Presidenti Meta i dekoroi njësitet kosovare që ndihmuan Shqipërinë pas tërmeteve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Kosovë të mërkurën ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Disa ditë pas tërmetit që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri, ku mbetën 51 të vdekur qindra të plagosur dhe pati dëme të mëdha materiale, Meta ka ardhur në Kosovë për t’i nderuar njësitet që kontribuuan me ndihmë në katastrofën natyrore në Shqipëri.

Meta në ngjarjen ku ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, dekoroi me dekoratë të artë të shqiponjës pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK), po ashtu edhe njësitë tjera nga institucionet si Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), zjarrfikësit, minatorët e Trepçës dhe ata të Artanës.

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se 28 nëntori gjeti të bashkuar të gjithë shqiptarët, si asnjëherë tjetër në historinë e shqiptarëve, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit të 26 nëntorit.

Ai tha se “në këtë betejë të vërtetë, kemi bilanc të rëndë, por Shqipëria nuk mbeti vet, parterët tanë na u gjetën pranë, por Kosova, ishte e para që u ndodh atje menjëherë”.

“Ekipet e Kosovës nuk ishin në Shqipëri vetëm fizikisht e profesionalisht, por edhe njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë. Populli shqiptar, do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, togës së kërkim-shpëtimit, ekipit mjekësor, ekipit të kompanisë për operacione civile, policisë ushtarake, njësisë së komunikimit, ekipit për mbështetje dhe vlerësimit të dëmtimit ndërtesave dhe rrezikshmërisë, ekipit të shpëtimit të Trepçës dhe Artanës, njësisë së zjarrfikëse, Korporatës Energjetike të Kosovës, që treguan maksimalisht solidarizim e profesionalizëm maksimal dhe gatishmëri të jashtëzakonshme”, tha Meta, i cili shtoi se Kosova duhet të jetë krenare me FSK-në e me Policinë.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se festa e 28 nëntorit këtë vit erdhi e ftohtë dhe me tragjedi, por me gjithë tërmetin, shqiptarët morën një mesazh historik.

Ai tha se nga ky tërmet u kuptua se “ne shqiptarët nuk jemi më në dimrin e vetmisë së madhe, jemi rritur vetë, dhe kemi shumë miq që na duan”.

“Pasi i qajtëm e i varrosëm njerëzit tanë të dashur, tani nisë beteja jonë e vërtetë si një trup i vetëm për të gjallët, të pastrehët dhe gjithë ata që pësuan. Ne jemi unik si kurrë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngrihemi mbi interesat parciale dhe t’u dalim në ndihmë gjithë atyre njerëzve”, tha Haradinaj.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama duke uruar 107-vjetorin e Forcave të Armatosura të Republikës se Shqipërisë shtoi se “FSK nuk ka bërë asgjë më shumë se që bën vëllai për vëllanë”.

Ndryshe, në Kosovë që pas tërmetit të 26 nëntorit po vazhdojnë të qëndrojnë një numër i madh i shqiptarëve të cilët janë strehuar në kampe, hotele e shtëpi private të kosovarëve.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor përveçse shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button