Forumi ministror i punëve të brendshme: Vazhdon mbështetja ndaj Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE

Mbështetja ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP) do të vazhdojë dhe se Maqedonia e Veriut nuk do të heqë dorë nga kursi evropian me qëllim të anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian (BE), u tha sot në Forumin ministror të punëve të brendshme BP-BE që është duke u mbajtur në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Eurokomisari i Punëve të Brendshme dhe Emigrime, Dimitris Avramopolus
Eurokomisari i Punëve të Brendshme dhe Emigrime, Dimitris Avramopolus

Në fjalimin hyrës të Forumit, eurokomisari i Punëve të Brendshme dhe Emigrime, Dimitris Avramopolus tha se BE-ja do të vazhdojë të punojë dhe ta mbështesë BP-në.

“Bashkë arritëm shumë në këto vite të kaluara. Qëllimi është që ta shohim këtë fqinjësi si anëtare të BE-së. Do të vazhdojmë të punojmë dhe ta mbështesim Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht fqinjësinë evropiane”, tha Avramopolus.

Ai u ndal në situatën me emigrantët, dhe vlerësoi se “megjithatë presioni nga emigrantët rritet dhe për këtë duhet të jemi syhapur, tashmë dëshmuam se jemi më të fuqishëm kur bisedojmë bashkë. Të gjithë e keni mbështetjen tonë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk do të heqë dorë nga kursi evropian.

“Edhe krahas të gjitha pengesave me të cilat ballafaqohemi në rrugën tonë drejtë BE-së, megjithatë, vendi nuk heq dorë nga kursi evropian, nga reformat, ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal”, tha Spasovski.

Forumin ministror, Spasovski e sheh si dërgesë të porosisë, se për BP-në ska alternativë tjetër, pos perspektivës evropiane.

Forumi ministror i punëve të brendshme BP-BE
Forumi ministror i punëve të brendshme BP-BE

Në kuadër të Forumit, është paraparë të flitet në temat që kanë lidhje me emigrimin, sigurinë e kufijve, bashkëpunimin me Fronteksin, rreth luftës së përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe luftës kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë në tregtinë me njerëz dhe kontrabandën me drogë dhe armë. Në forum do të prezantohen edhe prioritetet e veprimit gjatë kryesimit të ardhshëm kroat me Këshillin e Evropës, qëndron në kumtesë.

Forumi është organizuar nga Maqedonia e Veriut, nën patronazhin e kryesimit të Finlandës me Këshillin e BE-së, ndërsa në të marrin pjesë edhe ministrat dhe përfaqësues të ministrive të punëve të brendshme të shteteve anëtare të BE-së, eurokomisarë si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Nga Ballkani Perëndimor, janë ministra dhe përfaqësues të ministrive nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button