PËR VEPRËN QË I MUNGONTE KULTURËS SHQIPTARE

Botimi i veprës “Biseda me Omer Kaleshin” paraqet një ngjarje të rëndësishme dhe të rrallë kulturore. Them “të rrallë”, sepse veprat si kjo i kanë munguar kulturës shqiptare.

Ajo është dialog ndërmjet dy artistëve të mëdhenj, dy njohësve të jashtëzakonshëm të kulturës dhe artit letrar e figurativ, dy personaliteteve me shpirtëra binjakë, dy ambasadorëve të kulturës dhe artit të Ballkanit në botë.

Autori i veprës është mjeshtri i spikatur i prozës narrative – Luan Starova, në 18 romanet e të cilit, kritika profesioniste evropiane e ka njohur Ballkanin djep të kulturës, Ballkanin e mirëkuptimit dhe tolerancës ndëretnike e ndërfetare, jo vrimën e zëzë të kontinentit – Ballkanin e dhunës, ekzodeve masive, gjenocideve dhe luftërave të përgjakshme, nganjëherë edhe vëllavrasëse.

Heronjtë e Luanit nuk janë legjendarë, po prindër që përpiqen të sigurojnë ekzistencën e familjes dhe të ardhmen e fëmijëve. Në të shumtën e rasteve, metafora kyçe dhe personazhë romanesh janë: librat, biblioteka, muzika polifonike, çelësat, dhitë, ngjalat, dhembjet për shenjtëritë e humbura…, me të cilat autori i madh i letërsisë së sotme evropiane kërkon daljen nga labirinti i së keqes, i shëmtisë dhe i jeniçerizmit vetëskllavërues.

Vepra “Biseda me Omer Kaleshin” është e rrallë edhe për shkakun se ka në qendër Omer Kaleshin – piktorin me autoritet ndërkombetar, të cilin Luani e cilëson si: Njeri të qetë, punëtor, me shprehje të buta në fytyrë dhe me një të folur sugjestive të syve, me forcë të brendshme qetësie të fuqishme...; si piktor të madh, i cili e njeh thellësisht substancën dhe natyrën e njeriut, që i respekton miqtë si kulte, si rrallë ndonjë tjetër; si intelektual që posedon reflekse dhe instinkt të lindur për të qenë besnikë ndaj tyre, veçmas ndaj miqve të cilët e zbulojnë atë nëpërmjet portreteve…

Për Luanin: Omeri është njeri i hapur poli-etnik, tolerant, zemërgjerë, i urtë, që distancohet natyrshëm nga provokimet ballkanike, sa herë që mbisundon etnikja mbi qytetaren dhe njerëzoren universale. Jo rastësisht Omeri thotë: Unë para së gjithash dhe mbi të gjitha jam artist, jo etnocentrik. E dhëna se jam me rrënjë të përziera më bën të ndihem mirë brenda lëkurës sime, sepse bart në vete më shumë kultura të popujve ballkanikë, prej të cilave ka  përfituar shumë krijimtaria ime artistike…

Dhe Omeri vërtet është i tillë – shpirtmadh dhe mirënjohës ndaj miqve dhe atyre që u bënë shtytës të inspirimeve të tij krijuese.

Nuk ekziston një artist tjetër, të cilin e adhurojnë, e duan të gjithë dhe e konsiderojnë të vetin. Është kështu, sepse miqësitë e Omerit janë rezultat i respektit që ka për të tjerët dhe respektit që kërkon prej të tjerëve. Kjo i përgjigjet thënies së famshme të babait të esesë evropiane Mishel Montenjit, të cilin Luani e përmend në parathënien e kësaj vepre: Ishim miq, sepse ai ishte ai, kurse unë isha unë!

Vepra në fjalë, para së gjithash, vin për të shpërfaqur me të gjitha dritë-hijet rrugën prej artisti të njërit prej piktorëve më origjinalë të së sotmes, të cilin Ballkani ia dhuroi botës. Por ajo është edhe histori e kulturës së Lindjes dhe Perëndimit, enciklopedi arti, vepër portretesh e homazhesh të papërsëritshme të artistëve të mëdhenj: piktorëve, poetëve, shkrimtarëve, filozofëve…

Ajo u ngjason dialogëve të famshëm ndërmjet: Alen Boskesë e Ismail Kadaresë apo Gabriel Garsia Markesit e Mario Vargas Llosës…, prej të cilëve lezuesi i interesuar mund të mësojë gjëra interesante që nuk i gjen në asnjë libër teorie, në asnjë studim mbi artin dhe kulturën.

