Muret mbajtëse te Spitali i Tetovës, zvarriten punimet 6 muaj, Komuna gjen fajtorë të ndryshëm

U bënë 6 muaj nga fillimi me punë i mureve mbajtëse në afërsi të Spitalit Klinik të Tetovës. Gjatë këtyre muajve Portalb.mk ka ndjekur punimet në mënyrë sistematike, dhe ka vërejtur se ekskavatorët nuk kanë punuar me javë. Nga Komuna e Tetovës në nëntor thanë se në fund të dhjetorit punimet do të përfundojnë. Sot, në janar, fajin për mosrealizimin e punimeve ia lënë kushteve klimatike dhe festave. Megjithatë banorët e Tetovës e dinë që koha këtë dimër ka qenë kryesisht me diell ndërkaq festat zgjasin ditë të caktuara dhe jo me muaj, raporton Portalb.mk.

Me datë 06.08.2019 filluan punimet për ndërtimin e mureve mbajtëse afër Spitalit Klinik të Tetovës, projekt ky që kap vlerën prej 20 milion denarësh.

Me 15 nëntor 2019, gazetari i Portalb.mk vërejti ndërprerje të punimeve, nga Komuna e Tetovës atëherë u arsyetuan me atë se punimet janë ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe premtuan që këto mure mbajtëse, do të jenë gati në fund të muajit dhjetor.

“Punimet janë ndërprere për shkak te rritjes se nivelit te ujit te cilët pamundësojnë zhvillimin e punimeve. Meqë punët janë ne rrumbulluksim e sipër pritet qe deri ne fund te muajit dhjetor punimet te përfundojnë” thanë nga Komuna e Tetovës me datë 15 nëntor.

Megjithatë, muaji dhjetor kaloi dhe faktet në teren dëshmojnë të kundërtën nga ajo që premtuan nga Komuna e Tetovës. Sot, në vendin ku pritet të ndërtohen muret mbajtëse nuk kishte as ekskavator e as punëtorë.

Vendi ku do të ndërtohen muret mbajtëse në Tetovë.
Vendi ku do të ndërtohen muret mbajtëse në Tetovë.

Edhe pse ky dimër ka qenë një ndër të rrallit ku kemi pa diell gati çdo ditë, sipas kompetentëve të Komunës së Tetovës kushtet klimatike janë fajtor për ndërprerjen e punimeve.

“Varësisht kushteve klimatike kompanitë punojnë. Pas festave do te vazhdohet me pune serish” thanë sot nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, me fillimin e këtij projekti u tha se do të ndërtohen mure mbrojtëse në atë pjesë e cila mendohet të jetë problematike dhe me rrezikshmëri më të madhe sa i përket qendrës klinike. Projekti ka të bëje me 500 metra gjatësi rregullim të murit nga të dy anët, pra 1 km, 500 metra nga të dyja anët.

LEXO: Tetovë: Ka filluar ndërtimi i mureve mbajtëse të lumit në afërsi të Spitalit Klinik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button