fbpx

Mosmarrëveshjet politike rrezikojnë edhe implementimin e Ligjit për qasje në informata me karakter publik

Paralelisht me kryrevizorin, peng i marrëveshjeve politike është edhe zgjedhja e drejtorit të Agjencisë për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, ndërkaq kjo do të jetë “mundësi optimale” për shfunkionalizim të tërësishëm të Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje deri te këto informata, i cili pushon së funksionuari me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri më 30 nëntor 2019, transmeton Portalb.mk.

Rëndësia e zgjedhjes së drejtorit dhe funksionimit të Agjencisë, lidhet drejtpërdrejt me nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së bartësve të informatës me karakter publik, që me ligjin e ri, përveç institucioneve parashihen të jenë edhe partitë politike.

“Me këtë ligj rregullohen kushtet, mënyra dhe procedura për realizim të të drejtës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik me të cilat disponojnë organet e pushtet shtetëror dhe organe të tjera dhe organizata të verifikuara me ligj, organet e komunave, Qyteti i Shkupit dhe komunat e qytetit të Shkupit, institucionet dhe shërbimet publike, ndërmarrjet publike personat fizik dhe juridik të cilët kryejnë autorizime publike të verifikuara me ligj dhe veprimtari nga interesi publik dhe partitë politike në pjesën e atë ardhurave dhe shpenzimeve (bartësit e informatës). E drejta për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik realizohet në pajtim me këtë, Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative dhe ligj tjetër”, thuhet në nenin 1 të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

Ilija Dimovski
Ilija Dimovski

Formimi i Agjencisë parashihet me Ligjin e ri, por për funksionalizimin e saj duhet të emërohet drejtori dhe zëvendësdrejtori. Zgjedhja e tyre ka ngecur në Komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga deputeti i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski. Paraprakisht është hapur konkurs për drejtorin, por për numrin e aplikuesve Kuvendi nuk ka të dhëna, e ndërkaq Dimovski është i paqasshëm për redaksinë tonë.

Talat Xhaferi
Talat Xhaferi

“Konkursi është hapur dhe ka pasur aplikues, megjithatë, procedura ka ngecur në Komision, ngaqë partitë nuk arrijnë të merren vesh. Numrin e aplikuesve nuk e dimë, sepse ato të dhëna i ka kryetari i Komisionit”, thanë nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kryetari i Komisionit, organ ky që me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri pritet të transferohet në Agjenci, Blerim Iseni, nuk i di arsyet se pse deri tash nuk është zgjedhur drejtori, por ai vlerësoi se nëse deri më 30 nëntor nuk emërohet drejtori, komisioni nuk do të ketë kompetenca të veprojë ndaj ankesave.

Blerim Iseni
Blerim Iseni

“Megjithëse periudha gjashtëmujore u përcaktua si periudhë e transformimit, prej Komisioni në Agjenci, por kjo është e lidhur me emërimin e drejtorit të Agjencisë. Në momentin që emërohet drejtori, mua më mbaron funksioni”, tha Iseni për Portalb.mk.

Komisioni gjithashtu nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për transformimit të saj në Agjenci, ngaqë ajo është e drejtë e drejtorit për të cilin partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje dhe ta zgjedhin në Komisionin Kuvendor. Nga ana tjetër, nuk dihet edhe se me Ligjin e ri sa do të arrijë edhe numri i institucioneve bartëse të informatës me karakter publik, ngaqë me Ligjin e ri edhe partitë politike do të jenë të obliguara të përgjigjen në kërkesën për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

Nga ana tjetër, Komisioni i deritashëm nuk ka qenë edhe efikas, ngaqë nuk ka pasur përbërjen e mjaftueshme të Këshillit për të vepruar ndaj ankesave të parashtruara. Mbledhja e fundit e komisionit është mbajtur më 16 prill të 2019-s.

Komisioni u bë çështje debati në publik, ngaqë në konkursin që u hap në shkurt, për anëtarë të Këshillit të tij nga LSDM-ja u propozua nëna e, tash të dyshuarit të parë të rastit “Reket”, Bojan Jovanovski. Edhe pse u zgjodh, ajo u largua pas presionit në publik. Mediat punën paraprake të Komisionit e kanë cilësuar si të ndikuar politikisht, gjë e cila ka ndikuar që qytetarët, gazetarët dhe shoqëria civile të mos kenë besim në të. OSBE-ja pati rekomanduar që informatat me karakter publik të publikohen edhe pa kërkesë të veçantë nga qytetarët dhe mediat, gjë e cila do ta lehtësonte punën hulumtuese të gazetarëve dhe do ta rriste transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve, tash edhe të partive politike.

 

 

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.b

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button