Natyrisht, vepra shpërfaq edhe presonalitetin poliedrik të romansierit Luan Starova, duke qënë se ai nuk parashtron pyetje që i shkojnë një intervisteje të zakonshme, po i shpjegon thellësisht e gjithanshëm pikturat unikate të Omerit dhe studimet e bëra për to.

Luani e kthen Omerin shkallëshkallshëm nga Parisi në Kërçovë, Shkup e Stamboll, duke e nxitur të flasë për fëmijërinë, për shpërnguljet e njëpasnjëshme, për rininë e hershme, shkollimin dhe formimin itelektual, për regjistrimin e vonshëm në Akademinë e arteve të bukura në Stamboll, për shëtitjet dhe njohjet me veprat e klasikëve të pikturës botërore, për ekspozitat e para, për ta mbyllur veprën me shpërnguljen e piktorit në Paris, miqtë e tij artistë, ekspozitat e pafundme, sukseset e arritura dhe ngritjen në nivelin e artistit me renome të pakontestueshme ndërkombëtare.

Shumë pyetje Luani i nis me rrëfime për ngjarje e vepra që u kanë ndodhur artistëve të mëdhenj të botës e që koincidojnë me përjetimet dhe krijimtarinë e Omer Kaleshit. Nëpërmjet digresionesh, paralelesh, kujtimesh…, ai  kyç në dialog edhe artistë epokash të ndryshme, si: Junus Emre, Onufri, Zhak Llakarieri i pashmangshëm, Zhil Zhuanari, Alen Boske, Ismail Kadareja, Jashar Qemali, Abidin Dinoja, Bedri Rahimi, Besi Xhexhani, Sadik Kaceli, Luan Rama, Ali Podrimja Rexhep Qosja…, duke e shndërruar bisedën e përkrahur natyrshëm nga Omeri në një debat polifonik, nëse mund të thuhet kështu.

Pikturat e Omerit për Luanin janë univers kokash njerëzore, të shkëputura nga trupi, faqe enciklopedie të jetës dhe vdekjes, në të cilat është përjetësuar pikëllimi, fatkeqësia, melankolia, nostalgjia, frika, shpresa dhe shumë gjëra të tjera të dukshme e të padukshme të njeriut dhe njerëzimit, kohët e shkuara, të tashme dhe të ardhshme, viset e këtushme dhe të largëta…

Për të, kokat me shikimet e pakuptueshmërive unikate, mund të konceptohen edhe si shenja pritjesh tragjike, ndoshta të pashpresa, për të gjetur egzilin nën kulmin evropian.

Për romansierin e famshëm turk Jashar Qemal, pikturat-koka të Omerit janë kode të jetës.

Për Zhak Llakarierin janë: koka barinjsh dhe dervishësh anadollakë, që qëndrojnë në pafundësinë qiellore të artit për shkak të energjisë së tyre të brendshme, të palosura në shpirt si drita, si yje që krijojnë yllësinë.

Në jetën dhe substancën e pikturës së Omerit, në epopenë anadollake të fytyrave të dervishëve dhe barinjve, Zhaku zbulon dialogun ndërmjet krishterimit dhe islamit…, në të cilin përjashtohet ekstremizmi, urrejtja e mosdurimi.

Mjeshtri i famshëm i portretit Sadik Kaceli, pikturat-fytyra të Omerit i lidhte me fytyrat e Onufrit, veçmas me të kuqen e gjallë të portreteve të Onufrit, që edhe pas aq shekujsh e ruajnë freskinë…

Për shumëkë kokat-fytyra të Omer Kaleshit burojnë nga memorja e piktorit. Ai i ka bartur ato me vite, për t’i pikturuar në mansandrën parisiene në bulevardin Aragon dhe i ka gërshetuar me figurat mitike anadollake. Fytyrat kanë pamjet dhe porositë e veçanta dhe në secilën prej tyre luhet nga një akt i dramës njerëzore. Ato shpërfaqin karaktere të ndryshme njerëzore, janë apatride dhe si të tilla u takojnë të gjithëve…

Megjithatë, për pikturat-koka që ringjallin artistikisht atë që është e nuk është më dhe që rrëfejnë me gjuhën unikate të shprehjes së fytyrave, Omer Kaleshi thotë se nuk kornizohen brenda një hapësire gjeografike, ato janë të të gjitha kohërave e hapësirave… Ato vijnë prej largësive të mëdha dhe ikin larg.

