Biri im, përço paqe dhe dashuri në botë!

(Fragment i papërfunduar nga dorëshkrimi im aktual „Bisedë shpirtërore me Shën Nënë Terezën”)

Kishte ditë që punoja parreshtur në dorëshkrimin tim dramaturgjik “Lufta e shenjtë -Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”. Së këndejmi, në imagjinatë pata filluar t’i mbledhi kokë më kokë të gjithë personazhet diversivë, për të mos thënë antagonistë, të cilët do të shpërfaqnin rrjedhshmërinë e dialogëve dhe individualizmin e tyre veç e veç në komunikimin e mesazheve me një diskurs përplasës botëvështrimesh rreth “luftës dhe paqes”, rreth “terrorizmit ndërkombëtar”, rreth pyetjes akute të kohës: “Nga të orientohemi si komb: në Perëndim apo në Lindje?”, duke depërtuar mandej ca më thellë tek botëvështrimet futuriste, utopike, viz a vi “luftës së shenjtë në Armagedon”.

Gjatë shtjellimit të këtij narracioni, më gumëzhinin në kokë dialogët “e zhurmshëm” të humanistit kosmopolit e sekularist, të fundamentalistit (pseudo)religjioz, të tradicionalistit, të modernistit e të nacionalistit – përfshirë këtu dhe klerin fetar: hoxhën, priftin, dhaskalin, pastorin, rabinin e klerin budist. Ky narracion, si një nga krijimet e mia paradoksale, kishte një karakter sa kombëtar, aq edhe të përbotshëm, universal, polimeridian…

Nga ana tjetër, sa për të sforcuar frymëzimin tim, zhvilloja pandërprerë kontakte me dy priftër gjermanë të besimit kristian: me z. Karl Hermann Lenz – meshtar në kishën St. Christophorus, dhe znj. Martina Weber – pastore e kishës St. Nikodemus në Berlin. Debatet më konstruktive, ndërkaq, i kam zhvilluar me referenten pastorale znj. Lissy Eichert, e cila është autore e emisionit “Wort zum Sonntag” në kanalet shtetërore televizive gjermane “ARD” dhe “RBB”, emision ky në të cilin ajo shtjellon temat më akute të kohës rreth dialogut, tolerancës e paqes ndër-konfesionale në vend dhe në botë, si dhe udhëheq mrekullueshëm ekipin përkujdesës për refugjatët, të pastrehët dhe të gjitha shtresat tjera të rrezikuara sociale dhe psikologjike.

Së këndejmi, në rrafshin leximor më së shumti u përqëndrova te dy autorë: te shkencëtari, filozofi, etnologu dhe eseisti i famshëm gjerman dr. Hans Peter Dür (1929-2014), fitues i Çmimit Nobel për Paqe vitin 1995 dhe i shumë çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare nga rrafshi i fizikës kuantike dhe atomike, si dhe autor i shumë veprave për shkencë dhe religjion, për fizikë dhe metafizikë, për teorinë kuantike dhe transcendencën, misticizmin etj – dhe te teologu brilant zviceran dr. Hans Kung, më saktësisht te veprat e tij, ku ai i qaset gjerësisht dhe në detaje dialogut ndër-fetar dhe Ethosit botëror midis të gjitha religjioneve.

Ta them sinqerisht tani: këmbimi i njohurive dhe eksperiencave në debatet e diskutimet tona ndër-konfesionale për mua është një nga dhuratat më të çmueshme kosmike, qiellore.

Kontinuitetin e kësaj pune ma ndërpreu ftesa e mikut tim, poetit Fran Tanushi, për të marrë pjesë pas dy javësh në një manifestim madhor në nderim të figurës madhore shqiptare, Shën Nënë Tereza, që organizohej në Augsburg të Bavarisë nga Shoqata Letrare “Martin Camaj”, nga Fondacioni “Besa”e Munihut dhe nga Komuniteti Shqiptar i këtyre qyteteve. Në ftesë parashikohej të mbaja një fjalim enkas për këtë figurë zulmëmadhe shqiptare, kuptohet, në cilësinë e një teologu shqiptar, përkatës i besimit islam. Të them të drejtën, edhe vitin e kaluar pata ftesë për një organizim analog në Grac të Austrisë, të cilin e organizoi miku im Martin Marku, një veprimtar ky i madh kombëtar në komunitetin shqiptar të këtij qyteti, por nuk arrita të marr pjesë për shkaqe subjektive.

