Ikja e trurit: A do t’i fikë dritat mjeku i fundit që largohet nga Kosova

BIRN zbulon pasojat alarmuese që ka emigrimi në sistemin shëndetësor të Kosovës – që është përkeqësuar edhe më shumë nga industria private që po rrëmben staf mjekësor për eksport në Gjermani.

Dikur u dorëzua. Udhëtimet e lodhshme e të gjata për në punë e bindën që të marr vendimin e padëshiruar.

Blerim Berisha ishte kardiolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kryeqytetin, Prishtinë, ku punonte ditë pas dite duke ekzaminuar elektrokardiogramet dhe ultratingujt.

Pas një turni tetë-orësh, ai hipte në një makinë rrangallë dhe udhëtonte për 60 kilometra përgjatë rrugës M9 për në qytetin e Klinës, në perëndim të Prishtinës, ku jetonte me gruan, vajzën dhe djalin.

Në të vërtetë, nuk është se arrinte t’i shihte shpesh ata.  Kjo pasi që mënyra e vetme për të mbuluar shpenzimet e jetës dhe specializmit ishte që të punonte në turne nate në burgun e Dubravës, 30 kilometra më tutje. Pastaj kthehej në shtëpi sa për të ngrënë e pushuar pak dhe sërish drejt Prishtinës për ta nisur sërish nga fillimi.

“Nganjëherë më dukej se nuk do të arrija kurrë të ngopesha me gjumë,” rikujton ai. “E aq më pak të kisha kohë të kaloja me familjen.”

Këto ditë, Berisha, 42, shkon në punë me makinë përgjatë rrugëve me shtëpi gjysmë prej druri në qytezën piktoreske të Pegnitzit, pranë qytetit gjerman të Nurembergut, ku punon si kardiolog në spitalin kryesor të zonës.

Ai fiton dhjetë herë më shumë se sa në Kosovë dhe kalon fundjavat duke vizituar vendbanime historike bashkë me gruan dhe fëmijët.

Pesë vjet pasi mori stetoskopin dhe u zhvendos në Gjermani, Berisha nuk është bërë pishman.

“Vendimi për të ardhur këtu ishte shumë i vështirë, po nuk kisha zgjidhje tjetër,” tha ai, teksa më priti për intervistë në shtëpinë e tij në Nuremberg.

Ndërsa orët e gjata të punës dhe udhëtimi i përditshëm e lodhën shumë, diagnoza që ai i bëri sistemit shëndetësor të Kosovës është ajo që i ndryshoi mendjen përfundimisht.

“Korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe nepotizmi në institucionet publike po vrasin të ardhmen e vendit,” tha ai.

Berisha është një nga qindra mjekë të Kosovës që kanë shkëmbyer pagën e ulët dhe stresin e lartë për jetë më të mirë jashtë vendit. Shumica shkojnë në Gjermani, vend që njeh diplomat mjekësore të Kosovës.

Ndërsa rruga e migrimit bëhet më e lehtë për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë në Kosovë, BIRN zbuloi përmasa të gjera të ikjes së trurit në shtetin më të ri të Evropës.

Në një vend që ka një nga densitetet më të ulëta të mjekëve në kontinent për kokë banori, një mjek emigron çdo dy ditë ndërsa dy infermierë largohen çdo ditë, bazuar nga të dhënat e Odës së Mjekëve dhe Odës së Infermierëve.

Emigrimi vjen me një kosto: qendrat e mjekësisë gradualisht po zbrazen nga stafi, pacientët po përballen me mungesë përkujdesje primare ndërsa shkollimi i ofuar publik po shkon huq. Dhe pastaj është kostoja për taksapaguesit – pasi vlerësohet se arsimimi i një mjeku tjetër kushton rreth 100 mijë euro.

“Stuhia po vjen,” thotë Afrim Blyta, një profesor i neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

“Mund të them se 95 për qind e studentëve po mësojnë gjermanisht dhe synojnë të shkojnë në Gjermani. Shumë shpejt Kosova do të përballet me një mungesë akute në staf mjekësor.”

Ekspertët e shëndetësisë fajësojnë sistemin në përgjithësi si shkaktar kryesor, duke u nisur nga pagat e  ulëta dhe mungesa e  perspektivës për punësim në Kosovë, shto këtu edhe kërkesën e jashtëzakonshme për staf mjekësor në Gjermani, vendi që është ekonomia më e madhe në Evropë por që po përballet me plakje të popullsisë.

Por një fenomen më pak i njohur po ushqen gjithashtu largimin: një industri private në lulëzim, qëllimi i vetëm i së cilës është të tërheqë punonjësit e gatshëm të shëndetësisë për t’i dërguar në Gjermani.

Nga kolegjet private tek kompanitë e shumta të ‘etura’ për rekrutim e deri tek marrja e certifikatave false të gjuhës gjermane, BIRN hedh dritë mbi këtë treg në përgjithësi të parregulluar të eksportit të punëtorëve shëndetësor.

Kritikët thonë se pasojat e kësaj  do të jenë zbrazja e vendit si dhe promovimi i sasisë përkundrejt cilësisë, që do të ketë pasoja serioze për sektorin e shëndetit publik.

Mjekë pa kufij

Në Gorance, një fshat i strukur në kodrat e Kosovës së jugut, vendësit janë mësuar me mjekët që i ikin për në Gjermani. I fundit iku shumë muaj më parë dhe banorët thonë se kanë pak shpresa për një zëvendësim të shpejtë.

