Shefi i diplomacisë franceze dha sinjale pozitive për nisjen e negociatave RMV-BE

Shefi i diplomacisë franceze, Zhan-Iv Le Drian ka dhënë sinjale pozitive për procesin e çeljes së negociatave mes Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) me Bashkimin Evropian (BE), transmeton Portalb.mk.

Ai në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea“, ka thënë se nuk është kontestuar perspektiva evropiane e RMV-së dhe Shqipërisë dhe se ata janë kandidatët më të pjekur për të nisur negociatat me BE-në.

Ndërkaq, për anëtarësim ai notoi se duhet të plotësohen kushtet dhe kriteret.

“Ne jemi për çeljen e negociatave, por duhet të përmbushen kushtet dhe kriteret”, tha Le Drian.

Kjo deklaratë e Le Drianit vjen në vazhdën e takimit të parë të realizuar nga një përfaqësues i Francës në RMV, senatores Elen Konve-Mure e cila realizoi takime me kryetarët e komisioneve në Kuvend. Pas takimit, u tha se Konve-Mure ka deklaruar se nuk ka alternativë tjetër pos BE-së dhe se Franca është duke punuar për metodologjinë. Konve-Mure sot do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Reagimet nga Franca vijnë pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pasi presidenti francez, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa nuk ndryshon metodologjia e procesit negociues, reformë e cila mund të zgjas me vite dhe për të cilën Parisi nuk jep përgjigje konkrete se si duhet të duket. Siç sqaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie, këtë metodologji Makroni do ta sqarojë gjatë vizitës që do ta realizojë në kryeqytetin e RMV-së, Shkup dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ajo të ndodh edhe gjatë takimit të Makronit me presidentin e RMV-së, Stevo Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button