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion Vilma Ruskovska u ka shkruar një mesazh telefonik gjyqtarëve që bënë të mundur që ish prokurorja speciale Katica Janeva të dalë nga paraburgimi në paraburgim shtëpiak duke u kërcënuar se do i shkundë nga brekët pse kanë lejuar një gjë të tillë. Edhe ky lajm sado skandaloz që u duk kaloi dhe u shua dalëngadalë dhe tani merremi me lajme të tjera, duke parë çdo ditë në televizor sa shumë ishin dëmtuar dhe si kishin hequr të zinjtë e ullirit milionerët që paraqiten si viktima në rastin “Shantazhi” të cilin po kjo prokurore është duke e udhëhequr.

Është e qartë që prokurorja i ka duart plot me punë sepse janë këto raste të mëdha të cilat duhet të zgjidhen sa më parë për t’u vendosur një herë e mirë përgjegjësia penale. Është po ashtu skajshmërish zhgënjyese të shihet si prokurorja e dikurshme speciale tani ulet çdo ditë në bankën e të akuzuarve, në atë bankë ku ajo i uli muaj me radhë ata të cilët duhej të përgjigjen për skandalet e publikuara përmes bisedave të përgjuara, e megjithatë, ata tani janë lajm i vjetër dhe gjithnjë e më shumë vërtetohemi se nuk do të mbajnë asnjëherë përgjegjësi për bëmat e tyre. Lajmi i ri është pikërisht prokurorja speciale e ulur në bankën e të akuzuarve. Çfarë fundi i tmerrshëm i një shprese se do të mund të vendosej drejtësi për të gjitha ato krime që dëgjuam të kishin ndodhur përmes bisedave të përgjuara!

Po ashtu, këtë javë u bë i vjetër edhe lajmi lidhur me iniciativën para gjykatës kushtetuese për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e nenit 11a të Ligjit për falje. Puna arriti deri aty ku Komisioni për çështje juridiko-ligjvënëse pranë Kuvendit të RMV solli vendim se për nenin 11 të këtij ligji nuk mund të ketë interpretim autentik sepse ky  nen nuk ekziston. Sërish rrotullohemi në  një rreth vicioz ku vendimet merren të paqarta dhe të padefinuara.
Kam thënë edhe më herët dhe sërish do e përsëris, që ky problem nuk zgjidhet duke mos dhënë interpretim autentik. Kuvendi duhet të japë interpretim autentik për Ligjin për falje në tërësi duke përfshirë këtu edhe ndryshimet e këtij ligji të bëra në vitin 2009 dhe 2016. Ky interpretim autentik duhet të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme se nga viti 2009 e këndej neni 11 nuk ekziston dhe si pasojë e kësaj presidenti në vitin 2016 nuk ka pasur të drejtë ligjore t’i japë faljet që i dha, dhe rrjedhimisht, edhe Kuvendi nuk ka pasur të drejtë të sjellë ligj i cili mundëson tërheqjen e faljeve pasi janë dhënë sepse kjo shkon në kundërshtim me parimet juridike që pamundësojnë krijimin e një mundësie të tillë të tërheqjes së faljeve sipas dëshirës apo kapriceve të presidentit.
Ky interpretim autentik duhet një herë e mirë të shërbejë që faljet e dhëna në vitin 2016 të shpallen të pavlefshme nga momenti i dhënies së tyre e jo të konsiderohen të tërhequra. Vetëm në atë mënyrë do të kemi argumente shtesë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe para gjykatave të vendeve tjera të vërtetojmë se këto falje te të cilat thirren të falurit tash e sa vite, në fakt nuk ekzistojnë juridikisht.

Nga ana tjetër, ka edhe një mënyrë shumë efikase që kjo punë të mbarojë shumë më shpejt se sa përmes rrugëtimit të gjatë nëpër kuluaret e Kuvendit. Ajo rrugë kalon nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion. Me fjalë tjera, ka ardhur koha prokurorja Vilma Ruskovska “ta shkundë nga brekët” Ivanovin dhe ta akuzojë për kryerje të veprës penale nga neni 353 i Kodit Penal “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Me vetë faktin që komisioni i Kuvendit vërtetoi që neni 11 nuk ekziston, u bë i njohur edhe juridikisht fakti që me 12 prill të vitit 2016 Ivanov ka sjellë falje të cilat në bazë të ligjit nuk ka mundur t’i sjellë. Kur dikush e keqpërdor pozitën e vetë zyrtare për të bërë veprim i cili kalon kompetencat e veta me qëllim që nga ky veprim të përfitojë ose ti bëjë dëm dikujt, atëherë ai kryen vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ky veprim i Ivanovit nuk është parashkruar ende, por koha kalon shpejt, dhe nëse nuk do të ketë veprim të shpejtë nga prokuroria, edhe kjo vepër mund të parashkruhet si edhe shumë të tjera deri tani. Prandaj, prokurorja Vilma Ruskovska nuk duhet të humbë kohë por menjëherë duhet të iniciojë procedurë penale kundër Ivanovit për veprën e larte përmendur. Ajo si prokurore ka të drejtë në këtë rast të ngrejë edhe kërkesë që veprimi juridik penal i dhënies së faljeve të shpallet i pavlefshëm dhe në këtë mënyrë, me vendim gjykate faljet e dhëna në vitin 2016 përfundimisht të shpallen ligjërisht të pavlefshme.

Ka ardhur koha Ivanov të përgjigjet penalisht për të gjitha shkeljet ligjore të bëra gjatë mandatit të tij si president. Ka ardhur koha që kjo përgjegjësi të fillojë pikërisht nga ato falje skandaloze që na ndjekin pas me vite. Ka ardhur koha, dhe kjo kohë nuk duhet humbur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button