Kosovë, KQZ-ja nesër do t’i shpallë rezultatet e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paralajmëruar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit do të shpallen të enjten më 7 nëntor, nëse nuk do të ketë ankesa brenda afatit ligjor.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në Panelin zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Të martën rreth mesnatës është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve, sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor.

“Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse, për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, tha Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button