Dy protestues në Hong Kong janë në gjendje kritike

Dy protestues janë në gjendje kritike pas një dite tjetër të protestave të dhunshme në Hong Kong. Njëri nga ta u plagos mëngjesin e së hënës pasi u qëllua në një distancë të afërt nga një oficer policie, njofton REL.

Ai është personi i tretë që qëllohet nga policia prejse kanë nisur protestat 24 javë më parë.

Po ashtu të hënën, një mbështetës i Kinës u vetëdogj pasi argumentoi me protestuesit, të cilët kërkojnë më shumë demokraci dhe përgjegjësi nga policia në Hong Kong.

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, i paralajmëroi protestuesit se nuk do të kenë sukses me kërkesat e tyre.

“Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të gjetur mënyra dhe mjete që mund t’i japin fund dhunës në Hong Kong sa më shpejt që është e mundur,” tha ajo.

Protestat në Hong Kong kanë nisur në muajin qershor, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, e cili më pas është tërhequr.

Protestat më pas janë zgjeruar në fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button