Ambasadori shqiptar në Serbi: Mini-Shengeni i pa suksesshëm nëse nuk përfshihen gjitha vendet e Ballkanit

Në një intervistë për Portalb.mk, ambasadori shqiptar në Serbi, Ilir Boçka thotë se iniciativa për krijimin e Mini-Shengenit Ballkanik është një ide qëllim mirë. Ai nuk konsideron se ky është hap i Shqipërisë kundër Kosovës, ndërsa thekson se nuk do të këtë sukses iniciativa nëse nuk bashkohen të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Intervista u realizua në Novi Sad të Serbisë gjatë konferencës Forumi i Liderëve të Rinj Ballkanik.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Si ju duket kjo iniciativë?

Është një nismë pozitive që i shërben krijimit të një hapësire më të jetueshme. Ideja është për tu gëzuar ato katër liritë bazë, të lëvizim lirshëm, të qarkullojnë mallrat, të qarkullojnë shërbimet, kapitalet, njerëzit. Këtë e ka bërë edhe Evropa, edhe ata kështu kanë nisur, me bashkimin e thëngjillit dhe çelikut, duke ulur barrierat e tjera për të lejuar lëvizje të shpejtë dhe lirë. Të punojmë pra që këtë ta bëjmë realitet edhe në hapësirën tonë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë që “Mini-Shengen”-i, le hapësirë për ndikim rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, cili është qëndrimi juaj?

Nuk arrij ta kuptoj këtë tezë. Ne nuk po themi të ulim barrierat me Kinën dhe Rusinë, por mes njëri tjetrit këtu, midis nesh.

Brengosja qëndron në faktin që hyhet në një bashkim me Serbinë e cila ka lidhje me Rusinë…

Çdo gjë që i shërben rritjes së komunikimit mes popujve të Ballkanit Perëndimor, është pozitive. Mjafton të kemi në mendjen tonë faktin që Evropa është bërë pikërisht nga këto bashkime.

Intervista me ambasadorin Ilir Boçka
Intervista me ambasadorin Ilir Boçka

Si e vlerësoni ju rolin e Kosovës, refuzimin e saj për tu bashkuar?

Është e natyrshme dhe e mirëkuptoj këtë sjellje, për shkak të përvojës dhe marrëdhënieve të posaçme që kanë me Serbinë. Por kjo nuk më pengon mua të kem një mendim tjetër për këtë çështje. Uroj që Kosova t’i bashkohet iniciative kur ta gjykojë të arsyeshme. Nga ana tjetër, mua më duket mjaftë i rregullt dhe i saktë qëndrimi i qeverisë shqiptare e cila e ka bërë bashkëpunimin në këtë nismë, me kushtin që të jetë gjithëpërfshirëse, përndryshe kjo nuk ka asnjë mundësi të ekzistojë si lëvizje. Nuk do të këtë sukses iniciativa nëse nuk bashkohen të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pa Kosovën pra vështirë se ka sukses. Disa e kanë akuzuar Shqipërinë për “tradhti kombëtare” ndaj Kosovës duke pranuar të jetë në bashkësi të tillë me Serbinë. A mund të themi se kjo ka ndodhur?

Këto janë fjalë të mëdha dhe zakonisht thuhen kur nuk duam tu hyjmë gjërave seriozisht dhe ju gjejmë bishta. Tradhtitë ka ku bëhen dhe janë bërë, por jo në këtë rast, jo në këtë bashkim me qëllime të mira.

Si u prit nga ju mosdhënia e datës së negociatave me Bashkimin Evropian (BE), Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?

Ishte moment serioz dhe që na goditi si një lloj shok-u. Këtë gjë edhe e prisnim edhe jo. Më mirë të them, nuk deshëm ta pranonim të na thonë në atë mënyrë se si na u tha, pa justifikime dhe pa transparencë. Kjo pasqyron dhe gjendjen në të cilën është BE-ja, e cila ka nevojë për një diskutim të brendshëm për problemin e zgjerimit. Ne u përfshimë në këtë moment pak si kot.

A ka mundur BE-ja ta bëjë këtë reformim paralelisht me procesin e zgjerimit?

Sigurisht. Problemi i reformimit të BE-së është një gjë shumë më e madhe në krahasim me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është pjesë e vogël e diskutimit në krahasim me atë tërësi të madhe të diskutimit brenda shteteve. Në fakt, mua më pëlqen fakti që për shkak të këtij momenti fatkeq për ne, ne erdhëm në qendrën e vëmendjes së BE-së më tepër se kurrë. Edhe vala e simpatisë për përpjekjet që kanë bërë vendet tona ka qenë e madhe dhe e deklaruar publikisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button