Rreth 2 mijë persona nga Shqipëria, të strehuar vetëm në Prizren

Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës, ende nuk dihet saktësisht nga institucionet e Kosovës, njofton REL.

Autoritetet e Kosovës, menjëherë pas tërmetit, kanë dërguar në Shqipëri njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë të Kosovës me mision kërkim-shpëtimi, ndërkohë që Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro ndihma për Shqipërinë.

Organizime të ndryshme në Kosovë, fillimisht kishin ndërmarrë nisma për t’i ndihmuar banorët e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri dhe njëkohësisht kanë marrë me vete në Kosovë një numër të caktuar qytetarësh të këtij vendi, për t’i strehuar në qytete të ndryshme të vendit.

Nehat Koçinaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës ndërmjet të premtes dhe të shtunës, ka pasur një fluks të personave që kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë për t’u strehuar.

Sipas tij, në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, ku deri ditën e premte kanë qenë të akomoduar mbi 500 persona nga Shqipëria, janë strehuar edhe një numër shumë i vogël i personave, ndërkaq të tjerët janë sistemuar në sektorin privat.

“Tani për tani, në Prizren janë të sistemuar, të themi në sektorin publik dhe atë privat, rreth 2 mijë persona. në qytetet tjera, është një shifër e shpërputhur, sepse lëvizjet janë jo rrallë herë kontradiktore njëra me tjetrën. Çfarëdo shifre që të japim nuk mund të jetë as për afër e saktë. Kjo për faktin se përveç mënyrave të organizuara, ka edhe mënyra, t’iu themi, kaotike ose sporadike, që vijnë, shkojnë ose lajmërohen, e pastaj japin një informatë tjetër”, tha Koçinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button