Me të pranuar të ftesës dhe vendosjes sime për pjesëmarrje në këtë organizim, sakaq, e tërë energjia ime u përqëndrua në imazhin shembullor të vendases sime, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, tashmë e njohur botërisht me epitetin Shën Nënë Tereza. Aty për aty më vajti mendja te fjalimi im monologues “Rekuiem: Pranë varrit të Presidentin Rugova”, i cili u përbotësua te libri im “Letra shpirti”, botuar në Shkup nga Shtëpia Botuese “Shkupi” vitin 2016.

Aty, ndër të tjerash, kam thënë: “President i nderuar, a nuk ishte e gjakut tonë iliro-dardano-arbëror figura famëmadhe shqiptare e Gonxhe Bojaxhiut, Shën Nënës Terezë, kësaj çupëze të vendlindjes sime, Shkupit,e cila, me punën, përkushtimin dhe sakrificat e saj sublime, nga stadi i një femre anonime, varfanjake e bonjake, kaloi në stadin e një GJITHËMËMËJE botërore, duke marrë Çmimin Nobel për Paqe vitin 1979 në Oslo dhe duke u lumnuar dhe shpallur përfundimisht Shënjtore nga Papati vitin 2016… I tërë kombi ndjehet krenar me këtë personalitet ikonë…”

Menjëherë fillova të përgatitesha me shumë zell për fjalimin tim që do t’ia kushtoja gruas më gjigante në historinë tonë kombëtare. Për çdo ditë, orë e çast, fillova të monologoj me vendasen time, Gonxhe Bojaxhiu. Për më tepër, fillova të meditoj thellë rreth veprës dhe jetëshkrimit të saj, duke shfletuar literaturë gjithëfarëshe dhe duke shikuar e analizuar dokumentarë të numërt, që janë përgatitur enkas për personalitetin e saj. Në mënyrë të veçantë, s’di për të satën herë i jam qasur me një përkushtim të thellë fjalimit të saj mbresëlënës e shumëdomethënës, mbajtur në Oslo me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe vitin 1979. Kjo për arsye se në atë fjalim të famshëm ajo ka shpërfaqur perlat e saj me vlerë universale, planetare, gjithënjerëzore.

Përsërisja si refren liturgjor fjalët e saj, të theksuara zëshëm, botërisht: “Me gjak jam shqiptare, jam murgeshë katolike, por me mision i takoj botës…, vij nga një vend i vogël por bujar, i quajtur Shqipëri..”

Natyrisht që, në të këtilla rastesh e manifestimesh, është i një rëndësie të jashtëzakontë mendimi i një kleriku shqipar mysliman për botën e krishterë, në përgjithësi, dhe për këtë figurë kolosale e gjithënjerëzore, në veçanti, e cila, ndonëse i përkiste besimit katolik kristian, e ndihmoi botën, veçanërisht shtresat e saja të varfëra, të sëmura e të pastrehë, pa bërë kurrfarë dallimesh fetare, racore, kombëtare e regjionale.

Prononcimi i botës myslimane, veçanërisht i klerit të saj, rreth figurës së Shën Nënë Terezës ka akoma më shumë vlerë e peshë sot kur, mjerisht, po përbaltet e komprometohet si mos më keq ajo nga një shtresë e pandërgjegjshme besimtarësh e klerikësh injorantë e fanatikë, që janë të veshur me petk engjëlli, por që, në fakt, kanë zemrën e djallit. Mëkat! Akoma më i tmerrshëm është fakti tjetër që ca çallmaxhinj fanatikë në predikimet e tyre (predikime u thënçin!) i bëjnë vendin në ferr Nënës Terezë.

