Dështoi Inter, Juventusi sonte mund të rikthehet në vend të parë

Interi ndalet pas 5 fitoreve radhazi në kampionat dhe e bën këtë sërish në “San Siro” përballë Romës, ku nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, ndonëse pati mundësi të shumta shënimi, transmeton SS.

Pas 14 ndeshjesh në kampionat dhe 5 të tjerave në Ligën e Kampionëve, zikaltrit për herë të parë mbyllën një ndeshje me shifrën e zero golave të shënuar, ndërsa vlen të theksohet se të tre ndeshjet pa fitore në kampionat, i kanë pikërisht në shtëpi.

Antonio Conte vuante mungesën e mesfushorëve, ndërsa trajneri Fonseca e nisi takimin pa portierin Pau Lopez dhe sulmuesin kryesor të skuadrës, Edin Dzeko, i cili u aktivizua vetëm në minutat e fundit.

Entuziazmi i zikaltërve ishte i lartë dhe në pjesën e parë krijuan një mori rastesh shënimi, por Lautaro, Vecino, Brozoviç e Lukaku shpërdoruan pa fund, ndërsa edhe gardiani verdhekuq Mirante bëri mrekullinë në një moment.

Edhe pjesa e dytë pa Interin protagonist dhe tërë kohës në kërkim të fitores, por Mirante nuk kishte ndërmend të lejonte topin në rrjetë, ndërsa edhe Lautaro e Lukaku dukej sikur kishin prishur shënjestrën, duke shpërdoruar mundësi të arta.

Nga ana tjetër Roma bëri shumë pak për të kërcënuar portierin Handanovic dhe veçanërisht në pjesën e dytë u kujdes më së tepërmi për të ulur ritmin e ndeshjes, sesa për të parë drejt portës kundërshtare.

Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, që mban Interin sërish në krye me 38 pikë, dy më tepër se Juventus, që mund të rimarrë kryesimin nëse del me 3 pikë nga kryeqyteti përballë Lazios, nesër në mbrëmje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button