Mbaroi takimi Kurti-Mustafa, ky është vendimi i tyre

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Pas takimit, Kurti ka dhënë një prononcim për media, ku ka theksuar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, do të formohet koalicioni qeverisës ndërmjet VV-së dhe LDK-së, njofton Klan Kosova.

“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, me ç’rast në të njëjtën kohë kishim edhe takimin e grupeve punuese që po harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës”.

“Biseduam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u pajtuam që një orë pasi të certifikohen rezultatet nga ana e KQZ-së të takohemi për ta formuar koalicionin qeverisës”.

“Një orë pas konfirmimit, ne do të takohem dhe brenda 72 orëve do ta arrijmë marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin tonë qeverisës”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se pas certifikimit të rezultateve do të ulen sërish për përfundimin e koalicionit.

Ai gjithashtu njoftoi se dy partitë kanë arritur përafri në shumë çështje të programit qeverisës, njofton Klan Kosova.

“Vlerësuam procesin e harmonizimit të programit qeverisës që është bërë mes dy subjekteve tona politike dhe erdhëm në përfundim që është arritur mjaft shumë sepse janë harmonizuar shumë çështje të politikave për zhvillim të vendit, fushës së arsimit, shëndetësisë, shtetit ligjor, formimit të organogramit të qeverisë së ardhshme në aspektin e ministrive”.

“U morëm vesh që posa të bëhet certifikimi i rezultateve që të ulemi bashkërisht me ekipet që të merremi vesh për mundësinë e koalicionit dhe themelimit të qeverisë së përbashkët mes dy subjekteve tona”.

Mustafa tha se sot nuk është biseduar për postin e presidentit apo për postet konkrete të ministrive.

“Kemi biseduar vetëm për atë që duhet të merremi vesh për marrëveshjen për koalicion për të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohemi gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës nëse arrijmë të bëjmë koalicionin”.

Sa i përket partnerëve të tjerë të koalicionit Mustafa tha se kjo i takon partisë së parë që del pas certifikimit të rezultateve.

“Lista Serbe edhe partnerët e tjerë të koalicionit ne mendojmë se duhet ta bëjë ai që del i pari pas certifikimit. Nëse VV certifikohet si parti e parë dhe Kurti si mandatar i qeverisë atij i takon që t’i pret të tjerët dhe LDK-në, pastaj dinamika e ardhshme do të varet nga partia e parë”.
Muatafa tha se për ndarjet e ministrive do të diskutohet në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button