I pyes botërisht këta çallmaxhinj miopë e fundamentalistë: A ka mëkat më të rëndë se sa të luash rolin e Zotit në tokë, se sa të marrësh prerogativat e kompetencat e Tij, duke satanizuar njerëz të besimeve e kulturave të tjera e duke i anatemuar e linçuar ata në bazë besimi e feje ?!!!
Këto ditë madje, teksa nuk më është shqitur nga “sytë e trurit” përfytyrimi i imazhit engjëllor të kësaj gjithëmëmëje botërore, më ka ndodhur disa herë të përsëris një lutje shumë sublime për shpirtin tim: “Im Zot, mos vdeksha pa vënë në jetë një nga shkrimet më sublime për këtë nënë famëmadhe shqiptare, për këtë vendase timen tashmë me famë botërore! Bën që kjo ide një ditë të kulmojë në një libër të veçantë! Amin!”

Këtë ide ia kumtova në radhë të parë bashkëshortes sime. Ajo u ngazëllye pa masë. Ngeli pa frymë. “Do ta kesh mbështetjen time në këtë ndërmarrje të shenjtë, i dashuri im!” – më tha ajo me plot entuziazëm e shpirt. Dorën në zemër, ajo për mua është një “shpirt terezian” në familje dhe gjetkë. Rrit, ushqen dhe edukon me një përkushtim të pashembullt katër gocat tona dhe administron shkëlqyeshëm ekonominë shtëpiake.

Ajo ka një zemër të madhe bujare, tipar ky të cilin e trashëgon nga prindërit bujarë, babë Sefa dhe nëna Sevdije. Së këndejmi dhe ajo i respekton pa masë anëtarët e familjes, farefisin,mysafirët dhe miqësinë e gjerë, si dhe në asnjë rast të vetmin nuk kthen duarbosh skamnorët dhe bonjakët, duke ju ofruar ndihmë në çdo pikëpamje. Të merremi vesh, për mendim timin çdo nënë shqiptare e dinjitetshme, që rrit, ushqen dhe edukon fëmijët në mënyrë të shëndetshme e konstruktive, si dhe sakrifikon gjithçka për familjen, fqinjët dhe njerëzimin pa dallim, ka imazhin e një Nënë Tereze. Madje, një imazh të këtillë ka edhe çdo femër e emancipuar që lufton me zemër kudo që i jepet rasti e mundësia, me ligjërim dhe me laps, në mbrojtje të dinjitetit të femrës, në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të njeriut në përgjithësi.

Çuditërisht, në ditët që përgatitesha intensivisht për mbajtjen e fjalimit tim në Augsburg, i gjendur në një ekstazë të thellë shpirtërore, fillova shpesh herë t’i thoshja bashkëshortes sime se sa shumë e dua. Po njësoj veproja edhe me fëmijët e mi: i përqafoja, i përkëdhelja shpesh, u thoja se i doja shumë dhe lutesha te Perëndia për mirëqenien e tyre. Bashkëshortja e vuri re këtë disponim timin të skajshëm dhe më pyeti për ndryshimin e sjelljes sime.

„E lumja Nënë Terezë në fjalimin e saj në Oslo ndër të tjerash porositi: “Nëse për shkaqe objektive nuk mund t’u dhuroni gjë varfanjakëve, puna më e madhe që mund të bëni është të përhapni dashurinë në familje, te të afërmit tuaj! Kjo është dhurata më e madhe nga Perëndia, prandaj shfaqni dashurinë e madhe në familje, sepse familja është e shenjtë!” – iu përgjigja unë. Ajo buzëqeshi me shpirt, mandej duke u lutur te Perëndia për dashurinë dhe mirëqenien tonë më tha:

“Burri im, gjesti i saj kishte përmasa shenjtërie, hyjnore do thosha, kur natën solemne të pranimit të çmimit prestigjioz Nobel për Paqe ajo refuzoi të ulet në darkën pompoze që i kishin përgatitur komisioni laureues dhe u bashkangjit në darkim me njerëz të rëndomtë dhe me ushqim modest. Madje, të gjitha rastet dëshmojnë katërcipërisht të dhënën që ajo askurrë nuk ka bërë dallim ndaj fukarenjve në pikëpamje fetare. I ndihmonte që të gjithë: myslimanë, të krishterë, hindusë e budistë, madje, edhe ata/ato që kishin pikëpamje agnostike e ateiste. Vallë, a nuk është ky një mesazh kuptimplotë, shumë i vlertë dhe, per më tepër, i domosdoshëm për botën sot e në mot?”
“Aferim! Ashtu ka qenë! Të lumtë goja, e dashur! – i pohova unë.

