Komiteti i Helsinkit: Dhuna familjare është vrasësi numër një i grave

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, dhuna familjare është vrasësi numër një i grave, informojnë nga Komiteti i Helsinkit, me rastin e Ditës ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave, njofton Portalb.mk.

Çdo e treta grua ka përjetuar ndonjë formë të dhunës.

“Në vend që gruaja të ndjehet e sigurt në shtëpi, ndonjëherë rreziku më i madh për të vjen mu prej atje. Në vendin tonë, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2019-të, janë paraqitur 709 raste vepra penale nga fusha e dhunës familjare, prej të cilave, 610 kanë qenë viktima gratë. Mund të vijmë në përfundim se dhuna familjare dhe dhuna ndaj grave në mënyrë disproporcionale më shumë i godet gratë, mu për shkak se janë gra”, thuhet në kumtesë.

Duke e pasur parasysh se hulumtimi i OSBE-së tregon se vetëm 2% e grave të cilat kanë përjetuar dhunë nga partneri i tanishëm, e kanë paraqitur rastin në polici “flitet se numri i grave të cilat e durojnë dhunën është shumë më i lartë se sa statistikat zyrtare.

Gjithashtu, shqetësues është edhe trendi i pranimit të dhunës në vend. Hulumtimi i OSBE-së tregon se 3 prej 5 (60%) grave vlerësojnë se dhuna ndaj grave është e zakonshme, ndërkaq thuajse 3 prej 10, se ajo është dukuri shumë e shpeshtë.

Dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare e kufizon gruan që të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe ekonomike, shkakton depresion, ndjenjë të pafuqisë dhe mbyllje, dhe është shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button