Koalicioni Nisma-AKR-PD nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve

Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë nuk e pranojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, të shpallur të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), transmeton REL.

Në një konferencë për media, Endrit Shala, nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, tha se do të bëjnë ankesë në të gjitha instancat lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

“Sot, KQZ-ja nuk e shpalli rezultatin e votave të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhje; në fakt, KQZ-ja sot shpalli rezultat të fabrikuar, të prodhuar nga ajo vetë, duke i numëruar si vota pakot me zarfe të grumbulluara diku në Serbi, pako e zarfe që nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën”, tha Shala.

“Do t’i shfrytëzojmë për ankimim të gjitha instancat bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ne presim nga këto institucione që të shqyrtojnë ankesën tonë dhe të vendosin duke respektuar dhe duke u bazuar në ligjin”, shtoi Shala.

Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Pragu minimal për të siguruar ulëse në Kuvend është 5 për qind e votave, të cilin ky koalicion pretendon se e ka kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button