Çdo shqiptar që ka ndërgjegje të çiltërt religjioze, kulturë njerëzore dhe vetëdije të lartë kombëtare tregon respekt të lartë për figurën madhore të Shën Nënës Terezë. Rrjedhimisht dhe ne, unë dhe bashkëshortja ime, dyt jemi profesionalisht teologë të besimit mysliman, por kemi respekt të thellë për të, shpirtin e dëlirë të saj, për religjiozitetin e saj të përkryer dhe për veprën e saj madhore përmasash planetare dhe historike. Të merremi vesh, një personalitet të rangut e prestigjit të saj kombet e lindin njëherë në milenium, për të mos thënë në mileniume.

***
Pranë shtatores së Shën Nënës Terezë, që ishte vendosur në parkun e madh të spitalit gjigant të Augsburgut, me të parë të imazhit të saj engjëllor rash në trans përnjëherë. Pata halucionacione të fuqishme, madje, edhe vegim e vizion të thellë shpirti, që drithëruan mishtë e kurmit tim. Kjo ndjesi më përkujtoi të gjitha ato vegimet dhe vizionet spirituale të qindra besimtarëve të devotshëm, të cilat me pedanteri të rrallë i dëfton Motra Emmanuel Maillard nē dy veprat e saj „Mrekullia e Megjugorjes” dhe „Fëmija i fshehur i Megjugorjes” (vepra këto që shkaktuan jehonë të madhe në Francë dhe në botë duke u përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës).

Dihet se shenjtorët kanë vetinë e ubikuitetit, d.m.th. mund të shfaqen si shëmbëlltyrë njëherësh në vende të ndryshme si dhe njëkohësisht në kohëra të ndryshme. Është me fat kush i kupton misteret e pafundësisë, të botës eskatologjike! Sikur ndaloi koha. Kalova kufirin e saj konvencional (në të vërtetë ka disa kufij konvencionalë të kohës, më saktë një shumësi kufijsh), u gjenda në një fushë të pafundme. Sikur isha në ëndërr dhe njëkohësisht në një realitet të prekshëm që e shqisoja mrekullisht. Fatamorganë! Nëna më mori për dore dhe më uli pranë në të djathtë.

Sakaq ia behën të gjithë profetët e shenjtit e Perëndisë të udhëhequr nga Ibrahimi-Abrahami, baba i profetëve, shoqëruar nga ekskorta e fisnikëve: Musai (Mojsiu), Isai (Jezui) dhe Muhammedi (Paqja e Zotit qofte me ta!). Bashkë me ta edhe më fisnikja e fisnikeve, Nëna Merjem (Shën Mëria). Pas tyre në rresht u radhit plejada e burrave të fisëm të gjakut tonë iliro-dardano arbëror: Justiniani i Parë, Konstandini i Madh, Aleksandri (Leka) i Madh, Shën Jeronimi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papa Shën Klementi e shume të tjerë….

Krah pë krah me ta erdhën edhe gratë më të fisme të kombit: Mbretëreshat: Olimpia,Daidamea e Teuta, mandej Rugjina Balsha, Donika Arianit Kastrioti, Elena Lukrecia Peshkopia, Elena Gjika apo Dora D’Istria, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Shote Galica, Nora e Kelmendit, Janica Martinaj apo Tring Smajlja, Rozafa, Sabiha Kasimati, Laskarina Bubulina, Lejla Rasih Dino, Marie Shllaku, Musine Kokalari, Shote Galica, Nurije Zeka, Nermin Vlora Falaski, Myrvete Maksuti, Ylfete Humolli, Antigona Fazliu, Xhevë Lladrovci e shume e shume patriote, heroina, martire e intelektuale te kombit, të cilat i udhëhiqte zonjë Zahideja – nëna e fisme e Komandantit tonë legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari… Sakaq, me të parë të Nënës Zahide, Nënë Tereza u përkul te këmbët e saj në shenjë respekti më të lartë, ja puthi këmbët, ballin dhe e mori për dore duke e afruar pranë vetes.
Së dyti, befas, Nënë Tereza sërish u përkul me respekt të thellë përpara një gruaje fytyrën e së cilës nuk e njihja. U afrova pranë tyre dhe dëgjova pëshpërimën e Nënês:
„Mirë se të solli Perëndia, oj e bekuara e Zotit!“

