Për t’u pastruar në tërësi deponia e Shutkës, duhen më shumë para, tha Zaevi

Megjithëse deponia e egër në Shuto Orizare (Shutkë) pati filluar të pastrohet, punët kanë ngecur, ngaqë paralelisht me pastrimin, është bërë mbushje e sërishme. Madje, ajo ka vazhduar edhe të digjet. Kryeministri Zoran Zaev tha se për pastrimin e tërësishëm duhen më shumë mjete nga ato që qenë paraparë, transmeton Portalb.mk.

Procedura për pastrimin e deponive të egra duhet të udhëhiqen nga komunat në territorin e të cilave bien deponitë, por ata nuk kanë mjete. Mjetet në vlerë prej 200 milionë denarë, që qenë paraparë për pastrim të deponive të egra në tërë nivelin shtetëror, tashmë janë shpenzuar, deklaroi Zaev. Për këtë ai tha se duhet të sigurohen mjete shtesë.

“Procedura udhëhiqet nga institucionet shtetërore, sepse Komuna një pjesë të saj e mbulon nga mjetet e saja, por ska para. Ato janë sasi të mëdha”, tha Zaevi.

Ai më tej tha se nuk e di se deri në cilën fazë ka arritur procedura e pastrimit, ndërkaq hezitoi të japë përgjigje për pyetjen se kur do të pastrohet në tërësi kjo deponi. Ai e di se Shkupi mbetet problem i pazgjidhur për momentin.

“Mbetet edhe deponia e Shkupit. Kjo nuk është përgjegjësi e institucioneve, por e kryetarëve të Komunave dhe e inspektorëve komunal. Sigurisht se mundemi edhe ne qytetarë të kontribuojmë në zgjidhjen, që mbeturinat të hidhen në vendet ku janë specifikuar si deponi, dhe të respektohen deponitë rajonale”, tha Zaevi. 

Nga ana tjetër, Portalb në konsultim me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kuptoi se kjo ministri mund vetëm të ndërmjetësojë në gjetjen e mënyrave të pastrimit të deponive të egra, ngaqë ajo është kompetencë e vetë komunave.

Deponia e egër e Shuto Orizares është kompetencë e komunës, megjithëse u tentua të merret deklaratë nga kryetari, Kurto Dudush, i njëjti nuk pati mundësi të përgjigjet.

LEXO: Pamje të trishta në deponinë e Shutkës: elbi, duhani dhe mbeturinat piqen pranë njëri-tjetrit (FOTO+VIDEO)

Çështja e deponisë së Shutkës filloi të zgjidhet, pasi 70 përqindëshi i saj u pastrua. Megjithatë, paralelisht me pastrimin është kryer edhe mbushje e saj, nga persona ilegalë. Për zgjidhjen e saj qe formuar edhe grup koordinues, i udhëhequr nga Inspektorati Shtetëror i Ambientit Jetësor, i cili ka pasur për qëllim të koordinohen aktivitetet ndërmjet Inspektoratit të Qytetit të Shkupit dhe të Shuto Orizares për pastrim të deponisë. Inspektoratet, paraprakisht kanë njoftuar se detyrimet e tyre kanë përfunduar, megjithatë, meqë nuk është arritur të sigurohet dokument nga grupi koordinator, nuk mund të vërtetohet një gjë e tillë.

Portalb, disa herë ka raportuar se paralelisht me pastrimin është duke u realizuar edhe mbushja, të cilën e ka vërtetuar edhe vetë gjatë vizitës së realizuar në muajin korrik, e cila mund të shihet edhe në videon më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button