Angelovska: Anëtarësimi në NATO do të hap treg të ri shumë miliardë eurosh për kompanitë në RMV

Rritja ekonomike po përshpejtohet me mesatarisht 2 pikë përqindje për vendet që janë anëtarësuar në NATO. Bashkimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut për kompanitë maqedonase hap një treg të ri shumë-miliardë eurosh, ndërsa siguria politike do të stimulojë investimet që do të krijojnë vende pune, do të rrisin vëllimin e tregtisë dhe do të përshpejtojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Kjo është thënë nga Ministrja e Financave, Nina Angelovska, në karvanin e NATO-s të organizuar nga Qendra e Informacionit për Integrime Euro-Atlantike dhe Shoqata Qytetare “Most”, në Prilep, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Financave vuri në dukje se anëtarësimi në NATO për kompanitë vendase hap mundësinë për të marrë pjesë në prokurimet publike në sistemin e NATO-s. Bëhet fjalë për një treg për produkte shërbimesh siç janë prokurimi, mbështetja operacionale, transporti, mirëmbajtja, kodifikimi, shërbimet e sigurisë kibernetike etj.

“Prokurimi publik në sistemin e NATO-s bazohet në rregulla të thjeshta dhe të zgjuara që mundësojnë një proces të shpejtë dhe fleksibël të prokurimit përmes 3 parimeve kryesore: transparencës, mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë. Prandaj, unë do të thoja që kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për kompanitë tona, por edhe një provë për konkurrencën e furnizimit të brendshëm. Veçanërisht potencial i madh për punë është për kompanitë e IT që mund të marrin punë si nënkontraktorë, por edhe për kompanitë e tjera”, tha Angelovska.

Ajo theksoi se siguria politike stimulon investimet – të huaja dhe të vendit, gjë që nga ana tjetër ndikon në rritjen e vendeve të punës, uljen e papunësisë dhe rritjen e vëllimit të tregtisë. Kjo rezulton në rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e standardeve të jetesës.

Pranimi në NATO sjell përfitime të konsiderueshme në drejtim të hyrjeve të investimeve të huaja direkte. Mesatarisht, në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore që iu bashkuan NATO-s midis 1999 dhe 2009 – kur krahasohet me 5 vjet para dhe pas pranimit – IHD rritet nga 4.5% e PBB-së në 7.4% të PBB-së. Angelovska tha dhe theksoi se përveç atyre të huaja, investimet bruto u rritën mesatarisht me 6 pikë përqindje në pesë vjet para dhe pas pranimit në NATO.

Ajo vuri në dukje se duke marrë mesataren e pesë viteve para dhe pas pranimit në NATO për vendet që u bashkuan në 2004, niveli mesatar i papunësisë u ul me 5 pikë përqindje. Vëllimi i tregtisë u rrit gjithashtu.

“E gjithë kjo rezulton në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve. Pra, nëse e shikojmë PBB-në nominale për kokë banori në përputhje me parimin e fuqisë blerëse ato tregojnë rritje të këtij treguesi nga 7% mesatarisht pesë vjet para se të bashkohen në 10.2% pas anëtarësimit”, tha Angelovska.

Ajo përmendi gjithashtu vendet në rajon si Mali i Zi, Shqipëria dhe Bullgaria, ku ka pasur një rritje të lartë të investimeve të huaja direkte dhe përmirësim të performancës ekonomike që nga anëtarësimi në Aleancë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button