Kampi pro demokracisë fitoi zgjedhjet lokale në Hong Kong

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se qeveria “do të reflektojë seriozisht”, pasi kandidatët pro demokracisë shënuan fitore masive në zgjedhjet lokale, njofton REL.

Sipas mediave atje, 17 nga 18 këshillat e qarqeve do të kontrollohen tani nga këshilltarët pro demokracisë.

Zgjedhjet e së dielës në Hong Kong kanë qenë të parat prejse ka nisur vala e protestave kundër regjimit të Pekinit, gati gjashtë muaj më parë.

Pjesëmarrja në to ka qenë e paparë më herët – mbi 71 për qind.

Rezultati shihet si një qortim i ashpër ndaj zonjës Lam dhe si shfaqje e mbështetjes për lëvizjen protestuese.

Në deklaratën e lëshuar të hënën, Lam tha se qeveria do ta respektojë atë.

Sipas saj, shumë mendojnë se rezultati “pasqyron pakënaqësinë e njerëzve me situatën aktuale dhe problemet e thella në shoqëri”.

Këshilltarët e rretheve kanë pak fuqi politike dhe kryesisht merren me çështje lokale, siç janë rrugët e autobusëve dhe mbledhja e mbeturinave.

Por, këshilltarët gjithashtu duhet të zgjedhin 117 vetë nga rrethet e tyre, për t’u ulur në komitetin prej 1,200 anëtarësh që zgjedh shefin ekzekutiv të Hong Kongut.

Hong Kongu është pjesë e Kinës në bazë të politikës “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button