Ajo ishte zonja e hekurt Vasfije Krasniqi Goodman, që përfaqësonte aty të gjitha femrat dhe nënat shqiptare që u persekutuan dhe u përdhunuan barbarisht nga armiqtë tanë shekullorë serbo-sllavë përgjatë luftës së fundit të harkut kohor 1998-99 në Kosovë. Pikërisht kjo burneshë ngriti lartë zërin e protestës në botë, duke faktuar personalisht përdhunimet mbi femrat e nënat shqiptare nga ana e soldateskës paramilitare serbo-çetnike. Nëna Terezë vuri dorën mbi kokën e saj, e përkëdheli dhe e puthi në ballë.

Në sfond e rreth e përçark u radhitën miliona varfanjakë nga e mbarë bota…Që të gjithë të zhytur në meditim shpirtëror, në lutje e urata për të shenjtën Nënë.

Pak më tutje, largë prej nesh, shtyheshin në radhë dishepujt e egër të djallit, komplotistë të fshehtë, antikrishtë monstra, xhuxhmaxhuxhë, liliputë, çallmaxhinj tradhtarë të atdheut e të Zotit, shkërdhatë – të veshur me petka engjëlli por me zemër djalli… Erdhën të paftuar dhe bënin një zhurmë skëterre me zëra çjerrës dhe ulërima, duke hingëlluar dreqërisht me dëshirën e zjarrtë për të hyrë në Tempullin e Paqes e për të shpënë në gijotinë shenjtoren tonë, o për ta hedhur në turrën e zjarrit. Kjo tamam si ata që dikur krijuan dramën makabrale të „Natës së Shën Bartollomeut” – duke hedhur në zjarr mijëra gra „shtriga”, sipas mendësisë së tyre çnjerëzore. Apo, madje, si ata që e anatemuan dhe gjykuan per herezi shenjtoren, respektivisht „Virgjëreshën e Orleanit”, nëntëmbëdhjetë vjeçaren Zhan d’Ark, duke e hedhur të gjallē në turrën e zjarrit…

Sakaq, rrezet e fuqishme të dritës së shenjtores i verboi dhe, aty për aty, një britmë apokaliptike nga qielli i rrënoi përdhe, duke i shndërruar në mumje, në trupa të ballsamosur. Trupat e tyre u zhytën në thellësitë e tokës, në rrathët e ferrit dhe në katakombet e Hadit.

Pas pak çastesh sqarohet qielli, del triumfator dielli që përshëndet jetën. Dritë gjithandej, shkëlqim, gjallëri. Menjëherë ia behën miliona zogj, mëllenja, xhikomale, çafka, pulëbardha, pelikanë kaçurrelë, drenja, gargullë, skifterë, dallëndyshe, shqiponja.., duke kënduar një simfoni që i ngjante një lutjeje në një tempull feje, tamam si ato psalmet biblike të Davidit apo versetet melodiozë të Kur’anit.
I gjendur në një momentum të tillë spiritualiteti e religjioziteti maksimal, iu afrova ballë për ballë Nënës dhe iu shpreha me plot entuziazëm:
“Nënë, jam shqiptar, i takoj besimit islamik, por me respektin më të lartë përkulem përpara madhështisë së Veprës Tënde! Ti vet je providencë e Zotit në tokë!”.

“Biri im, të bekoftë Perëndia! Ti dhe unë jemi vetëm shërbestarë të Zotit në tokë. Duke qenë se e dashuron me shpirt Zotin, të lutem: PËRÇO PAQE DHE DASHURI NË BOTË! TË JESH NË PAQE DHE DASHURI ME ZOTIN DO TË THOTË TË JESH NË PAQE ME BOTËN; T’I SHËRBESH NJERËZIMIT, MEQË TË GJITHË, PA DALLIM, JEMI BIJT (KRIJESAT) E TIJ!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button