Tradita e shkrimtarisë shumëgjuhësore në kulturat e botës

Javën që shkoi shkrova për shkrimtarinë në gjuhën e tjetrit, për shkaqet që e kushtëzuan/kushtëzojnë atë dhe për traditën e këtij fenomeni në letërsinë shqipe. Sot, ndërkaq, po shkruaj për gjenezën e kësaj dukurie në kulturat tjera.

Fenomeni i letërsisë dygjuhësore e shumëgjuhësore është zgjatim i përvojës së Renesansës (Rilindjes), e cila njihet si epokë e kolosëve të klasikës evropiane: Dante Aligierit, Françesko Petrarkës, Xhovani Bokaços, Torkuato Tasos, Erazmo Roterdamit…, që, krahas gjuhës latine, të pranuar asokohe për gjuhë kulture, shkruan edhe në gjuhët e tyre amtare (frëngjisht, spanjisht, italisht…).

Përpara tyre, me kufij të shtrirë gjer në antikë, janë shekuj e breza të tërë krijuesish që shkruan në gjuhën e tjetrit, po kjo, për arsye të mirënjohura, nuk ka përbërë pengesë që veprat e tilla të konsiderohen më vonë pjesë organike të letërsive të caktuara nacionale. Ndryshe, çdo të ishte, fjala vjen, letërsia italiane pa fëmijërinë e saj latine të shkruar nga krijuesit e antikitetit romak: Virgjilit, Longinit, Horacit, Kuintilianit, Ciceronit, Plautit, Lukrecit, Ovidit, Marcialit, Juvenalit…? Ç’do të ishte letërsia evropiane pa heronjtë e letërsisë së mesjetës që, në periudha të caktuara historike, si në epokën e Karlit të Madh (sh. VIII), krijuan vepra të guximshme, pa të cilat sigurisht do të vonohej Rilindja evropiane. A i vë kush në dyshim ato vlera shkaku i gjuhës në të cilën u krijuan? Natyrisht: jo, sepse krijuesit në gjuhën e tjetrit, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë shkrimtarët dygjuhësorë si: Siorani, Jonesko, Kundera, Beketi, Brodski, Nobakovi, Seferisi, Pessoa, Rilke, Hajne, D’Anuncio, d’Ors-i, Përliçevi, Majkëll Hartneti…, njësoj si shkrimtarët njëgjuhësorë që jetuan/jetojnë jashtë atdheut të tyre, si: Markesi, Fuentesi, Kortazari, Kavafisi, Xhojsi, Kafka, Rushdiu, Popa e shumë të tjerë, mbeten ambasadorët dhe reprezentuesit e letërsive dhe kulturave të etnive të tyre.

Në botën e sotme ekzistojnë letërsi të më shumë etnive që shkruhen në një gjuhë të vetme dhe letërsi etnishë që shkruhen në më shumë gjuhë.

Në grupin e parë bëjnë pjesë letërsitë e fqinjëve tanë: serbëve, kroatëve, malazeziasve e boshnjakëve, që shkruhen në gjuhën e reformuar prej serbit Vuk Karaxhiq. Kjo gjë ka qenë dhe ka mbetur mollë sherresh e polemikash të përhershme ndërmjet katër etnive dikur pjesë të federatës jugosllave, që përvetësojnë e kontestojnë me zjarrmi përkatësinë etnike të krijuesve, si: Petar Petroviq Njegoshi, Mesha Selimoviqi, Ivo Andriqi…

Në këtë betejë, serbët janë më të zëshmit dhe shtrojnë argumentin e gjuhës së veprave, që, sipas tyre, është serbishtja, por nuk mbeten prapa as kroatët që pretendojnë se Andriqi është i tyre, për shkak se në rini ndihej kroat dhe botonte në Kroaci, madje qe përfshirë në Antologjinë e re të poezisë kroate…

Natyrisht, sado me zë pak më të mekur, të njëjtën gjë e bëjnë edhe malaziasit dhe boshnjakët, por ata, më shumë se sikleti i përvetësimit të kuotave të të tjerëve, i preokupon mbrojtja e të vetëve (Njegoshit dhe Selimoviqit) nga gllabërimi serbo-kroat, gjë të cilën e bëjnë duke u thirrur në elemente jashtëgjuhësore. Kështu, ata, bashkë me kroatët, përveç përkatësisë së gjakut, gjeografisë dhe fesë, thirren edhe në alfabetin latin, të cilin e shfrytëzojnë dhe malaziasit, boshnjakët, goranët e Kosovës dhe vetë serbët, të cilët alfabet bazë kanë shkronjat qirilike.

Çështja në fjalë ka nxitur synimet për diferencimin e gjuhëve të tyre mbi baza ekskluzivisht jashtëgjuhësore.

Në grupin e dytë (në letërsitë që shkruhen në më shumë gjuhë) bëjnë pjesë letërsitë e ish kolonive evropiane, si: Algjeria, Çadi, Senegali, India, Australia, Zelanda e re dhe shumë vendeve latino-amerikane, letërsitë e të cilëve shkruhen kryesisht në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, portugeze…

Shtetet  e tilla kanë krijues të njohur e me çmime letrare ndërkombëtare, si: algjeriani Mohamed Moulessehoul, i njohur dhe me emrin Yasmina Khadra; shkrimtarja nga Çadi – Koulsy Lamko; nobelisti guatemalas – Miguel Angel Asturias, i cili solli në spanjishte botën e indianëve autoktonë, të kundruar nga prizmi i një kulture dhe qytetërimi tjetër; autori kubanez, Nikolas Gijen që njihet si njëri prej poetëve të mëdhenj latino-amerikanë të sh. XX dhe njëkohësisht si përfaqësuesi më i denjë i poezisë së ashtuquajtur: afro-kubaneze dhe shumë  e shumë shkrimtarë të tjerë.

Kjo është arsyeja përse veprat e krujuesve tanë që shkruajnë në dy e më shumë gjuhë, duhet t’i  konsiderojmë pjesë integrale të letërsisë shqipe. Aq më tepër kur prapa nesh kemi traditën e gjatë të shkrimtarisë në gjuhën e tjetrit (për të cilën shkrova javën e shkuar) dhe ndërgjegjësimin se jemi kulturë dhe letërsi e një etnie të vogël, që nuk e ka komoditetin e lënies së krijuesve të saj dygjuhësorë e shumëgjuhësore në oborret e të të tjerëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button