Sipas piktorit, kjo është arsyeja përse në shprehjet e tyre hasen shenja të qytetërimit antik të Ballkanit, të qytetërimit bizantin dhe periudhës osmane; përse fytyrat e dëshpëruara, fytyrat në trans, fytyrat në situata të pasigurta, fytyrat me buzëqeshje të shtangura, fytyrat me shikime të kthyera prapa, fytyrat-kohë… i ndjek prezenca e dritës ose gjurmimi pas saj.

Edhe pyetjeve se të kujt janë kokat dhe çfarë përfaqësojnë ato u përgjigjet vetë piktori: Pikturat e mia nuk janë emërtuar me emra fetarë si engjëj e shenjtorë…, por janë thjesht fytyra dervishësh dhe barinjsh. Për këtë shkak fytyrat e mia nuk janë portrete, aq më pak fytyra ikonash e freskash… Shprehjet e fytyrave të mia janë në njëfarë lëvizje, me një intensitet të brendshëm e në proces metamorfozimi, në proces transformimi gjatë kalimit nga një botë në botën tjetër, nga një realitet në tjetrin.

*

Gjatë leximit të kësaj vepre, përkatësisht përkthimit të saj, jam befasuar me koincidencat e ngjashmërive të panumërta ndërmjet dy protagonistëve të bisedës: ata rjedhin nga familje që për arsye të ndryshme janë detyruar të marrin udhën e ekzilit, kanë kaluar fëmijëri shumë të ngjashme, janë shkolluar e formuar në gjuhët dhe shkollat e tjetrit, kanë të bërbashkëta metropolet ku kanë jetuar a jetojnë aktualisht, janë me karaktere tejet identike dhe natyrë paqësore, janë fanatikë të punës, e shijojnë prej dekadash famën ndërkombëtare, që të dy janë poliglotë e erudite dhe shumë mirënjohës ndaj përkrahësve, dashamirësve dhe inspiruesve të tyre…

Omeri nuk i harroi kurrë profesorët dhe miqtë që i besuan talentit të tij. Njëri prej tyre ishte profesori i Akademisë së arteve të bukura në Stamboll Bedri Rahmiu, i cili, duke respektuar principet pedagogjike të institucionit ku punonte, kërkoi edhe nga Omeri student të përcaktohet për mësuesin piktor. Dhe ai zgjodhi për mësues të përjetshëm piktorin e madh spanjoll Francisko Gojën, nga i cili mësoi finesat e krijimtarisë artistike, ngjyrën e kuqe me gjithë nuancat e saj dhe pikturimin me mistri.

Mësuesi tjetër i Omerit qe Mark Shagali, që fillimisht e la pa frymë me muralin fantastik në operën e Parisit. Më pas u mahnit nga krijimet tjera të Shagalit, që  krijoheshin rrugës ndërmjet qiellit dhe tokës, me violinistë që shikojnë drejt qiellit dhe ekzekutojnë mbi çati, me figura njerëzore dhe kafshë të pikturuara duke fluturuar, me  fytyra që fluturojnë, të çliruara prej gravitacionit të tokës, apo me familje që ngjiten në qiell për të kapërcyer kufijtë që e izoluan me shekuj botën…

Për nga filozofia krijuese, Omeri i adhuron dhe i ndjenë të afërt edhe disa piktrorë të tjerë të mëdhenj, si: El Grekoja, Velaskezi, Pikasoja, Salvador Dali… tek të cilët e ndjen frymën e përbashkët të Ballkanit dhe Siujdhesës iberike, gjakimin e njëjtë pas dritës, ndjenjën e njëjtë për tragjizmin dhe ekzistencën.

