Policia ka shpallur në kërkim dy persona për rastin Ivanoviq

Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë e dy personave, të dyshuar për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, njofton REL.

Në njoftimin e policisë thuhet se publikimi i këtyre fotografive bëhet me qëllim të identifikimit nga ana e qytetarëve, të cilët mund të ndihmojnë rreth identitetit të këtyre personave të dyshuar.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për personat e dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.

Më 16 janar të vitit 2018 Oliver Ivanoviq, u qëllua për vdekje pranë zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ishte lider i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar disa persona në veri, si të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Në gusht të këtij viti, ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se i dyshuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Radoiçiq ndodhet në arrati përderisa ai është intervistuar për këtë rast nga Policia e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “shteti serb dhe policia mund të thonë me siguri se Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, nuk e ka vrarë politikanin serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button