Edhe sa kohë?

Edha sa kohë duhet ta presim drejtësinë? Nga viti 2015 kur u themelua Prokuroria Speciale kaluan më shumë se 4 vite. Ajo që filloi të realizohet me bujë të madhe dhe me obstruksione nga më të ndryshmet assesi të sjellë rezultatet e mirëfillta. Në fillim ishin sabotimet e institucioneve të atëhershme që i quanim institucione të kapura që funksiononin brenda një shteti të kapur, të rrobëruar nga familja që udhëhiqte gjithçka në këtë shtet, nga një grusht njerëz që kishin në dorë jetën dhe vdekjen e qytetarëve të thjeshtë.

Pastaj erdhi koha e faljeve perandorake që paralizuan punën e Prokurorisë Speciale për plot tri muaj. U dhanë e u tërhoqën këto falje që vazhdojnë të krijojnë probleme dhe do vazhdojnë edhe më tej të na krijojnë dhimbje koke sa herë që ndonjë nga të dyshuarit ose të akuzuarit do të vendosë ashtu “lehtazi” ta lëshojë shtetin dhe të na informojë përmes Facebook-ut për vendodhjen e tij.

Pastaj erdhi koha kur filluan të dalin në pah edhe vetë lëshimet e prokurores speciale që tani gjendet në paraburgim. Lëshime të pafalshme, si që ishte moskërkimi i paraburgimit për të kryeakuzuarin Gruevski. Ky lëshim i kombinuar edhe me një sërë lëshimesh tjera të institucioneve kompetente, për të cilat deri më tash askush nuk dha asnjë informatë konkrete e as nuk barti asfarë përgjegjësie, rezultoi me ikjen spektakolare të shekullit të të akuzuarit kryesor të PSP. Ndërsa i akuzuari tjetër kryesor, Mijalkov, gjendet në shtet dhe paraqitet herë pas here në gjykime, por dita ditës ka gjithnjë e më pak persona të cilët besojnë se ai vërtet një ditë do të mbajë përgjegjësi për terrorin që shërbimet sekrete e bënin gjatë udheheqjes së tij. Që në momentin kur siguroi votat kyçe për të kaluar Marrëveshja e Prespës në Kuvend, statusi i tij jooficialisht kaloi nga i akuzuar kryesor në bashkëpunëtor të drejtësisë. Diçka ngjashëm si statusi i Kamçevit për të cilin tani më lajm më interesant është a do të marë ose jo pasaportë të re pasi e vjetra i ka skaduar, se sa a ka kryer vërtet vepra penale që lidhen me rastin “Perandoria”, dhe a ka dhënë mito për të shpëtuar nga burgu.

Ajo që shohim këto ditë janë vonesat dhe shtyerjet e lëndëve që lidhen me PSP e që janë para gjykatave. Të akuzuarit nuk vinë në seanca, herë japin herë s’japin arsyetime, të gjitha lëndët e gjertanishme fillojnë nga e para dhe punë ditësh është kur do fiken dritat në ndërtesën e PSP të cilën e ka mbuluar pluhuri sepse nuk ka mjete për t’u pastruar, e prokurorët që punonin aty vazhdojnë të mos marin rogë e as kontribute sepse janë as në qiell as në tokë.

A thua kjo është drejtësia që duhet zbatuar? Po me rastin e ndjekjes së organizatorëve kryesorë të 27 Prillit çfarë u bë? Ku mbeti ai rast? Apo edhe ai u harrua. Të gjitha çuditë tri ditë zgjasin por tek ne edhe rastet e korrupsionit vetëm tri ditë janë aktuale dhe fillojnë të shpërbëhen e të shpërndahen si grimca pluhuri që i mer era. Ato vazhdojnë të qëndrojnë rreth nesh, sikur pluhuri në ajër, vazhdojnë të na helmojnë shpirtin si grimcat PM10 që na i helmojnë mushkëritë gjatë muajve të dimri, janë rreth nesh, e megjithatë nuk janë, kur mundohemi ti kapim, ikin.

Mosvënia e drejtësisë krijon pakënaqësi të mëdha. Këtë duhet ta dinë udhëheqësit e shtetit. Nuk ka gjë që krijon më shumë pakënaqësi se kjo. Sepse vazhdimi i traditës së mosbartjes së përgjegjësisë penale krijon apati tek qytetarët të cilët nuk kanë pse të angazhohen për ndryshim kur kuptojnë që çdo ndryshim i filluar në emër të drejtësisë humbet në rrugicat e errta të politikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button