Për Luan Starovën dhe Ferid Muhiqin, motoja që përcaktoi filozofinë kozmopolite e krijuese të Omer Kaleshit është mendimi i Junus Emres: “Kjo botë nuk i takon askujt!”. Prandaj qëndrimet që shpreh Omeri në këtë vepër janë në një vijë me mendimin e mësipërm të poetit dhe mësuesit të madh sufist nga Anadolli.

Filozofi, shkrimtari dhe miku i ngushtë i Omerit, Zhak Llakarieri – njeriu që pati ndikimi të jashtëzakonshëm në udhën krijuese dhe sukseset e piktorit tonë – shpjeguesi më i njohur i pikturave-koka të Omerit, në të cilat zbuloi kodin e zërit dhe valles së dervishëve anadollakë, madje pohon se: ato (pra: portretet-koka të Omerit) janë të lidhura mish e thua me figurat fiksionale të poezive të Junus Emres.

Për jetën dhe artin e Omer Kaleshit kanë shkruar krijues të shquar, si: Zhil Zhuanari, Luan Rama, Jovan Plevneshi e shumë të tjerë, po ne po veçojmë me këtë rast monografitë briliante të Zhak Llakarierit dhe Ismail Kadaresë, që e kanë pavdekësuar për jetë të jetëve emrin dhe veprën e piktorit të madh.

Prej piktorëve shqiptarë e turqë, Omeri përmend si inspirues të krijimtarisë së tij artistike Abidin Dinon, Bedri Rahmiun, Sadik Kacelin e disa te tjerë.

Piktorin turko-francez me prejardhje shqiptare Abidin Dinon e njohu në Paris. Ai qe artist me famë ndërkombëtare dhe konsiderohet themelues i pikturës bashkëkohore turke. Abidini e ndjeu pagabueshëm dhuntinë e Omerit dhe e ndihmoi të vendoset e të adaptohet në Paris. Në sajë të kësaj njohjeje, Omeri njohu më vonë dhe miqtë e afërt të Abidin Dinos: Pablo Pikason, Mark Shagalin, shkrimtarin Jashar Qemal e disa të tjerë, prej të cilëve gjithashtu mësoi shumë. Abidi ndikoi tek Omeri me rrëfimet e tij dhe pafundësinë e qindra nuancave të ngjyrërave të ndryshme, të cilat e ndihmonin për ta përfytyruar memorien e paskajshme të natyrës.

Për piktorin dhe udhëheqësin e klasës në Akademinë e arteve të bukura në Stamboll Bedri Rahmiun, Omeri thotë se ia ka dhënë kurajën më e madhe që ka përjetuar gjatë krijimtarisë së tij. Ai e shtyri herët drejt famës me fjalinë: “Pikturat tua mund të ekspozohen në të katër anët e botës”. Të njëjtën kurajo ia dha edhe gjatë takimit në Paris në vitin 1985, kur Omeri ia tregoi disa piktura të reja gjer në gjysmë të bardha. Me atë rast profesor Bedriu tha me sinqeritet: “Për t’u pikturuar këto, vërtet nevojitet një guxim i madh. Është e vërtetë se Sezani dhe Matisi e shfrytëzuan në pëlhurë ngjyrën e bardhë, por jo në mënyrën në të cilën e shfrytëzon ti.”

*

Të njëjtin respekt të thellë ndaj artistëve që e inspiruan krijimtarinë e tij e shpreh dhe Luan Starova, nëpërmjet portretesh e homazhesh të jashtëzakonshme, që gjenden brenda romaneve të tij. Të tillë janë autorët e mëdhenj shqiptarë e evropianë: Faik Konica, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Kadareja (veçmas Konica – më i ngjashmi me Luanin për tragjizmin e mbijetimit të shqiptarëve, që u bë njëra prej ideve kryesore që sugjeron Saga ballkanike dhe për ndikimet, lidhjet dhe afritë e mundshme që mund të ketë vepra letrare e një autori me veprën e një autori tjetër…), Edgar Moreni, Emil Siorani, Mahmud Dervishi e shumë të tjerë.

Në fund fare , më duhet të them se vepra “Bisedë me Omer Kaleshin”, veç tjerash, është një leksion për artistët e ngarkuar me ndjenja të liga kundrejt tjetrit, për krijuesit robër të etnocentrizmave, që, në vend se ta ushqejnë botën me të bukurën, e helmojnë atë me mosdurim dhe fobi mesjetare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button