fbpx

Kandidatët demokratë për president të bashkuar në hetimet për Trumpin

Debati i pestë presidencial i demokratëve në Shtetet e Bashkuara është mbajtur në orët e vona të së mërkurës në Atlanta, shkruan REL.

Për të paktën disa orë, 10 kandidatë presidencialë kanë bërë më të mirën e tyre për të larguar vëmendjen e votuesve amerikanë nga seancat publike të udhëhequra nga Dhoma e Përfaqësuesve për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Me raste, kjo çështje ka qenë e pashmangshme.

Senatorja, Elizabeth Warren, një nga mbështetëset e hetimeve për Trumpin ka thënë se do të tentojë të bindë senatorët republikanë që të votojnë për të shkarkuar presidentin.

Ajo po ashtu ka shpalosur planet e saj kundër korrupsionit, të cilat përfshijnë propozimin që donatorëve të mëdhenj t’iu pamundësohet emërimi në rolet e ambasadorëve, siç është rasti me Gordon Sondland, që tani shërben si i dërguar i Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian.

Dy kandidatë të tjerë, senatori, Bernie Sanders dhe Pete Buttigieg, po ashtu janë deklaruar në këtë çështje.

Sanders, si zakonisht e ka cilësuar Trumpin si gënjeshtar patologjik dhe presidentin më të korruptuar në historinë moderne.

Buttigieg ka thënë se presidenti ka abuzuar me pushtetin, mirëpo sërish ka bërë thirrje për unitet.

Joe Biden, njeriu për të cilin Trump dyshohet se ka shtyrë ukrainasit që të kryejnë hetime, ka thënë se ai ka fituar vëmendjen e Trumpit, pasi është në pozicionin më të mirë për ta mundur atë.

Përveç kësaj, debati është përqendruar në çështjet si: taksat, ambienti, politika e jashtme dhe kujdesi shëndetësor.

Senatorja amerikane, Elizabeth Warren, ka shtyrë përpara planet e saj ambicioze për taksat dhe krijim të një sistemi të udhëhequr nga qeveria për kujdes shëndetësor.

Kandidati tjetër, Joe Biden, që përkrah ligjin për kujdes shëndetësor, të ish-presidentit amerikan, Barack Obama ka thënë se “shumica” e demokratëve nuk përkrahin planin e senatores Warren.

“Tani demokratët nuk do ta miratonin këtë plan. Nancy Pelosi është një nga personat që beson se nuk ka kuptim. Ne duhet ta forcojnë planin e Obamas”, ka thënë ai.

Sikurse edhe në debatet e kaluara, kandidatët nuk janë pajtuar me planet e Warrenit për të rritur taksat për të pasurit.

Senatori Cory Booker ka thënë se edhe ai dëshiron që ta bëjë sistemin e taksave më të drejtë, mirëpo ka thënë se partia duhet të diskutojë “jo vetëm si të krijohen taksat për të pasurit por edhe sesi t’iu mundësohet njerëzve të bëhen të pasur, si të rriten bizneset, si të realizojnë ëndrrën amerikane”.

Mirëpo Warren në anën tjetër ka thënë se plani i saj për taksa vetëm do të rezultojë me më shumë të hyra dhe nuk do të ndëshkojë askënd.

Pete Buttigieg, që synon të bëhet presidenti i parë homoseksual ka folur për përvojat e tij në SHBA.

“Unë nuk kam përvojë të diskriminimit për shkak të ngjyrës së lëkurës sime. Mirëpo unë jam ndjerë i huaj në shtetin tim kur kan shikuar lajmet dhe kam parë se po diskutohet për të drejtat e mia”.

Ai ka pranuar mungesën e përvojës, mirëpo ka thënë se ka eksperiencë të mjaftueshme për ta mundur Trumpin.

Senatorja amerikane, Amy Klobuchar, që ka pyetur Buttigieg nëse një grua në pozitën e tij do të arrinte të ishte në debat presdiencial, ka thënë se ai e meriton të jetë aty, mirëpo ekzistojnë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për gratë që i përkasin komuniteti LGBTI.

“Me fjalë të tjera ne mund të luajmë lojën ‘përmendni gruan e preferuar presidente. Nëse mendon se një grua nuk triumfon ndaj Trumpit, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e bën këtë gjë çdo ditë”, ka thënë ajo.

Klobuchar i është referuar faktit se asnjë grua nuk ka qenë presidente e SHBA-së.

Në vetëm dy muaj, demokratët do të nisin procesin e përzgjedhjes së kandidatit presiencial në procesin zgjedhor të vitit 2020.

Debati është zhvilluar të njëjtën ditë kur Universiteti Marquette ka treguar se një sondazh ka gjetur që Trump do të mundë të gjithë kandidatë demokratë derisa shteti Uiskonsin do të jetë vendi kyç në këtë proces zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button