Në qendrën mjekësore, infermierja Sevime Shkreta bën çfarë të mundet për t’u përkujdesur për të sëmurët. Ajo është ndihmëse me një termometër dhe për të lidhur fasha rreth plagëve të vogla. Por shpesh asaj i duhet të dërgojë pacientët për qendrën shëndetësore të Hani i Elezit.

Ky nuk është një opsion për familjen e 65 vjeçares Arife Berisha. Ajo vuan nga hipertensioni ndërsa bashkëshorti i saj ka probleme me zemrën e vjehrra vuan nga diabeti.

“Ne nuk kemi mundësi të udhëtojmë për në Han të Elezit për shkak se nuk kemi makinë dhe fëmijët i kam të papunë,” tha ajo ndërsa infermierja Shkreta i mati tensionin.

Në të gjithë vendin me 1.8 milionë banorë, disa qendra shëndetësore që dikur ishin të zhurmshme janë kthyer në zyra fantazmë. Edhe spitalet rajonale në qytetet perëndimore të Pejës dhe Gjakovës u detyruan të mbyllin njësi.

Në të gjithë vendin, 4,100 mjekë ushtrojnë këtë profesion, sipas Odës së Mjekëve, Kjo do të thotë se vendi ka 2.3 mjekë për 1 mijë banorë, një nga normat më të ulëta mes 47 vendeve që përbëjnë Këshillin e Evropës (Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate).

Vendet e vetme që kanë raport edhe më te keq janë Shqipëria (1.2), Turqia (1.8) dhe Bosnjë e Herzegovina (2.0), sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në kontrast me këtë, Gjermania ka 4.2 mjekë për 1 mijë banorë ndërsa Suedia ka 5.4.

Pleurat Sejdiu, kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se vendi ka nevojë për së paku 5 mijë mjekë për të plotësuar standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ka nevojë edhe për 900 mjekë të tjerë përveç ekzistuesve.

Por statistikat tregojnë nivele alarmuese. Ndërsa vendi arsimon 150 mjekë në vit, së paku 180 mjekë ikin, shpjegoi Sejdiu.

“Shumica e tyre kanë në plan të ikin nga Kosova, pavarësisht faktit se ata do të duhet të kalojnë përmes trajnimeve dhe praktikave shtesë në vendin pritës,” tha Sejdiu.

Përgjatë vitit të fundit, ai mori 176 kërkesa nga mjekët për certifikata për të kaluarën etike dhe profesionale, të cilat kërkohen ligjërisht për të marrë punë jashtë vendit.

Suzana Manxhuka Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, është gjithashtu e bombarduar nga kërkesa për certifikata nga studentë të shkuar dhe aktualë që po kërkojnë të emigrojnë.

“Ana negative është që fuqia jonë mendore po largohet,” tha ajo. “Në anën pozitive, ajo që ne po ofrojmë në treg po vlerësohet pozitivisht, por për ne kjo është keq për shkak se do të përballemi me mungesa.”

Ajo shtoi se pothuajse të gjithë studentët e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës po ndjekin kurse private për të mësuar gjuhën gjermane, në përgatitje për emigrim.

“Nuk mund t’i kërkosh dikujt të qëndrojë vetëm për patriotizëm,” tha ajo. “Jo nëse ne nuk ofrojmë kushte të mira pune dhe studimi.”

Ironia është se pavarësisht deficitit në mjekë, shumë të diplomuar në mjekësi nuk po arrijnë të punësohen në Kosovë.

Oda Dhoma e Mjekëve thotë se Kosova ka prodhuar 440 mjekë të kualifikuar të cilët nuk kanë gjetur punë — së paku jo në atdhe.

Ekspertët ia hedhin fajin një kulture nepotizmi në një vend që shpenzon vetëm 220 milionë euro në vit në kujdes shëndetësor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo i bie  122 euro për person, në krahasim me 5 mijë euro që shpenzohen në Gjermani.

“Nëse nuk ke njohje, është e vështirë të gjesh një vend pune apo një vend në programet e specializimit,” thotë Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Por edhe ata që kanë kontrata pune, janë me dy mendje.

Një hulumtim i kohëve të fundit nga Oda e Mjekëve zbuloi se arsyeja kryesore se pse stafi mjekësor synon migrimin janë kushtet e këqija të punës, pasuar nga mungesa e mundësive për zhvillim profesional. Vetëm pas këtyre renditet faktori i pagave të ulëta.

Flamur Llabjani, 34, është një i pakënaqur tipik. I diplomuar prej pesë vitesh, ai është afër përfundimit të specializimit në gastroenterologji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, ku punon çdo ditë, duke udhëtuar nga qyteti i Ferizajt, 40 kilometra në jug.

“Për fat të keq, mjekët më me eksperiencë që supozohet se duhet të na mësojnë neve dhe të na japin dijen që kanë, nuk po e bëjnë këtë, me ndonjë përjashtim” tha ai.

Llabjani ka frikë se do të përfundojë specializimin pa mësuar si të kryejë procedurat bazë të diagnostikimit, të tilla si gastroskopinë dhe kolonoskopinë. Ai pret që të ketë angazhime shtesë në Gjermani në kuadër të specializimit.

“Unë kam qenë kategorik kundër largimit,” tha ai. “Tani e shoh se edhe shokët e mi më të ngushtë që m’u lutën të mos e bëja, janë vetë duke menduar të ikin.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button